Art & KulturëKryesore

Publiku në përkrahje të filmi “Zgjoi” pak ditë para ceremonisë “Oscar”

Edhe pak ditë kanë mbetur nga shpallja e nominimeve për shpërblimet e sivjetme “Oscar”, dhe Kosova nuk ka qenë kurrë më afër bërjes së historisë sesa tani me filmin “Zgjoi” të Blerta Bashollit.

Projekti i shumëshpërblyer kosovar i metrazhit të gjatë i cili bazohet në histori të vërtetë, pritet të nominohet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.

Ekipi realizues prapa filmit tashmë e ka filluar një fushatë intensive të promovimit të “Zgjoit” nëpër rrjete sociale, së cilës me shumë dëshirë dhe përkushtim i janë bashkuar pothuajse gjithë komuniteti artistik në vend por edhe publiku i gjerë, duke bërë postime të trailerit apo posterit të filmit me ‘hashtag’ që e promovojnë atë.

“Na duhet vizibilitet, andaj përkrahja e secilit është shumë me rëndësi dhe ju falënderoj shumë”, ka thënë regjisorja e filmit në një postim të saj përmes së cilit kërkonte mbështetjen e publikut.

Skenaristja dhe regjisorja, Blerta Basholli, po ashtu e postoi një intervistë të realizuar me aktoren e njohur hollywoodiane, Elisabeth Moss, e cila së fundmi u bë pjesë e “Zgjoit” në si producente ekzekutive bashkë me Lindsey McManus, partneren e saj në “Love&Squalor Pictures”.

“Kur ke si personazhe gra të forta, mendoj se shumë njerëz mendojnë se duhet të jenë të pambrojtura ose duhet të jenë të dobëta ose duhet të arrijnë në atë pikë. Por në mënyrë të qartë, pasi filmi bazohet në ngjarje të vërtet ju duhet të tregoheni të vërtetë. Dhe pajtohem, ajo padyshim është një person shumë i veçantë pasi arrti të bënte gjithë këtë udhëtimin në jetën e saj”, deklaroi ndër të tjera Moss, e cila vlerësoi portretizimin e fortë të personazhes kryesore, si dhe refuzimin e Bashollit për ta zbutur protagonisten në mënyrë të panevojshme.

Edhe ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, nuk ka ngurruar që edhe një herë ta shfaq përkrahjen e saj për “Zgjoin”, duke e ripostuar një fotografi nga premiera amerikane e filmit, ku ishte e pranishme edhe vet këngëtarja, të shoqëruar me mesazhin: “ZGJOI është një film i bukur që tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar. Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli – është një frymëzim. ZGJOI morri shumë çmime në Sundance dhe bast im është që Basholli do të shtojë një ‘Oscar’ në koleksionin e saj”, shkruan Lipa.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

Vitin e kaluar, “Zgjoi” bëri histori në kinematografi kur në më të madhen ngjarje amerikane të llojit të vet, “Sundance Film Festival”, i fitoi tri shpërblimet kryesore: “Çmimin e jurisë”, “Çmimin e publikut” dhe “Çmimin për regji” në kategorinë “World Cinema Dramatic”. Tutje rrugëtimin e ka vazhduar me suksese tjera duke marrë edhe shumë shpërblime prestigjioze nëpër festivale anembanë botës. “Zgjoi” po ashtu ishte filmi më i shikuar gjatë vitit 2021 në vendin tonë duke vendosur rekord të shitjes së biletave.

Në filmin 1 orë e 24 minuta aktorja Yllka Gashi sublimon 22 vjet të Fahrije Hotit, që është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me paragjykime. Përveç Gashit në film luajnë edhe aktorët: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.

Filmi i shkurtër “Pa vend” vazhdon triumfin nëpër festivale prestigjioze

Një tjetër projekt kosovar që e ka gëzuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm nëpër festivale, dhe po vazhdon ende të shënojë suksese me fitimin e çmimeve prestigjioze është filmi i metrazhit të shkurtër i regjisorit Samir Karahoda, “Pa Vend”. Ky projekt mori çmimin e jurisë për filma të shkurtër në festivalin më të madh të pavarur në SHBA, “Sundance Film Festival”.

“Dua të theksoj se me këtë sukses të radhës misioni ynë kreativ për temën të cilën e kemi trajtuar përfundon pasi që nuk ka më diçka më të madhe se kjo. Prandaj lus institucionet që të përshpejtojnë procesin e ndërtimit të sallës së sporteve në Prizren që ata talente të ushtrojnë, të zhvillohen dhe të arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, ka thënë Samir Karahoda në një deklaratë për KOHËN.

“Pa vend” triumfoi edhe në festivalin tjetër prestigjioz atë në Trieste ku e fitoi çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër”. Regjisori Karahoda nuk qe i pranishëm në ceremoni për ta pranuar shpërblimin, por këtë në vend të tij e bëri regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila tha se Kosova kishte një vit të mrekullueshëm kinematografik më 2021. Edhe filmi i ri i Krasniqit, “Vera andrron detin”, u prezantua në kuadër të këtij festivali duke u shfaqur jashtë konkurrencës.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Rrugëtimi i “Pa vend” ka qenë që në fillim i suksesshëm. Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë.

Edhe një çmim për filmin e Norika Sefës, “Në kërkim të Venerës”

Rrëfimi tjetër i sukseseve të kinematografisë kosovarë është, “Në kërkim të Venerës”, nën regji të Norika Sefës i cili po ashtu triumfoi në edicionin e 33-të të festivalit ndërkombëtar të filmit në Trieste, duke e fituar çmimin “Cineuropa” për filmin më të mirë të gjatë artistik.

Regjisorja ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, e cila me të dal në skenë për ta pranuar çmimin tha se është shumë falënderuese për vlerësimin që i është bërë filmit të saj.

“Kjo do të thotë shumë për mua. Jam shumë e gëzuar për këtë çmim që na jep një shtysë të madhe për filma dhe kjo është ajo që ne duam të bëjmë. Faleminderit shumë. Ishte një javë e mrekullueshme”, ka deklaruar Sefa.

“Në kërkim të Venerës”, që në rolet kryesore i sjell aktoret e reja, Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj, e përcjell përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re, Dorinën. Ky përjetim e bën atë të marrë guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.

Në film, gjithashtu, luajnë aktorët: Basri Lushtaku, Erjona Kakeli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, Bleon Monolli dhe të tjerë.

Para një viti, “Në kërkim të Venerës” bëri që për herë të parë në historinë e Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës, një projekt kinematografik nga Kosova të përfshihet në garën zyrtare. Vulosi edhe një sukses tjetër, kur u bë i pari që u shpërblye në këtë festival. Gjatë rrugëtimit të tij shënoi edhe shumë suksese tjera ndërsa nga 20 janari po shfaqet edhe në kinematë e vendit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *