Depozitat bankare arrijnë rekordin e 10 mld eurove në 2021
Pandemia ka nxitur individët dhe bizneset të kursejnë përmes depozitimeve në banka. Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë niveli i depozitave bankare arriti në rreth 10 miliardë euro, duke shënuar rritjen më të lartë historike të regjistruar ndonjëherë. Rritja e llogaritur gjatë pandemisë është rreth 860 milionë euro.
Depozitat bankare kanë shënuar një tjetër rritje të ndjeshme gjatë vitit që lamë pas duke arritur shifrën e 1.22 trilionë lekëve ose rreth 10 miliardë eurove. Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kjo është vlera më e lartë historike e regjistruar ndonjëherë në vend.
Sipas të dhënave zytare, gjatë vitit 2021 kursimet në banka u rritën me 9.4% ose gati 860 milionë euro krahasuar me vitin 2020, ndërkohë rritja më e madhe është shënuar në vitin 2011 kur depozitat u shtuan me 11.5% ose rreth 1 miliard euro.
Dhjetori i vitit të kaluar ka regjistruar gjithashtu një rekord të kursimeve duke arritur shifrën e 553.1 mld lekëve, nga 517 mld lekë që ishte në vitin 2020.
Sipas treguesve të Bankës së Shqipërisë rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit pasi në periudhën 2017-2018 u shënua një rënie e ndjeshme.
Gjatë vitit pandemik kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në vitin 2021 është valuta ajo që ka udhëhequr rritjen. Sa i përket depozitave në valutë 2021-shi u mbyll me 663 mld lekë, në rritje me rreth 11%, ndërsa ato në lekë me 6.3%. Valuta mbetet monedha më e preferuar për të kursyer, e ndikuar dhe nga prurjet e emigrantëve.
Duket se e ardhmja e pasigurt po nxit individët, bizneset dhe institucionet të lënë para mënjanë për kohë të vështira. Një sjellje e tillë konsumatore e individëve, sipërmarrësve për të rritur kursimet është vërejtur që prej fillimit të pandemisë.
Rruga Press