Shqipëria, vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore.
Të paktën 507 persona kanë rënë pre e trafikimit të qenieve njerëzore në periudhën kohore, 2015-2019, në vendin tonë. Shqipëria cilësohet si vend origjine i trafikimit, ku mes shifrave, të paktën 279, janë fëmijë.
Destinacioni i tyre, kryesisht, është Europa dhe vendet fqinje, me qëllim prostitucionin apo nxjerrjen në rrugë për lypje. Më të riskuar nga ky fenomen mbeten anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Mungesa e mbështetjes ndaj këtyre personave rrit edhe më tepër mundësinë e trafikimit.
“Problemi është shqetësues, është pasqyrim i realitetit në Shqipëri, për këtë arsye fenomeni nuk luftohet vetëm me masa represive, por duhet të luftohet me përmirësim të shërbimeve thelbësore, për kushtet e jetesës, strehim, punësim, arsim”, thotë Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Viktimat që bien pre e trafikimit të qenieve njerëzore nuk arrihet t’u sigurohet mbrojtje ligjore. Ky boshllëk, sipas juristëve, vjen si pasojë e mungesës së përvojës në radhët e avokatëve që përcaktohen nga gjykata.
Për ta përfituar këtë ndihmë, ligji parashikon që viktima duhet t’i drejtojë një kërkesë gjykatës. Sot, asnjë nga avokatët e vendosur në listë nuk kanë përvojë apo kurrikul të pasur me pjesën e ekspertizës për përfaqësimin e viktimave”, thotë Milaim Demnushaj, jurist, organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”.
Raporit i tërheq vërejtje Shqipërisë edhe për mosndëshkueshmërinë e trafikuesve. Ndonëse, të njëjtin problem kanë edhe vendet e tjera, në vendin tonë juristi thotë se ka ndikuar ngërçi në sistemin e drejtësisë.
Si vend destinacioni, Shqipëria ka pritur 28 persona, pjesë e trafikimit të qenieve njerëzore përgjatë viteve 2015-2019. Në rritje, është edhe trafikimi i brendshëm i fëmijëve që shfrytëzohen për lypje, kryesisht në sezonin turistik.
Rruga Press