Pse Gjermania nuk dërgon armatime në Ukrainë?
Refuzimi i Gjermanisë për të dërguar armatime në Ukrainë ka shkaktuar konfuzion dhe irritim të disa aleatëve.
Por, arsyet pse superfuqia Evropiane po qëndron e tërhequr janë historike dhe komplekse.
Një nga arsyet kryesore është një nga betejat më brutale të Luftës së Dytë Botërore, e ndodhur në një fushë të madhe në lindje të Berlinit.
Ishte pranvera e 1945, kur Hitleri po fshihej në një bunker në Berlin ndërsa trupat e tij ishin duke u tërhequr.
Forcat sovjetike po avanconin në kodrën e quajtur Seelows, ndërsa gjermanët kishin marrë pozicion mbrojtës.
Beteja ishte një nga më të përgjakshmet. Sovjetikët përshpejtuan fundin e luftës por 30 mijë ushtarë u vranë.
Ajo është ngulitur thellë në historinë e Gjermanisë dhe në mendjet e shumë gjermanëve.
Terrori i shekullit të XX ende ndikon në politikën e jashtme të Gjermanisë edhe sot.
Një sondazh tregon se shumica e gjermanëve besojnë se negociatat diplomatike është rruga më e mirë për të zgjidhur konfliktin.
Trupat gjermane vetëm në raste të veçanta marrin pjesë në aktivitet ushtarake përveç misioneve paqeruajtëse.
Ata kanë qenë kontraversalë në ngjarjet e Ballkanit në vitet ’90 si dhe së fundmi në Afganistan.
Arsyeja tjetër historike pse Gjermania refuzon të dërgojë armë në Ukrainë është se nazistët kanë vrarë miliona njerëz në Ukrainë dhe Rusi.
Politika gjermane është se eksporti i armëve i nxit konfliktet dhe nuk ndikon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Situata në kufirin e Ukrainës po teston koalicionin e ri qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, i cili mendonte se pandemia do të ishte një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së tij.
Ai ndodhet në presion nga aleatët ndërkombëtarë që të ndryshoi qëndrim që Gjermania ka mbajtur deri tani.
Në koalicionin e tij bëjnë pjesë Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë duke premtuar rregulla strikte për eksportin e armëve.
Deri tani i ka rezistuar presionit – edhe nga brenda qeverisë – për të dërguar armë në Kiev.
Scholz është shprehur i gatshëm për të paguar në fushën e ndihmës mjekësore, për të mjekuar ushtarët e plagosur në Gjermani dhe ka dërguar 5 mijë helmeta në Ukrainë.
Angela Merkel bashkë me presidenti francez, Macron arritën marrëveshje për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë në bisedimet e njohura si “Normandy format”.
Gjermania dhe Franca janë ndërmjetësues thotë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Nils Schmidt dhe dërgimi i armëve në Ukrainë do ta dëmtonte këtë rol.
Kancelari Scholz mund të mos ketë pushtetin e Merkel mbi Putin por për shkak të historisë marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë nuk janë si me vendet e tjera Perëndimore.
Qindra kompani gjermane bëjnë biznes në Rusi. Shumë gjermanë – përfshirë Merkel – janë rritur pas Murit të Berlinit duke mësuar rusisht në shkollë.
Aftësia e saj për të komunikuar rregullisht me Putin ndërsa të tjerët nuk arrinin, shpesh i atribuohet eksperiencës së përbashkët në komunizëm.
Ajo që po zemëron më shumë botën por edhe një pjesë të gjermanëve është se pse Scholz nuk po luan kartën më të mirë që ka.
Gjermania dhe Rusia janë të lidhura me gazsjellësin Nordstream 2, që kur të vihet në punë do të dyfishojë sasinë e gazit rus që vjen në Evropë përmes Gjermanisë.
Kancelari Scholz është në presion që të pezulloi projektin si sanksion kundër Rusisë. Këtë nuk e ka bërë dhe kjo shihet si një sjellje për interesa të ngushta të Gjermanisë.
Scholz është shprehur se nëse Rusia pushton Ukrainën të gjitha opsionet janë në tavolinë, përfshirë dhe gazsjellësi. Por kjo sjellje e qetë e tij ka shkuar shumë larg duke rrezikuar që të gjykohet në fund si i “shkathët” ose si “i dobët”.
Ndërkohë që Vladimir Putin teston nervat e Perëndimit, Gjermania ndodhet përpara pyetjeve fondamentale për rolin e saj paqësor.
Thirrjet për t;i dhënë fund erës Merkel dhe që Gjermania të marrë një rol më substancial ushtarak në botë po rriten.
Vizitorët në kodrat Seelow, që imagjinojnë vërshëllimat e raketave Katjushka dhe britmat e ushtarëve që po vdisnin, do të kuptojnë se Gjermania e di shumë mirë çfarë rrezikon duke u pozicionuar keq./euronews.al/
Rruga Press