Lajme

Valë problemesh në Bibliotekën Kombëtare, këshillat jo efektivë dhe krizë hapësirash, amortizimi i ndërtesës risk për zjarr e përmbytjet, ja raporti

Problemet në Bibliotekën Kombëtare janë të shumta, duke nisur nga kriza e hapësirave për librat tek mungesa e hapësirave për lexuesit, fondi i vlerave të rralla nën risk të lartë, etj. Biblioteka Kombëtare vijon të mbetet në të njëjtat kushte. Nga Kontrolli i Lartë të Shtetit në auditimin për periudhën e viteve 2018-2020, thuhet se shërbimi i kufizuar për anëtarët e Bibliotekës Kombëtare lidhet jo vetëm me situatën e krijuar pas dy incidenteve të sipërpërmendura, (zjarrin dhe përmbytjen), por dhe me krizën e theksuar të hapësirave për depozitimin e fondeve (në tre katet e nëndheshme) të materialeve bibliotekare, si libra, revista, gazeta etj. “Aktualisht për këtë qëllim sipërfaqja është 1,560 m² kur në fakt sipas perimetrave të sigurisë asaj i nevojitet një sipërfaqe prej rreth 12,000 m²: 8 herë më shumë)”, thuhet në raport. Në dokumentin e KLSH, ndër të tjera shprehet se mungesa e investimeve ka sjellë dhe mosfunksionim të sallave në dispozicion të lexuesve.  Sipas KLSH, vlen të theksohet fakti se me gjithë kërkesat e vazhdueshme të BK në domosdoshmërinë për ngritjen e një godine të re bashkëkohore për vitet 2018 e në vazhdim nuk rezulton të jenë përcaktuar fonde buxhetore konkrete nga MK, referuar dhe objektivit të strategjisë së MK 2019-2025 për një projekt të ri godine me standarde bashkëkohore.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

“Mungesa e fondeve buxhetore, veçanërisht të fondeve për investime ka sjellë mosfunksionimin e një pjese të hapësirave të shërbimit ndaj lexuesve, të cilat janë përdorur për mbajtjen e kutive me libra, jashtë çdo standardi të ruajtjes së tyre nga lagështira dhe zjarri. Nga auditimi u konstatua se godina ku zhvillon aktivitetin institucioni rezulton pa status juridik të pronësisë”, thuhet nga KLSH.

Situata e njëjtë

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) shprehet se në Bibliotekën Kombëtare risku është i lartë si për rënien e zjarrti ashtu dhe për përmbytjen e katit të parë. Po sipas këtij raporti asgjë nuk ka ndryshuar nga auditimi i bërë vite më parë. “Ajo që është shqetësuese është se edhe sot pas 6-vitesh nga auditimi i fundit situata vazhdon e njëjtë dhe më problematike pasi sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë amortizohet ndërtesa, duke sjellë një risk të lartë si në rënien e zjarrit ashtu edhe në përmbytjen e katit të parë, ku ruhet edhe fondi i vlerave të rralla, që për vetë rëndësinë që ai ka do të ishte “katastrofë kombëtare” humbja e tij”, thuhet nga raport. Për KLSH-në ajo që përbën problem serioz është sidomos mungesa e hapësirave dhe kushteve në të cilat ruhet sot fondi i vlerave të rralla. “Që prej vitit 1986 është ndjerë mungesa e hapësirës për të vendosur materialet bibliotekare në fond, çfarë ka detyruar që jashtë çdo standardi botëror të gjenden zgjidhje provizore të natyrave të ndryshme:  Materialet bibliotekare nuk vendosen në rafte, por në dysheme; Fondi i vlerave të rralla (antikuar dhe dorëshkrime) vendoset pjesërisht në arka metalike jashtë çdo normative e standardi ndërkombëtar”, thuhet në dokumentin e KLSH. Probleme me godinën, por sipas KLSH edhe këshillat nuk kanë qenë efektivë. “Këshilli Shkencor dhe Këshilli Administrativ i Bibliotekës rezulton të kenë qenë joefektivë, duke mos përmbushur detyrat e tyre funksionale”, thuhet nga KLSH. Auditimi “Efektiviteti i aktivitetit të Bibliotekës Kombëtare”, nga KLSH ka mbuluar periudhën 2018- 2020. Në vitin 1966 Biblioteka Kombëtare u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Rruga Press

YouTube player