Opinion/Aktualitet

“Spin doctorat* e mjerë dhe injorantë”

Shkruan Sebastian Zonja

Një raport i rëndësishëm i ditëve të fundit, i universitetit amerikan “John Hopkins” dhe institutit “Woodrow Wilson”, ndoshta i vetmi që financohet nga Kongresi amerikan për çështje specifike, kaloi pa vëmendjen e duhur mediatike, sepse “spin doctorat” zgjodhën ta kalonin me një fjali: ata që duan bashkim kombëtar do penalizohen nga Amerika.

I emërtojmë “spin doctor” për ta bërë artikullin të ngjajë si europian, se në shqip do të thotë “propagandist”. Ne i quanim sigurimsa, ju andej i quanit udbasha. Është ai apo ajo që dikur shkonte në mbledhje partie e takimet e Sigurimit të Shtetit për të marrë direktivat. Edhe sot bën po të njëjtën gjë, kundrejt pagesës, zellit vullnetar për spiunim, internacionalizmit yllkuq… veçse i kemi vënë një emërtesë perëndimore – “Spin Doctor”.

Dhe, meqë kombi shqiptar është unifikuar mediatikisht dhe në kriminalitet, propagandistët e partisë e kishin të thjeshtë ta bënin kryelajm protalesh këtë “scoop”, e të linin jashtë vëmendjes se paqja ballkanike varet nga hyrja e Kosovës në NATO dhe njohja e saj prej katër vendeve evropiane që s’ja njohin pavarësimin nga Serbia.

Sigurisht, vend qendror zë edhe funksionalizimi i shtetit të së drejtës, ku ata që kanë vjedhur e abuzuar me fondet publike, të japin llogari përpara ligjit.

Lexo më shumë  Kurti: Ekziston një frikë e ankth në Evropë nga kthimi i mundshëm i Trumpit

Universitetet dhe Think Tanket, apo siç mund t’i quajmë në shqip edhe Institute, në Amerikë e gjetkë, paguajnë me miliona dollarë honorare te studiues të ndryshëm anekënd botës për tema specifike. Për shembull, dy nga institutet më të mira në botë, “Hoover” dhe “Brooking”, paguajnë mbi 300 milionë dollarë honorare në vit për raportet, esetë, studimet dhe artikujt që botohen në faqen e tyre zyrtare. Prej aty, janë me qindra portale, universitete dhe kolegje që i marrin për t’i studiuar dhe lexuar.

Për të parë kahjen e politikave të sigurisë, asaj të jashtme, politikave energjitike amerikane … është tejet e rëndësishme që të lexohen me vëmendje këto raporte dhe studime.

Së fundmi, një grup studiuesish (Edward P. Joseph, Udhëheqësi, SHBA; Dr. Branislav Radeljic, Serbi; Dr. Lulzim Peci, Kosovë; Dr. Iulia Joja, Rumani; Jan Cingel, Sllovaki; Pol Vila Sarria, Spanjë) publikuan një raport prej 67 faqesh mbi problemet e Ballkanit.

Aty thuhet dhe vihet theksi se njohja e Kosovës nga Greqia fqinje, Sllovakia, Rumania dhe Spanja është një hap i rëndësishëm për qetësimin e rajonit, ndërsa vijon me anëtarësimin e shetit të ri shqiptar në aleancën veriatlantike të NATO-s.

Lexo më shumë  Qe dy vjet Kuvendi i Shqipërisë s’e fut në agjendë draftrezolutën për gjenocidin në Kosovë

Studiuesit janë të shqetësuar për rritjen e ndikimit të fuqisë ruse dhe asaj kineze në rajon. Fuqizimi i nacionalizmave dhe politikave identitare është një instrument në duart e propagandës ruse, sipas studiuesve.

Dekada më parë, situata do të bëhej shpërthyese në ish-Jugosllavi pikërisht me këto instrumente. Sot, këto instrumente po përdoren sërish. Qëllimi?

Edhe pse raporti është i matur dhe plot me fakte, sërish, arrin të kuptosh se vatra e tensionit është fqinji serb që ka probleme me shtetin e së drejtës dhe përdor ligjërmin shovinist për të ruajtur hegjemoninë rajonale, ku herë pas here shfaqen tensione ballkanike.

Ju ftoj ta lexoni vetë këtë raport të rëndësishëm, sepse “spin doctorat” janë shumë të vëmëndshëm që të “nxjerrin” nga gjithë ky raport vetëm atë fjalinë se do të penalizohen nga amerikanët ata që flasin për Bashkim Kombëtar!

E kuptoni vetë se kush janë. S’ka nevojë për shumë shpjegime, besoj!

https://ac594fe2-a8ef-4a25-a40c-8acd006ea1a4.filesusr.com/ugd/b976eb_85d92af4cac34099ab48b4152d2530a1.pdf?fbclid=IwAR0zWRLivi9sMoK0Q0SeV5V9JWnjNAMgFYVJKcsBOqC2dkxXq6SVSYeBLow

Rruga Press

YouTube player