BallinaLajme

Dhjetori i përgjakur! Në 17 ditë, 8 viktima, krimi s’fle as para festave…

 Ndërkohë që e gjithë vëmendja e njerëzve është fokusuar të pandemia e Covid-19, krismat e kallashnikovit nuk kanë ndaluar këtë dhjetor. Edhe pse jemi vetëm 12 ditë nga festat e fundvitit dhe një javë larg Krishtlindjes, krimi nuk fle dhe herë nga pakujdesia, herë në mënyrë të mirëorganizuar e herë në degradim e sipër merr jetë njerëzish, kryesisht të rinj…ndryshe nga koronavirusi që sulmon ‘të dobëtit’. Fiks në datën 1, ky dhjetor u nis i përgjakur nga qyteti i bukur bregdetar i Vlorës, por atë mbrëmje s’do të ishte njësoj për Beniaminin, që do të numëronte orët e fundit të jetës.

E prisnin pas pemëve, si u vra Beniamini në Dukat të Vlorës, problemet me drogën dhe burgu në Itali

Beniamin Bozhanaj

Beniamin Bozhanaj, 27 vjeç i sapo kthyer nga Italia, ku kishte vuajtur dënimin për trafik droge u ekzekutua me 22 plumba kallashnikovi. Dy autorët, e prisnin të fshehur pas pemëve në Dukat, dhe në momentin që shënjestra e tyre është shfaqur ‘janë hedhur’ në sulm. Sapo kishte lënë të dashurën në shtëpinë e saj, i riu po kthehej me makinën e tij kur iu zu prita. Për një orë e gjysmë, ai qëndroi i vdekur në mjet, deri kur në orën 21:30 banorët e fshatit e pikasën dhe lajmëruan policinë. Për këtë ngjarje, nuk ka ende një autor apo të arrestuar, ndërkohë që e vetmja pistë ku janë bazuar hetuesit është ajo e larjeve të hesapeve të drogës që i riu mund të kishte në vendin fqinj ose në Shqipëri.

Xhulio Prela, efektivi që iu pre rruga nga Rinasi, nuk nxorri dot armën nga brezi

Xhulio Prela

26-vjeçarit, me detyrë efektiv i Policisë së Shtetit pranë repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, iu pre rruga teksa po kthehej në Lezhë, pasi la në aeroportin e Rinasit, të afërmin e tij, Pjetër Gavoçi. Një makinë i doli para Prelës dhe i bëri shenjë që të ndalonte. 26-vjeçari duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë person që i kërkoi ndihmë, ndaloi dhe hapi xhamin e makinës. Menjëherë ekzekutori veproi duke e lënë të vdekurit. Prokuroria ka identifikuar të dyshuarit kryesorë për ngjarjen, pasi e gjithë skena është filmuar nga një kamerë sigurie por që ende nuk janë zbardhur identetet e tyre. Mister kanë ngelur edhe shkaqet e vrasjes. Fillimisht u raportua se bëhej fjalë për një atentat të mirëfilltë pasi Prela kishte borxhe dhe autorët kishin informacione të brendshme për të ditur me saktësi vendodhjen e Prelës. E dyta u raportua si grabitje, por kjo e fundit u hodh poshtë, duke qenë se të ndjerit nuk iu mor asgjë nga mjeti apo sendet personale. Personi që e pa për herë të fundit tha se nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë e ndërsa familjarët presin drejtësi.

Vrasja e Klodian Rashës, krimi që hëngri kokën e Lleshajt dhe shkatërroi jetën e një efektivi

Klodian Rasha dhe Nevaldo Hajdëraj

Pas ngjarjes së Prelës, dhjetori do të pasohej nga një tjetër krim me efektivë të përfshirë por këtë herë, nuk do të ishte ai viktima. Mesnatën e 8 dhjetorit, kur Klodian Rasha, 25 vjeç kishte thyer rregullat e orës policore, do të pikasej nga dy efektivë të forcave “Shqiponja”. Nevaldo Hajdëraj, një efektiv 26-vjeçar u përplas me Rashën dhe përfundoi duke e vrarë atë me një plumb në shpatull. Por si ndodhi krimi që ngriti në këmbë për ditë me radhë të gjithë Shqipërinë? Vetë efektivi që ndodhet tashmë pas hekurave ka rrëfyer se situata i ka dalë nga kontrolli pasi kishte menduar se 25-vjeçari kishte armë. Edhe kolegu i tij, që ishte me të në momentin e patrullimit tregoi se dëgjuan një zhurmë si mbushje arme dhe për këtë arsye qëlloi. Plumbi në shpatull dhe rënia në tokë duke dëmtuar kokën, i morën jetën të riut. Kjo ngjarje revoltoi të gjithë Shqipërinë dhe për ditë me radhë pati protesta ku u kërkua dorëheqja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Edhe pse pse kjo kërkesë u plotësua, protestuesit kërkuan kokën e Ardi Veliut, kërkesë që kryeministri Edi Rama ua preu shkurt, kur tha se edhe nëse do të dilnin 500 mijë vetë në shesh, nuk mund të ndodhë.

Lexo më shumë  Ish-presidenti shqiptar për sulmin në Banjskë: Dihet botërisht që u organizua nga Beogradi

Tre ditë të pajetë në kanal, krimi kaloi në Maliq

Vëllezërit Olldashi

Ndërkohë që sheshet në qytete të ndryshme të Shqipërisë zienin nga revolta, krimi s’do të ndalej. Këtë herë mori dy vëllezër. Andi dhe Martin Olldashi, respektivish 33 dhe 31 vjeç u gjetën të vrarë me armë zjarri në një kanal në fshatin Zvërinë të Maliqit, ku kishin qëndruar prej tre ditësh të pajetë. Të ekzekutuar me katër plumba, dy vëllezërit nuk ishin persona të panjohur për Policinë e Shtetit. Të dy akuzoheshin për vjedhje banesash dhe vendosjen e tritolit të lokalit të ish-futbollistit, Gjergji Leka, në qytetin e Pogradecit. Dy vite më parë, dy vëllezërit tentuan që t’i vinin gjobë, duke i kërkuar 4 mijë euro, të cilat ish-futbollisti nuk ia ka dhënë. Kështu që vëllezërit kishin vendosur që t’i hidhnin në erë biznesin duke përfunduar në pranga. Gjithsesi deri më tani, edhe për këtë ngjarje nuk ka asnjë të arrestuar.

Anton Keli u vra me tre plumba, saga e hakmarrjeve mes dy familjeve në Rrëshen që nuk ndalet

Anton Keli

Anton Keli, 51 vjeç, u qëllua mbrëmjen e 16 dhjetorit në Rrëshen. Ai ishte kushëriri i Tonin dhe Preng Gjinit, dy persona që rrjedhin nga një familje që prej vitesh është në hasmëri me fisin Reçi. Edhe kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sagën e hakmarrjeve por vetë familja Reçi është tërhequr duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë ekzekutim. Keli jetonte jashtë shtetit bashkë me familjen, por erdhi në Shqipëri për të takuar të ëmën për festat e fundvitit, që nuk arriti t’i priste. Burime nga grupi hetimor thanë se mënyra e ekzekutimit dhe largimit nga vendi i ngjarjes janë tipike të një skeme ekzekutimi me porosi. Policia e Shtetit ka shoqëruar dhjetra persona, por asnjëri prej tyre nuk është i dyshuar për ngjarjen. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, të cilat janë pranë vendit të ngjarjes, por viktima e kishte makinën të parkuar pranë pallatit, dhe në këtë vend, nuk është mundur të filmohet asgjë. Por, kamerat kanë fiksuar momentet kur viktima ka shkuar i plagosur për të kërkuar ndihmë në marketin e Petrit Reçit, i cili tha se nuk ka dëgjuar të shtëna. Pavarësisht sagës së hamarrjes mes dy fiseve Gjini-Reçi, këta të fundit janë distancuar nga ngjarja, duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë krim.

Lexo më shumë  Rrëfimi i dy paraguajanëve që mahniten me sakrificën e familjes Jashari kur vizitojnë Prekazin

Sherri që degradoi në vrasje, Polovina i pagoi qiranë Gunelit me 46 kg mish derri dhe i mori jetën

Ajet Guneli

Por, ende pa kaluar 48 orë nga kjo ngjarje, automatiku do të zhvendosej në Berat, këtë herë buzë liqenit të fshatit Gjuraj në Berat. Autori i vrasjes, Vangjel Polovina ka zbrazur një karikator të tërë mbi trupin e viktimës, Ajet Guneli. Dosja.al mëson se autori dhe viktima, ishin ulur të dy bashkë për të pirë kafe në lokalin pranë liqenit të fshatit Gjuraj në Berat. Të dy, kanë debatuar fillimisht pasi Polovina kishte shkuar të kërkonte llogari nga Guneli, sepse pretendonte se ky i fundit e shante dhe e ofendonte çdo ditë. Të dy kishin edhe debate mbi qiranë e stallës së derrave që Polovina i kishte marrë Gunelit. Pas debatit, dyshja janë përleshur fizikisht, ndërsa më pas gjithçka ka agravuar në përdorimin e armëve. Polovina ka nxjerrë kallashnikovin dhe ka qëlluar plot 20 herë në drejtim të Gunelit duke e bërë shoshë e duke e lënë të vdekur. Tashmë autori i krimit është pas hekurave dhe ka deklaruar se nuk i kishte asnjë lekë borxh viktimës, madje i kishte dhënë 46 kg mish derri që korrespondonin me qiratë që s’i kishte paguar ende. Polovina ka nxjerrë dhe mesazhet me viktimën ku shihej se Guneli e kishtë kërcënuar me fjalët: Do të të heq qafe!

Dolën për gjueti, i riu vret shokun, s’e dalloi nga mjegulla dhe i dëgjon rënkimet e fundit

Rifat Xheleshi

Në të njëjtën ditë më 17 dhjetor, do të përsëritej skena e një muaji më parë. Rifat Xheleshi dhe Gentian Kosiqi dolën ditën e djeshme për gjueti mbi fshatin e lindjes, në Maqellarë në vendin e quajtur “Malet e Obokut”. Xheleshi, 18 vjeç, nga pakujdesia dhe nga mjegulla e dendur në zonë qëlloi me çifte shokun e tij, 27 vjeç duke e plagosur rëndë. gjakderdhj e shumtë bëri që i riu të vdiste pa marrë ende ndihmën e nevojshme mjekësore. I riu është shfajësuar se në momentin që ka shtënë me çifte nuk e ka parë bashkëfshatarin Kosiqi, pasi kishte mjegull të dendur dhe rrëfeu fjalët e fundit që kishte shkëmbyer me viktimën. “Dallova se në një shkurre përballë meje po lëvizte diçka. Mbusha armën dhe qëllova. Në fakt mjegulla nuk më lejonte të dalloja çfarë e lëvizte shkurren disa metra larg meje. Brenda pak sekondash dëgjova thirrjen e Gentianit: ‘Mos, mos, se më vrave’. Hodha armën dhe mbërrita shpejt pranë shokut. Gati më ra të fikët kur pashë Gentin të plagosur,”– tregon ai para grupit hetimor, por asgjë nuk ia kthen më pas shokun. /Dosja.al/

Rruga Press

YouTube player