Vala e dytë, si po përshtatet fasoni
Në muajin tetor, pjesa më e madhe e fabrikave të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve ka punuar me gjysmën e kapacitetit, për shkak të rikthimit të masave kufizuese për përballimin e pandemisë në ekonomitë më të mëdha të Europës, në të cilat shiten mallrat “Made in Albania”. Muajt në vijim do të jenë edhe më të vështirë për shkak të agresivitetit të valës së dytë të pandemisë, teksa shpresat për frenimin e saj, nëpërmjet një vaksine në pranverë, janë të zbehta.
Nën presionin e mbijetesës, shumë kompani janë duke gjetur shpëtimin, por njëkohësisht janë duke vënë bazat për një fillim të ri, që i siguron fasonit zhvillimin e qëndrueshëm në afat të gjatë. Kriza mund të zgjidhë dy probleme themelore, diversifikimin e prodhimit dhe gjetjen e partnerëve të rinj tregtarë, duke u zhvendosur nga monopoli i Italisë.
Sipas të dhënave nga tregu, deri më tani, 37% e fabrikave kanë diversifikuar prodhimin nga këpucët dhe veshjet te furnitura për spitalet të tilla si maska, veshje njëpërdorimshme për mjekët, etj. Zhvillime të tjera pozitive lidhen me zhvendosjen e shitjeve nga Italia drejt vendeve të tjera perëndimore si Gjermania, Britania, Franca dhe deri në Japoninë e largët.
Ndonëse me vlerë më të ulët, eksportet drejt këtyre shteteve janë rritur me ritme dy dhe treshifrore. Këto përvoja do të shtrojnë rrugën për kontrata të qëndrueshme dhe në afat të gjatë me këto vende, duke ulur ekspozimin ndaj krizave në Italinë fqinjë.
Tregtia me Italinë, me porosi të gatshme, e ka mbajtur industrinë në vendnumëro, pa mbyllur ciklin dhe pa rritur vlerën e mallrave, duke shfrytëzuar vetëm fuqinë e re punëtore të Shqipërisë. Gjatë 10-mujorit, 75% e eksporteve të fasonit shkuan në Itali. Kjo peshë, në të njëjtën periudhë gjatë vitit 2019 ishte 78%.
Varësia ndaj Italisë është parë gjithmonë si dobësi, pasi çdo krizë ekonomike në vendin fqinjë përçohej me shpejtësi edhe në vendin tonë. Pasiguria që ka krijuar pandemia po i zgjon nga rutina disa fabrika, të cilat kanë lidhur tashmë kontrata të qëndrueshme me vende të tjera. Disa kompani kanë lidhur kontrata edhe për eksport veshjesh mjekësore me SHBA dhe furnizim me këpucë për Japoninë. Me gjithë zhvillimet pozitive, pasiguritë janë të mëdha. Diversifikimi i prodhimit mund të jetë një investim i shkuar dëm, pasi pandemia është e përkohshme dhe kërkesa për furnizime mjekësore nuk prodhon siguri të biznesit në afat të gjatë.
Si çdo krizë tjetër, edhe kjo e pandemisë, përveç falimenteve po e çon industrinë fason drejt mundësive të reja. Florian Zekja, përfaqësues i Unionit të Fasonëve, tha se, shumë fabrika kanë transferuar një pjesë të prodhimit ose tërësisht prodhimin për veshje dhe maska. Duke qenë se shumica e kontratave të furnitorëve janë për spitalet publike, pagesat janë bërë në kohë dhe shumë shpejt, ndryshe nga sa ndodhte me privatët, kur ka vonesa. Zekja tha se shumë fabrika shqiptare kanë lidhur kontrata afatgjata për veshje mjekësore.
Kjo do t’u mundësojë atyre ta kapin këtë treg për një afat të gjatë, pasi shumë vende europiane, madje edhe SHBA, nuk e dëshironin më varësinë 100% nga Kina. Megjithatë, për disa fabrika, kriza nuk ka qenë një mundësi por fatalitet. Disa lojtarë të mëdhenj kanë pezulluar aktivitetin përkohësisht, ndërsa të tjerë po punojnë me 30-50% të kapacitetit.
“Tekstilet dhe këpucët”, grupi më i madh eksportues në vend, u tkurr në tetor me 2.1%. Për gjithë 10-mujorin, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë me gati 15%, duke shënuar ecurinë më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator. Përfaqësuesit e sektorit thonë se e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive nga një valë tjetër e virusit, që kanë ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.
Pas hapjes së ekonomisë, sektori fason nisi ta rimarrë veten nga dëmet që i shkaktoi mbyllja e kufijve, por me nisjen e kufizimeve në vendet e BE-së, efektet e rënies po ndihen përsëri, tha Edvin Prençe, kryetar i “Pro-Eksport Albania” (PEA). Sipas tij, aktualisht prodhimi ka rënë 65%. Gati gjysma e rënies së totalit të eksporteve në vlerë i përket grupit “tekstile dhe këpucë”.
Diversifikimi mes pasigurive dhe mundësisë, 37% e fabrikave u përshtatën
Kompania “Naber”, nga më të mëdhatë në vend në prodhimin e veshjeve për eksport, sapo kishte nisur të rimëkëmbej nga vala e parë e kufizimeve të pranverës. Tani po përjeton një tjetër krizë, fundi i së cilës nuk dihet. Nazmi Grori, i cili e zotëron prej vitesh këtë biznes, tha se pandemia ka krijuar shumë paqartësi dhe nuk dihet se si do të vazhdojë. Gjatë periudhës në vijim, situata mund të përkeqësohet me përshkallëzimin e kufizimeve. “Tentuam ta diversifikojmë industrinë, duke prodhuar maska.
Kjo pati sukses në valën e parë, por tani sistemi shëndetësor në Europë është i mbingopur me këto furnizime dhe nuk ka më kërkesë. Klientët tanë kanë raportuar rënie të shitjeve dhe për pasojë, porositë së fundmi janë reduktuar shumë” – tha zoti Grori. Për sa kohë që parashikimet për zgjatjen e pandemisë nuk janë të qarta, edhe ecuria e biznesit po kaq e paqartë do të jetë.
Efektet e karantinës së parë në punësim në sektorin fason u zbutën disi nga masat mbështetëse të qeverisë dhe politikat individuale të kompanive, por zgjatja pa afat e pandemisë dhe mungesa e paketave të ndihmës do të çojë në faliment pa kthim. Kompanitë e fasonit në zonën e Durrësit ishin të dobëta kur nisi pandemia, pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi jo pak pasoja në aktivitetin e tyre. Për shkak të madhësisë, shumë prej tyre e kanë konsideruar të pamundur diversifikimin e prodhimit, për shkak të kostove fillestare në teknologji.
Florian Zekja, nga Unioni i Fasonëve, thotë se, subjektet hezitojnë, pasi kjo periudhë nuk do të zgjasë dhe për rrjedhojë nuk mund të kryhen investime të mëdha në teknologji për të zhvendosur linjat e prodhimit për pajisje spitalore. Megjithatë, 37% e industrisë është përshtatur tërësisht dhe pjesërisht.
Zekja thotë se, riorientimi i industrisë së fasonit drejt pajisjeve spitalore ka dy anë pozitive. E para, pagesat janë të sigurta dhe jepen në kohë për shkak se klientët në Europë janë kryesisht entet publike. E dyta lidhet me faktin se Shqipëria mund të shndërrohet në një furnizues të përhershëm për disa klientë në Europë, të cilët ndihen të pasigurt për furnizimet nga Kina.
Gjatë karantinës në mars, spitalet në Europë u përballën me mungesa për shkak të bllokimit të transportit me Kinën, por Shqipëria arriti të plotësonte një pjesë të kërkesës shumë shpejt, për shkak të afërsisë gjeografike dhe faktit se aktiviteti i transportit ndërkombëtar dhe i fabrikave fason nuk u bllokua asnjëherë. Kjo përvojë pozitive i ka bindur klientët tanë në Europë se një pjesë e prodhimit duhet të mbahet brenda kontinentit. “Shumë nga ne po e shfrytëzojnë këtë mundësi” – tha Zekja.
Franca, Gjermania, Britania tregjet e reja, pas fillimit të pandemisë
Eva Laro, e cila drejton fabrikën e prodhimit të këpucëve “Prodyn”, një nga më të mëdhatë në vend, ka lidhur një kontratë me markën e njohur angleze të këpucëve “Clark”. Kompania angleze ka rritur porositë e prodhimit në Shqipëri, duke kompensuar disi rënien që erdhi nga partnerët tradicionalë me Gjermaninë.
“Ne, si kompani, po rrisim shkallën e ofrimit të ciklit të mbyllur të këpucëve me kompaninë ‘Clark’, e cila ka rritur urdhrat në kompaninë tonë” – tha zonja Laro.
Si pasojë e kësaj kontrate, eksportet e këpucëve me Britani arritën gjatë 10- mujorit vlerën e 132 milionë lekëve, me rritje 240% në raport me vitin 2019. Laro tha se, i njëjti model prodhimi është duke u negociuar edhe me një kompani të madhe të këpucëve sportive, por mbetet për t’u finalizuar në javët në vijim. Ajo tha se kontratat me klientët e rinj dhe diversifikimi kanë qenë të rëndësishme për të siguruar vazhdimësinë e biznesit.
Diversifikimi me përparëset mjekësore njëpërdorimshme, sipas saj, ka qenë një balancues i mirë në tre muajt e fundit, ku segmenti i këpucëve kishte një rënie të ndjeshme dhe biznesi rrezikonte vazhdimësinë. Gjatë 10-mujorit 2020, eksportet e tekstileve drejt Gjermaninë arritën në 6,1 miliardë lekë, rreth 49 milionë euro, duke u rritur me 25,5% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eksportet e tekstileve në Gjermani zunë 14% të totalit të shitjeve të veshjeve jashtë vendit. Teksa shihet një rënie me 16% e eksporteve në Itali. Eksportet e tekstileve drejt Italisë zunë 66% të totalit nga më shumë se 71% në 10-mujorin e vitit 2019. Pavarësisht rënies, Italia vijon të jetë partneri kryesor i Shqipërisë në eksporte, por pandemia i ka shtyrë eksportuesit të zbulojnë vende të reja, me fitime më të sigurta.
E njëjta tendencë është e vlefshme edhe për eksportet e këpucës. Për 10- mujorin shitjet e këpucëve në Itali ranë me 21%, ndërsa u rritën eksportet e këpucëve në Britani dhe Japoni, përkatësisht me 240% dhe 192%. Pandemia Covid-19 erdhi si një krizë e dyfishtë në fabrikat e këpucëve, pasi më parë, sektori ishte përfshirë në stoqe të mëdha të krijuara nga ndryshimi stilit të jetesës dhe prirjes për të konsumuar atlete në vend të këpucës klasike.
Këpuca më e goditur se veshjet, cikli i mbyllur edhe më shumë
Fabrikat e tekstilit e kishin më të lehtë për t’iu përshtatur kërkesës së re të pandemisë, pasi nuk nevojiteshim shumë investime në makineri dhe teknologji për të prodhuar në vend të veshjeve maska, por për fabrikat e këpucëve, përshtatja ka qenë më e vështirë. Investimi në makineri dhe mungesa e aftësive të punonjësve për të përpunuar tekstilin ka penguar fabrikat e këpucëve të kapin kërkesën e re. Veshjet e këmbës u goditën gjithashtu nga rënia më e madhe kërkesës gjatë karantinës.
Mbyllja me tre muaj në pranverë uli në mënyrë drastike kërkesën për këpucë e për rrjedhojë, magazinat janë të mbushura me mall, në pritje për t’u shitur. Situata ka sjellë rënie të porosive me 40%, tha Laro, nga kompania “Prodyn”. Si pasojë e këtyre vështirësive, eksportet e këpucëve gjatë 10-mujorit shënuan rënie shumë më të madhe se tekstilet. Në janar – tetor 2020 u eksportuan 38 miliardë lekë këpucë, nga 48 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2019, duke shënuar rënie me 25%. Eksportet e tekstileve shënuan rënie më të butë për 10–mujorin, me rreth 9%. Fabrikat me cikël të mbyllur u ndeshën edhe me më shumë vështirësi.
“Donianna”, një nga operatorët më novatorë të prodhimit të këpucës për tregjet e huaja, ka realizuar prej vitesh ciklin e mbyllur. Kompania kryente të gjitha proceset e prodhimit, nga modelet, prodhimi deri te gjetja e tregjeve, por pandemia po i rrezikon vijimësinë. Masat kufizuese të pandemisë kanë sjellë një goditje më të madhe për kompanitë që kryenin ciklin e prodhimit, për shkak të bllokimit të lëvizjeve, panaireve dhe aktiviteteve të tjera të promocionit.
Pandemia ka ndikuar negativisht kërkesën, duke nxitur prirjen e njerëzve për të kursyer. Frika e përballjes së mundshme me virusin Covid-19, i ka bërë njerëzit më pragmatikë në shpenzime, një pjesë e madhe e të cilave po i dedikohen shëndetit. Një pjesë e buxhetit që shkonte për veshje dhe për këpucë, tani shkon për ekzaminime mjekësore, ushqime, vitamina dhe ilaçe që mbrojnë shëndetin dhe forcojnë imunitetin. Kjo tendencë shihet edhe në tregtinë e produkteve farmaceutike, të cilat kishin shënuar rritje vjetore me më shumë se 40% në tetor.
Rikthimi i masave, shpresat për rikuperimin e humbjeve shtyhen më 2022
Ndërmarrjet e fasonit janë vënë në lëvizje për të mbijetuar, duke u përshtatur më kërkesën e re të pandemisë, mirëpo kontratat e reja janë të pamjaftueshme për të mbuluar rënien e menjëhershme me mbi 40-50% të krijuar në karantinë gjatë pranverës.
“Tekstilet dhe këpucët”, grupi më i madh eksportues në vend, u tkurr. Në tetor ato u tkurrën me 2.1%. Për gjithë 10-mujorin, eksportet e tekstileve e këpucëve ranë me gati 15%, duke shënuar ecurinë më negative në vlerë nga gjithë grupet e tjera dhe duke ndikuar në gjysmën e rënies për periudhën janar-shtator. Përfaqësuesit e sektorit thonë se e ardhmja mbetet e vështirë, për shkak të pasigurive që ekzistojnë nga një valë tjetër e virusit, që kanë ndikuar në tkurrjen e porosive nga partnerët e huaj, kryesisht atyre italianë.
Znj. Laro nga “Prodyn” tha se karantina ka ndikuar ndjeshëm te porositë, pasi ka stok në pikat e shitjes apo magazinat e klientëve. Në këtë stinë u ndie një rënie e urdhrave nga 30 deri në 50% sipas klientëve. Kjo situatë ishte parashikuar dhe e komunikuar nga klientët edhe më parë.
Në 6 muajt e ardhshëm, Laro pret përmirësimin e situatës, duke filluar nga shkurti 2021, por kjo lidhet me rritjet e urdhrave të punës me klientin “Clark” dhe jo me përmirësimin e shitjeve të klientëve ekzistues. Për zotin Grori nga kompania “Naber”, rikuperimi i humbjeve të krijuara do të mund të ndodhë në dy-tre vitet në vijim./Monitor