BallinaLajme

Guvernatori i BSH-së Genc Sejko: Ekonomia shqiptare humbi 50 mijë pune

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se “pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020”.

Duke folur në Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, Guvernatori Sejko është shprehur se krahasuar me vitin 2019, ekonomia shqiptare ka humbur rreth 50 mijë vende pune.

“Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar”, ka thënë Sejko.

Fjala e Guvernatorit Sejko në Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë

Është kënaqësi të hap punimet e Seminarit XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Për shkak të vështirësive dhe kufizimeve me të cilat po përballemi të gjithë ne, shkaktuar nga pandemia COVID-19, seminari i këtij viti organizohet virtualisht. Me kënaqësi shoh se jeni të gjithë mirë, dhe uroj që ju dhe familjet tuaja të jeni të sigurt dhe të gëzoni shëndet gjatë kësaj kohe të vështirë! Më vjen keq që nuk mundëm t’ju mirëpresim në Tiranë këtë dhjetor, e në të njëjtën kohë, ndihem mirë që, pavarësisht këtij ndryshimi të detyruar të formatit dhe në prani të shumë vështirësive me të cilat pandemia ka sfiduar secilin prej nesh, shoh sot një pjesëmarrje të gjerë nga bota akademike dhe bankat qendrore. E vlerësojmë interesin tuaj, duke e konsideruar atë si certifikatë të cilësisë dhe reputacionit të këtij aktiviteti. Kërkuesit tanë presin me kërshëri të dëgjojnë studimet tuaja dhe të diskutojnë me ju kërkimet që janë bërë në Bankën e Shqipërisë gjatë vitit 2020.

Ndihem mirë të shoh se pothuajse të gjitha materialet studimore të përzgjedhura, përfshirë dhe ato nga akademia, përqendrohen në tema praktike, të cilat janë të rëndësishme për formulimin dhe vendimmarrjen e politikave në bankën qendrore. Këto studime shërbejnë si themeli i të kuptuarit të fenomeneve ekonomike dhe financiare, dhe të ndërveprimit të politikave tona monetare, makro dhe mikroprudenciale me ekonominë. Falë kësaj kuptueshmërie dhe njohjeje të përmirësuar, Banka e Shqipërisë harton politikat që ajo ndjek, dhe zgjedh instrumentet e politikës për t’iu përgjigjur goditjeve të konsiderueshme negative që kanë ndodhur ndaj ekonomisë sonë.

Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.

Lexo më shumë  Të arrestuarit në Kosovë për mbishkrimet nxitëse në gjuhën serbe, pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi

Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm, pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia. Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia. Kredia për ekonominë po rritet (ajo u rrit me 6.3% në tremujorin e tretë të vitit 2020), kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t’i përballuar goditjet e raundit të parë. Ne jemi optimistë se aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, parashikimi ekonomik për të ardhmen shoqërohet nga një nivel i lartë pasigurie dhe rreziqe të kahut të poshtëm. Në periudhën afatshkurtër, këto rreziqe lidhen më së shumti me pasigurinë e vetë pandemisë, ashpërsinë e saj, kohëzgjatjen dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese. Në periudhën afatgjatë, rreziqet lidhen me dëmtimin afatgjatë mbështetur nga kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e brendshme, si dhe nga ndryshimi i mundshëm strukturor në ekonomi, si rezultat i sjelljes së ndryshuar të agjentëve ekonomikë. Ne jemi të sigurt se evidencat, analizat dhe parashikimet e bazuara në punën kërkimore do të ofrojnë informacionin e saktë dhe në kohë për orientimin dhe koordinimin e politikës.

Puna kërkimore në fushat e politikës monetare, stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes bankare, gjithmonë ka dominuar në temat e këtij seminari. Këtë vit, COVID-19 hyri me forcë në agjendë. Goditja dhe efektet negative që shkaktoi në ekonomi dhe në politikat e bankës qendrore kanë qenë përtej të kuptuarit. Autoritetet hasin vështirësi  në kryerjen e detyrës së tyre në kufirin e poshtëm zero ose shumë pranë tij. Në lidhje me këtë, bankat qendrore kanë humbur instrumentet tradicionale të politikës monetare dhe po i rikthehen parasë si instrument i politikës monetare. Ky kalim ka qenë i konsiderueshëm, jo vetëm në madhësi, por edhe në koncept. Bankat qendrore, udhëheqëse në ekonomitë e zhvilluara, ato të cilat përcaktojnë tendencat, janë në proces rishikimi të objektivave të tyre dhe të politikës monetare. Duke u mbështetur në analizat dhe përfundimet e kërkimeve, ato po rishkruajnë ekonomiksin monetar, duke u dhënë bankave qendrore një instrument të ri në formën e përdorimit të përhershëm të bilancit të bankës qendrore, si mjet të zgjerimit monetar. Megjithatë, ndërsa zbatimi i strategjive të bilancit është i lehtë për t’u ndjekur dhe për t’u trajtuar nga bankat qendrore të vendeve të zhvilluara, disa politika mund të mos jenë lehtësisht të përvetësueshme dhe të zbatueshme në ekonomitë në zhvillim. Tregjet e ngushta dhe jo të zhvilluara të kapitalit, problemet me përfshirjen financiare dhe edukimin financiar, bilance dhe histori të sektorit privat, publik dhe bilance fiskale të stresuara, na kujtojnë për rreziqet e ndryshme potenciale që këto politika mund të mbartin për ekonomitë e dollarizuara apo të euroizuara të Evropës Juglindore. Ende në prani të pengesave aktuale të hasura nga politika monetare, ne na duhet të reagojmë dhe të gjejmë rrugë të reja për të mbështetur ekonominë. I takon kërkimit të udhëheqë rishikimet dhe modelet e politikës për politika ekonomike të qëndrueshme që mund të nxisin rritjen ekonomike në prani të stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar.

Lajmet për zbulimet e suksesshme të vaksinave kandidate kundër COVID-19, duke shpresuar që dhe të tjera do të jenë të suksesshme në të ardhmen e afërt, sjellin lehtësimin e shumëpritur. Megjithatë, siç e përmenda më lart, pasiguria mbetet, jo vetëm përsa i përket prodhimit, shpërndarjes dhe suksesit të fushatës së vaksinimit në botën reale, por gjithashtu, përsa i përket formës dhe shpejtësisë së rimëkëmbjes ekonomike dhe financiare, pasi të jetë mposhtur COVID-19. Ende rreziqe të tjera, si ai që lidhet me ndryshimin e klimës, së bashku me shkatërrimet natyrore, humbja e habitateve dhe e ndryshimeve të përdorimit të tokës së punueshme, rreziqet demografike dhe pandemike përbëjnë sfida të konsiderueshme afatgjata për ekonominë globale. Gjithashtu, ato përbëjnë rreziqe të mëdha për ekonomitë tona të vendeve të Evropës Juglindore. Ne do mund të na duhet t’i kushtojmë më shumë burime kërkimore studimit të këtyre fenomeneve dhe ndikimeve të tyre në ekonomi, në çmime dhe në stabilitetin financiar në vendet tona. Jam i sigurt se ato do të bëhen tema të rëndësishme të këtij seminari në të ardhmen.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

Gjatë viteve të fundit, kemi parë se puna kërkimore e bazuar në vrojtime dhe në të dhëna mikro ka ofruar informacion të rëndësishëm për situatën financiare të familjeve dhe të bizneseve, për burimet e tyre të financimit, për instrumentet e pagesave, kursimet dhe sjelljen ekonomike e financiare. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj se i njëjti informacion është i nevojshëm për të kuptuar përfshirjen financiare dhe kulturën financiare në një vend. Ato janë dy aspekte të ndryshme për mirëqenien e familjeve dhe bizneseve dhe për stabilitetin e ekonomisë sonë. Ne mund ta përdorim në mënyrë të dobishme këtë informacion si pikënisje për hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare. Këta janë dy objektiva të rëndësishëm për bankën qendrore. Këta objektiva  janë pozicionuar të marrin vëmendje qendrore pas kalimit të situatës së emergjencës dhe të ndjekin tendencë rritëse drejt digjitalizimit, prezantimit të instrumenteve financiare digjitale dhe prezantimit të mundshëm të monedhës digjitale të bankës qendrore. Rekomandimi im më i rëndësishëm është që kërkimi i kryer në bankën qendrore, të qëndrojë pranë interesit të bankës qendrore dhe të ketë vlerë praktike për politikë bërjen dhe vendimmarrjen për të arritur objektivat e tyre. Kjo duhet të vijë në mënyrë të natyrshme në hartimin e politikës dhe të ofrojë themele solide për politikën monetare dhe stabilitetin financiar.

E fundit, më vjen mirë të shoh se stafi ynë i kërkimeve ka përparuar në përvetësimin e teknikave më të sofistikuara të punës kërkimore. Gjithashtu, jam i kënaqur që përvetësimi i metodave kërkimore ka kaluar kufirin e Departamentit të Kërkimeve, dhe po përhapet mjaft mirë në departamentet e tjera. Ekonomistët tanë po bëjnë punë kërkimore të pavarur, në mbështetje të veprimtarisë së tyre të përditshme. Ky është rezultat i përpjekjeve tona të vazhdueshme për të rritur ndikimin e kërkimit në politikë bërje. Megjithatë, pa dyshim që është edhe rezultat i veprimtarive të tilla si ky seminar, të cilët i ofrojnë stafit tonë mundësinë të njohë punën e bërë nga akademikët dhe bankat e tjera qendrore.

Edhe nëse vini nga bota akademike apo nga bankat qendrore, jemi mirënjohës për interesin tuaj të vazhdueshëm dhe ju falënderojmë për pjesëmarrjen. Urojmë që ju e kolegët tuaj do të vazhdoni ta ndiqni seminarin tonë në të ardhmen, dhe me shpresë të plotë, në një botë pa COVID. E kështu, ne do të mund t’i rikthehemi mënyrës sonë tradicionale të organizimit të këtij aktiviteti dhe t’ju ofrojmë mundësinë të prezantoni punimet tuaja në Bankën e Shqipërisë, të angazhoheni me kërkimet tona këtu dhe t’ju prezantojmë Tiranën tonë të bukur.

Edhe një herë uroj më të mirën për të gjithë ju dhe punime të suksesshme seminarit!

YouTube player