Deklarata e përbashkët e Komisionit të Jashtëm të PE: Nisni negociatat me Shqipërinë
Mbi 20 deputetë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian kanë firmosur një deklaratë të përbashkët, përmes të cilës i bëjnë thirrje Këshillit Europian që të miratojë pa vonesë kuadrin negociator me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Deklarata mban firmat e përfaqësuesve të grupeve të ndryshme politike. Eurodeputetët kërkojnë nga palët e përfshira që të gjendet një zgjidhje me qëllim që hapja e negociatave të nisë brenda këtij viti. Në deklaratën e përbashkët, parlamentarët e Komisionit të Jashtëm të PE-së paralajmërojnë se, “mbajtja pezull e këtij procesi rrezikon besueshmërinë e Bashkimit Europian në Balkanin Perëndimor”.
Sa i përket Shqipërisë, nënvizohet se vendi meriton të avancojë në rrugën drejt BE-së, duke mbajtur në konsideratë përpjekjet e qarta për t’u reformuar, veçanërisht në sektorin e Drejtësisë. Gjithashtu eurodeputetët shtojnë se Shqipëria duhet të përmbushë kushtet e vendosura nga Këshilli.