Vaji i Kukullave
Nga Krenar Zejno
Teatri Kombëtar i Kukullave tona paska 70-vjetor Do i kishin hije thinja e rrudha, lexuar si metaforë
“Si u bëka, more vëlla, që të mësojmë nga kukullat si të duam njeriun?” Ja një maraz poeti (Milazim Krasniqi), i gatshëm për të na e çelur rrëfimin mbi kukullat.
Gjenia e Rilkes, me një ese, Puppets, i pat ngritur kukullat gjer në elegji. E na bën të kujtojmë zemëratën që shkaktonte shpërfillja e tyre, mizore e pagojë; zhgënjimin fillimtar të atij realiteti prej vërteti, që po mësynte tek objekti, sakaq subjekt, fëmijë: “Përpara kukullës shtrëngoheshim të pranonim që nëse do braktiseshim prej saj, nuk na mbetej, kësisoj, askushmë. Heshtte ajo ahere, jo për kryeneçësi; heshtte ngaqë ky ishte i pareshturi bishtnim i saj, pse qe gatuar prej një lënde pa voli e fare të papërgjegjshme; s’bëzante dhe as i shkonte nëpër mend të krekosej, sidoqë do t’i lypsej shumë t’i jepte ca rëndësi vetes në një botë ku fati, nëmos dhe Zoti vetë, e kanë tërë atë zulmë ngaqë na bëjnë ballë heshtazi. Në një kohë kur të gjithë ende turreshin të na e jepnin përgjigjen vetëtimthi për t’na dhënë siguri, ish ajo, kukulla, më e para që na pështillte ndër më t’madhen heshtje të jetës, e cila më vonë gjithëherë kthehej të na ndihte, diku tek mbërrinim në kufi të ekzistencës”.
Ja kështu pra, nga ato pulitje qepallash kallpe ballë përkujdesjes fëminore, zë fill i pari leksion i madh mbi atë dashje bote, e cila bëhet sublime veç kur do e dashuron. Edhe si fëmija kukullat, pa e shkuar ndërmend kushtin nëse bota të dashka dhe ajo, apo jo! Duke ndjerë kukullën nderur në papërfillje, çilimiu mësohet sesi të japë e të jepet, por në një dhënie pa u zbehur a shtirur si kukull e vonët, katandisur në kavie njeriu për Frjodët e Fromët. Balada e Rilkes flet nga katedra që fton dhe apelon provimin e parë të jetës …për t’u diplomuar më përtej si njohës me sqimë i realitetit, qoftë edhe të hidhur, të gjërave a gjëmave. Gjersa t’ja mbërrish e të bëhesh engjëll i elegjive… asoj elegjish që luhen me lirë a lahutë në buzë të shkëmbit, veçse në zgrip e ndër kufij, përgjatë sinorëve të qenësisë kur marazi i mbrapshtë të gjegjet shkurt e shpinëkthyer: mëso më në fund nga njeriu… si t’i duash kukullat!
“Kur ishim fëmijë, bisedonim me delet që na flisnin fjalë të mençura. Çudi! Kur rritemi dhentë nuk na flasin më” Është Frederik Reshpja që çuditet më sipër. Më herët, Bodleri pat luajtur kështu me habinë, në tekstin ‘Moral du joujou’: “Gjithë fëmijët u flasin lodrave të tyre. Lodrat bëhen aktorë të dramës së madhe të jetës, ngucur në odën e errët të trurit të tyre të vockël”. Kish nevojë poeti i “thjeshtësisë barbare” t’i rikthehet pa ledha asaj mundus infantile, të shprishte kukulla edhe kolovitej mbi kalë të drunjtë, si kalorës i hershëm vetmitar kah zhbirimi i shtysës më të parë metafizike të jetës. “Mais ou est l’ame? ia plas ai më pas. Po shpirti ku na qenka pa?Hiç! Pa përgjigje. Dhe njëherit: “Bash këtu zë fill trullosja dhe trishtimi”. Kaq?! Po atë, fëmijërinë, ku e lamë?
Mbase në ‘Teatrin e kukullave’ skenë e marionetave të Hajnrih von Kleist. Ja tek na dëfton edhe ky (idhull i Kafkës) drynin e parajsës dhe kerubinin që na rri pas krahëve. Bën be që s’e ka kyçin, dhe na nis “të marrim udhët përreth botës e të hapim sytë mbase e gjejmë hyrjen nga deriçka e pasme”. Pastaj na tregon hijen e shtrembër që i bëjmë dheut, shtegut të gabuar që njeriu paska zënë mes dy skajeve pa krye: “kukullës – materie e kulluar, dhe Zotit – shpirt i kulluar” Më tej, na fryn në vesh se si “gjendet të paktën ajo prehje e paqme, kur njohuria të ketë përshkuar të pafundmen; ashtu siç shpërfaqet e shlirë dhe njëherësisht, tek ajo lloj ngrehine prej njeriu, e cila ka, o asfare o një pafundësi vetëdijeje, pra “ose te kukulla ose te Zoti”. Adulti nuk njihet si i rritur prej shkëputjes, adulterit tradhëtor që u rezervon kukullave. Duke humbur kësisoj, me dashje, veç të tjerash edhe vizionin foshnjor e pulsionin rinues, fantazinë, imagjinatën e beftë, që na i mban gjallë veç fëmija përbrenda nesh.
Qetësisht alarmante, si vetë marrëdhënia e fëmijës me kukullën, raportit me papërfilljen, njeriut me shpirtrat – Rilke na e përshkruan shpirtin kukull, shtrënguar fort në dorën e foshnjes nën ethe, si të vetmen gjë që kishte ende forca të mos e lëshonte, ndërsa ethja e ligë e vdekjes po avitej -, mitet e përrallat na venë në kandar moralin tundues, rrëgjues dhe ato pak parime, që mezi ia dalim mbanë të mos i flakim. Më shumë se sa jemi ne që shohim kukullat, kukullat na shohin ne. Ne shohim në to të vetmit miq të përbashkët, të rreptë ama rreptësisht të sigurtë, që kemi pasur në jetë, kësoj jete ku, ndërkohë, për të qenë si miq na duhet medoemos të shpikim armiq të përbashkët. Hë pra si i bëhet, ende sot, kur njeriu shumicë dashka ti shohë të gjitha kukullat veç tek vetja e tij… dhe nuk sheh tek tjetri asnjërën prej tyre! Rostandi i poemës dramatike dhe një lloji teatri alkimik (Le derniere nuit de don Juan) u trishtua e zemërua pse s’ja zhveshi dot veset heroit të tij, që s’rreshtte së gënjyeri veten, prandaj nuk e vërvit atë në ferr natën e fundit të dramës. Por e braktis në një teatër kukullash… “që të mbetet rob i legjendës së vet”.
Marrë me shkurtime, ese botuar nga “Haemus”, Bukuresht 2009