BallinaLajme

Mashtrimet e Rilindjes/ Rindërtimi, shtyhet zyrtarisht afati deri në vitin 2023

Një tender i zhvilluar nga Bashkia e Tiranës më datë 18 nëntor për një zonë të Tiranës parashikon një afat jo më pak se 3 vjet për rindërtimin e pallateve të pabanueshme. Këta mund të konsiderohen më fatlumët, po të kemi parasysh se tenderimet për zonat e Durrësit, Shijakut apo Thumanës nuk kanë filluar akoma, çka mund të zgjasë akoma më shumë kohën e ndërtimit. Specialistët thanë për gazetën MAPO, se rindërtimi po kthehet në biznes dhe çmimet që po përdoren janë tejet të fryra dhe rasti i lagjes së kombinatit është shembulli më i mirë, ku sipërfaqja që do të ndërtohet e tejkalon disa herë nevojën e banorëve për strehim, çka do të thotë se do ndërtohen dhe apartamente për shitje me fondet e shtetit. Qeveria shqiptare është vënë nën kritika për këtë çështje dhe nga FMN, ndërsa BE ende nuk ka lëvruar fondet e premtuara.

Një tender i zhvilluar më datë 18 nëntor, nga bashkia Tiranë për zonën e Kombinatit tregon se me rindërtimin jo vetëm po bëhet propagandë, por po përgatitet dhe një skandal i paramenduar duke shfrytëzuar fatkeqësinë natyre. Sipas Open Data në kombinat rindërtimi i pallateve nuk do të përfundojë përpara vitit 2023. Tenderi parashikon një kohëzgjatje të punimeve prej 36 muajsh, kohë relativisht e gjatë për ata që sot janë në shtëpia me qira, e cila mund t’i ndërpritet në momentin që ata ngrenë zërin për një të drejtë të tyre. Gazeta MAPO, në një shkrim të datës 7 nëntor sillte një panoramë të qartë të asaj çka po ndodhte në këtë zonë. Pallate që nuk kishin asnjë të çarë apo gërvishtje që janë planifikuar për t’u shembur. Nuk është çudi që të jemi përpara një rasti, ku struktura të caktuara të pushtetit vendor dhe atij lokal ta kenë kthyer këtë çështje në një motiv propagande dhe biznesi. Dhe kombinati është vetëm maja e ajsbergut, pasi me qindra pallate presin të rindërtohen në Durrës, Shijak, Thumanë e gjetkë kur rindërtimi nuk ka nisur ende.

Biznes dhe propaganda

Tenderi në fjalë siç e thamë dhe më lart është zhvilluar më 18 nëntor të këtij viti, vetëm 8 ditë përpara se të mbushej një vit nga tërmeti i nëntorit 2019. Vlera e punimeve për rindërtimin është rreth 68 milionë euro, për 55 pallate që pritet të shemben atje. Janë pallate të ndërtuara para viteve ‘90, dhe shuma prej më shumë se rreth 1.2 milion euro për një pallat pesëkatësh është disi e ekzagjeruar. Sipas asaj çka na thanë banorët atje, ende nuk u janë njohur banesat që janë kthyer në njësi biznesi, jo vetëm ato që janë adaptuar por edhe ato që kanë qenë para ‘90-ës të tilla dhe më pas janë privatizuar. Në projekt-planin e prezantuar për këtë qëllim, jepet qartë se ndërtesat që do të ndërtohen janë shumëkatëshe dhe e tejkalojnë sipërfaqen që banorët kanë atje aktualisht. Edi Rama ishte javën e kaluar në kombinat, ku tha shprehimisht se gjithsecili prej tyre do marrë aq truall sa ka pasur. Në një përllogaritje të thjeshtë, shtëpitë aktuale të banorëve në kohën e diktaturës nuk ndërtoheshin më shumë se 80 metra katrorë, dhe një ndërtesë 10-katëshe duke përshtatur dhe sheshpushimet apo shfrytëzime të hapësirave të tjera të lira, sipas arkitektëve të pyetur nga MAPO, mund të ngrihet një ndërtesë që të plotësojë familjet e pesë pallateve ekzistuese. E thënë më qartë, sipas specialistëve duke ecur në lartësi dhe duke bërë shfrytëzimet e duhura mjafton një ndërtesë që të përmbyllë nevojat për aq sipërfaqe sa kanë pasur banorët e të paktën 3 deri në 5 pallateve. Me 1.2 milion euro sipas specialistëve mund të ndërtohen deri në 4800 metra katrorë ndërtim, ose 74 hyrje që fillojnë nga 70 metra katrorë deri në 140 metra katrorë. Llogaritë e tjera mund të bëhen vetë. Pra me pak fjalë, rindërtimi është kthyer në propagandë të pastër por edhe biznes.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Fituesit e përhershëm

Portali gogo.al raporton se mes firmave fituese në projektin e Kombinatit janë oligarkët e përhershëm, por edhe titullarë të partisë socialiste. Kështu, mes tyre gjenden emra të kompanive të Safet Gjicit, kryetar i Bashkisë Kukës që përfaqësohet nga vëllai i tij, apo firma e deputetit Xhemal Qefalia “Dajti 2007” dhe kjo e përfaqësuar nga vëllai i deputetit. Në garë sipas portalit qëndronte dhe firma e deputetit Sadri Abazi, por në rolin e nënkontraktorit, dhe pas skualifikimit të kompanisë mëmë është skualifikuar dhe kompania “alko Impex” e zotit Abazi. Të tjera kompani, janë ato të përhershmet, ndër to dhe kompania që u kujdes për pastrimin e rrënojave të Teatrit Kombëtar. ““Arb&Trans-2010” sh.p.k., në pronësi të Fatmir Firit, i cili është arrestuar në shtator të 2019-ës për abuzim me TVSH-në. Firi garoi si bashkim operatorësh bashkë me “Kronos Konstruksion” sh.p.k. dhe “Everest” sh.p.k. Opozita ka denoncuar Firin muaj më parë, duke deklaruar se kishte dhënë urdhër që punonjësit e kompanisë së tij të pastronin hapësirën e Teatrit Kombëtar pas shembjes”, shkruan portali gogo.al, i cili ka bërë dhe një investigim të gjerë me tre shkrime në lidhje me kompanitë që kanë shndërruar në monopol marrjen e fondeve nga rindërtimi.

Kritikat e FMN

Por nuk janë vetëm abuzimet me fondet. Zvarritja e punimeve është kritikuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në një raport të tijin thekson se deri më tani nuk është realizuar as 8% e punimeve. “Shpenzimet totale u rritën me 5.5 për qind me bazë vjetore, po janë të nënrealizuara në krahasim me planin e buxhetit. Ky nënrealizim është veçanërisht i dukshëm për rindërtimin pas tërmetit, me shpenzimet që në shtator ishin vetëm 8 për qind të planifikimit buxhetor vjetor” thuhet në raportin e FMN. Në buxhetin e vitit 2020 ishin parashikuar 270 milionë euro, por deri në shtator të këtij viti janë realizuar vetëm 22 milionë euro investime, të cilat janë përdorur kryesisht për pagesa nën dorë për të cilat nuk ka asnjë informacion deri më tani se si janë shpërndarë. Jo pak herë akuzat kanë qenë se paratë janë shpërndarë në bazë të militantizmit politik, ose për propagandë si në rastin e Erion Veliajt në Tiranë, i cili për një shtëpi 70 metra katrorë të ndërtuar mbledh para kamerave të gjithë qeverinë. “Fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet të jenë subjekt i kontrolleve të përshtatshme të menaxhimit publik financiar (PFM), përfshirë planifikimin përmes proceseve buxhetore. Është e rëndësishme të sigurohet prokurimi i duhur, mbikëqyrje e fortë, monitorim i përshtatshëm dhe raportim në kohë (përfshirë publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit), si dhe auditime të pavarura pas zbatimit” citon raporti i FMN.

Fondet dhe ngurrimi i BE-së

Vendet donatore, do i jepnin në shkurt të këtij viti shqiptarëve 1.15 miliard euro në formë kredie dhe grantesh. Pavarësisht se Rama u mundua ta prezantonte si shenjë besimi ndaj qeverisë së tij, duket se deri më tani nuk ka arritur të thithë fondet e premtuara. Komisioni Europian, Banka Botërore (BB), Banka Europiane e Investimeve (BEI), Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, vendosën kushte të forta për thithjen e tyre. Miratimin e fondeve për rindërtimin ata do e shoqëronin me një dokument me nëntë pika, i cili përfshinte, barazi në tendera, monitorim të fondeve, transparencë, llogaridhënie, pjesëmarrje të përfituesve në vendimmarrje, çmime të ndershme në ndërtim, standarde europiane, dhe respektim të mjedisit. Deri më tani rezulton se asnjëra nga pikat e mësipërme nuk është respektuar nga qeveria. Partia Demokratike ka denoncuar për rindërtimin e shkollave, shifra nga 3 deri në 5 herë me ato të standardeve evropiane. Transparencë nuk ka vetëm propagandë. Duket të jenë këto disa nga arsyet se përse BE dhe vendet donatore nuk kanë lëvruar deri më tani fondet e premtuara të shkurtit.

Panorama është e qartë. Banorët që qeveria, deklaron se do u ndërtojë shtëpitë do u duhet të presin gjatë. Në rastin më të mirë, kur në mes janë afera të qarta korruptive siç po shihet te rasti i kombinatit, është dhe tre vjet të tjera. Në raste të tjera, atje ku dhe leverdia është më e vogël mund të shkojë dhe më shumë. Buxheti i lodhur i qeverisë, nuk mund ta përballojë një faturë të tillë, pavarësisht se në letra shkruhen shifra stratosferike. Natyrisht e njëjta gjë s’mund të thuhet për pagesat e PPP-ve, që qeveria shqiptare i ka fort për zemër. Këtyre duket se në një të ardhme jo fort të largët do i shtihet dhe fatura që do na duhet të paguajmë për Francesco Bechettin, i cili ka fituar arbitrazhin dhe shteti shqiptar i detyrohet tashmë rreth 110 milionë euro. Kjo faturë është pasojë e inateve dhe kapriçove të kryeministrit. Bashkimi Evropian dhe vendet donatore po ngurrojnë të lëvrojë fondet, nën trysninë e besimit të humbur te qeveria për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të taksave, çka po u kushton jo pak shqiptarëve në këtë kohë pandemie.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Koordinim të programeve dhe barazi

Qeveria duhet të hartojë një program kombëtar për rindërtimin, i cili do të sigurojë koordinimin e nismave ndërkombëtare e kombëtare dhe zbatimin e standardeve të barazisë, pavarësisht burimit të fondit. Ky program duhet të mbështetet në politika të qarta dhe plotësisht të zbatueshme.

Zbatim, prokurim, dhe monitorim të qartë të fondeve

Qeveria duhet të përcaktojë qartë përpara se të lëvrohen fondet, procedurat për tenderat, menaxhimin financiar, auditimin dhe monitorimin e shpenzimeve të fondeve. Duhet të dakordësohen rregulla të qartë zbatimi, me përgjegjësi të përcaktuara dhe koordinim efektiv mes të gjitha niveleve, përfshi qeverinë dhe pushtetin lokal. Zbatimi mund të drejtohet nga një agjenci për rindërtimin e banesave, me hierarki dhe përgjegjësi të qarta vendimmarrëse. Procedurat e prokurimit, menaxhimit financiar, auditimit dhe monitorimit duhet të përcaktohen paraprakisht.

Transparencë në përdorimin e fondeve

Qeveria duhet të publikojë online në mënyrë të rregullt e të vazhdueshme treguesit e monitorimit, afatet kohore dhe fluksin e fondeve.

Llogaridhënie për përdorimin e fondeve

Qeveria duhet të japë llogari në mënyrë të vazhdueshme për përdorimin e fondeve. Të ketë një strategji të qartë komunikimi dhe një mekanizëm për shqyrtimin e ankesave.

Barazi dhe transparencë në përzgjedhjen e përfituesve

Qeveria duhet të bëjë publike dhe të aksesueshëm nga qytetarët projektet dhe detajet e çdo vendimmarrje për rindërtimin. Kriteret për përzgjedhjen e përfituesve duhet të jenë të qartë dhe t’i nënshtrohen mekanizmave të pavarur të verifikimit. Të prioritizohen burimet publike në mënyrë të tillë që në fillim të përfitojnë familjet në nevojë, si dhe të mos ketë diskriminimit racor dhe gjinor gjatë procesit.

Pjesëmarrje të përfituesve në vendimmarrje

Programi për rindërtimin e banesave duhet të ketë në qendër përfituesit, pronarët e banesave apo pallateve, duke siguruar pjesëmarrjen efektive të tyre përmes mekanizmave konsultues.

Çmime të ndershme në ndërtim

Qeveria duhet të sigurojë që gjatë procesit të rindërtimit çmimet e materialeve të ndërtimit të jenë të drejta e të qëndrueshme.

Standarde europiane në ndërtim

Të hartojë dhe përmirësojë kuadrin ligjor për nxitjen e ndërtimeve të qëndrueshme, përdorimin e standardeve ndërtimore të BE-së, kontrollin e cilësisë së ndërtimit, sigurimin e banesave ndaj rreziqeve, paraqitjen e projekteve studimore mbi kohëzgjatjen dhe qëndrueshmërinë.

Rindërtimi i banesave duhet të mbështesë qëllime më të mëdha të zhvillimit urban, banesat e rindërtuara duhet të kenë standarde moderne, të jetë me nivel të ulët karboni, të ruajnë mjedisin.

Respektimi i standardeve mjedisore

Qeveria duhet të menaxhojë dhe zvogëlojë ndikimet e mundshme negative në mjedis gjatë shembjeve dhe ndërtimeve të reja, ose të planeve të reja urbanistike. Ajo duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë menaxhimit dhe riciklimit të mbetjeve gjatë procesit të rindërtimit./Mapo.al/

YouTube player