“Harta e re gjyqësore sjell kolaps më të madh, një gjyqtar ka aktualisht 3000 dosje”
Propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për të shkrirë 22 gjykata të shkallës së parë në vetëm 12 të tilla, nuk është pritur mirë as në Korçë. Dhoma e Avokatisë e cilëson një vendim të nxituar, nga i cili nuk pritet të ketë rezultatin e pretenduar nga institucionet e drejtësisë.
Ky reduktim drastik i gjykatave, sipas avokatëve, vetëm sa do t’ia shtonte kolapsin sistemit të drejtësisë: “Kemi një skemë që nuk e dimë se kujt do i shërbejë, por sigurisht që nuk do i shërbejë popullit, marrjes së drejtësisë efikase nga populli. Është e pamundur që sistemi i drejtësisë të funksionojë me këtë skemë, dhe me këtë mënyrë organizimi gjykatash, pavarësisht se cilat janë qëllimet e krijimit të këtij drafti, është një skemë që shumë shpejt do bjerë në kolaps”.
Një tjetër arsye nga Dhoma e Avokatisë së Korçës mbi mosfunksionimin e hartës së re gjyqësore është edhe mbingarkesa aktuale e gjyqtarëve: “Një gjyqtar ka 3000 dosje. Me një llogari të thjeshtë, ditë pune efektive janë 220. Në rastin më të mirë, që një gjyqtar të lexojë një dosje, të arsyetojë vendimin dhe të japë një vendim të drejtë, i duhet minimumi 1 ditë. Atëherë, brenda një viti një gjyqtar, duke mos i vajtur dosjet e tjera, përfundon 220 dosje. 3000 dosje një gjyqtar i Apelit i duhen 15 vite që t’i përfundojë. Aksesi i qytetarëve në drejtësi është pothuajse i pamundur dhe jo efektiv dhe kjo skemë po i zhyt akoma më keq në një joefektivitet të plotë”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si një çelës shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.