Si duhet t’i përgjigjet Rusisë Perëndimi?
Shkruan Enver Robelli
Prej javësh Rusia e Vladimir Putinit është duke grumbulluar ushtarë dhe material luftarak në kufi me Ukrainën. Deri në janar pritet të stacionohen rreth 175 mijë ushtarë rusë në kufi me shtetin fqinj. Perëndimi me të drejtë është i shqetësuar nga eskalimi i situatës. Në një koment gazeta gjermane DIE ZEIT numëron disa masa me të cilat Perëndimi mund ta paralizojë dukshëm Rusinë:
a) Perëndimi mund ta përjashtojë Rusinë nga sistemi bankar SWIFT. Në këtë sistem janë të kyçura 11 mijë banka në 200 vende. Në rast se ndodh kjo, bankat ruse nuk do të mund të bënin transaksione në dollarë dhe euro. Kjo do ta dëmtonte rëndë tregtinë e jashtme ruse.
b) OECD-ja, organizata për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, mund ta ulë rejtingun e Rusisë. Rrjedhimisht, kjo do t’i shtrenjtonte kreditë dhe do të dëmtonte eksportet ruse.
c) Perëndimi mund të ndalojë eksportin e mallrave të rëndësishme industriale. Një shembull është industria e aviacionit komercial. Për avionët e Airbusit dhe Boeingut Rusia nuk ka alternativë në tregun vendor. Kjo do të dëmtonte rëndë prestigjin e Rusisë në transportin ajror ndërkombëtar.
ç) Mund të ndalohet vënia në funksion e gazsjellësit Nord Stream 2, përmes të cilit Rusia, duke anashkaluar Ukrainën, synon të dërgojë gaz në Gjermani.
d) Komenti i DIE ZEIT përfundon me këtë konstatim: “Putini është një ngatërrestar i madh, por nuk është burrështetas i madh. Me sulmin kundër Ukrainës dhe me aneksimin e Krimesë më 2014 ai ka arritur të kundërtën e synimeve të tij; NATO kurrë nuk ka pasur më shumë ushtarë të stacionuar në kufirin e saj lindor se sot. A dëshiron Putini që qëllimisht t’i shkaktojë dëm vendit të tij, ta dobësojë dhe ta izolojë? Vendimi është i tij”.
Rruga Press