Lajme

9 vjet nga droni i Beogradit, sot “shqiponjat” fluturojnë drejt Gjermanisë

14 tetori 2014 është një datë, e cila vështirë se do të harrohet për shqiptarët. 9 vjet kanë kaluar nga droni me flamurin “Autochthonous” dhe figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, që u valëvitën në Beograd, në një mbrëmje që ishte gjithçka, përveçse një ndeshje e thjeshtë futbolli.

Asnjë tifoz kuqezi nuk u lejua në stadium, himni u vërshëllye deri në pikën sa të mos dëgjohej asnjë notë dhe 30 mijë serbë bërtisnin “vritini shqiptarët”. Mes ndërprerjeve për hedhjen e shisheve dhe flakadanëve ndaj futbollistëve kuqezi, ndeshja u luajt për 42 minuta, deri në shfaqjen e dronit.

Aty nisi beteja për flamurin me simbole kombëtare, me futbollistët kuqezi që u sulmuan nga tifozët të cilët mësynë në fushën e lojës. Agresioni vazhdoi edhe në momentin e hyrjes në dhomat e zhveshjes, ndërsa ndeshja, pavarësisht këmbënguljes së UEFA-s, nuk vazhdoi më.

Lexo më shumë  Hodhën vezë drejt makinës së Ramës në Manëz, shoqërohen nga policia 12 aktivistë

Shqipëria refuzoi të luante në të tilla kushte, ku shumë lojtarë ishin goditur. Institucioni i drejtuar në atë kohë nga Michel Platini i dha tri pikët në tavolinë serbëve, në shkallët e disiplinës dhe apelit, me akuzën se kuqezinjtë braktisën ndeshjen, vendim i përmbysur nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

CAS i njohu të drejtën Shqipërisë për fitoren në tavolinë, pas ngjarjeve të rënda të dhunës në Beograd. Një fitore historike, sepse ishte hera e parë që një federatë anëtare ankimonte dënimin e UEFA-s dhe fitonte betejën ligjore me konfederatën europiane të futbollit.

Lexo më shumë  20 milionë euro tendera me shkelje në Bashkinë e Durrësit

Ato tri pikë ndryshuan historinë e futbollit shqiptar. Të gjithë u shtrënguan rreth Kombëtares dhe fitorja kishte një rol vendimtar në kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e Euro 2016, e cila u formalizua me fitoren në Jerevan të Armenisë. 14 tetori 2014 mbetet një prej datave ikonike të futbollit shqiptar dhe jo vetëm.

Sot, 9 vite më pas, Shqipëria është sërish shumë pranë kualifikimit për në një Kampionat Europian. Skuadra e drejtuar nga braziliani Sylvinho dhuron spektakël dhe shënon gola të jashtëzakonshëm. Pas Francë 2016, “shqiponjat kuqezi” do të fluturojnë edhe në Gjermani 2024.

Rruga Press

YouTube player