KryesoreLajme

8 mln euro nga Bashkia e Tiranës për kompaninë e përfshirë në dosjen “Aruba”

Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues të 2 tenderave me vlerë 8 mln euro kompaninë ‘Erald-G’, e grupit Aruba. Bashkia nuk është ndalur edhe përballë faktit që SPAK akuzon pronarin e kësaj kompanie, Gëzim Ismaili, se ka fshehur paratë e pista të Luciano Koçekut, i njohur si koka e klanit të narkotrafikut të grupit Aruba. Kompania e Ismailit është shpallur fituese për procesin e rindërtimit në Kombinat. 

Prokuroria e Posaçme SPAK është e bindur se Gëzim Ismaili, pronar i kompanisë “Erald-G” sh.p.k., ka kryer veprime të shumta për të fshehur paratë e siguruara në mënyrë kriminale nga Luçiano Koçeku, njeriu i konsideruar si kreu i klanit të narko-trafikut, të njohur me emrin “Grupi Aruba”. Prokurorët kërkuan në qershor të këtij viti që Ismaili të mbahej në arrest shtëpie, pasi rrezikonte të vijonte me aktivitetin e dyshuar kriminal të pastrimit të parave. Megjithatë, Bashkia e Tiranës i ka injoruar tërësisht këto detaje mbi personalitetin e tij, duke e shpallur kompaninë e tij në fillim të kësaj jave fituese të dy tenderave, me një fond limit në vlerë totale mbi 8 milionë euro.

Lexo më shumë  Kryesia e LDK-së mbështet nominimin e Sejdiut - A do ta respektojnë deputetët e saj këtë vendim?

Në Agjencinë e Prokurimit Publik janë publikuar së fundmi rezultatet e procedurave për ngritjen e dy pallateve të reja në zonën e Kombinatit, në kuadër të procesit të Rindërtimit.

Procedura e parë parashikon ndërtimin e godinës numër 10, me fond limit 288 milionë lekë të reja ose rreth 3 milionë euro. Ndërsa në tenderin e dytë është parashikuar ndërtimi i godinës me numër 11 dhe fondi limit është 471 milionë lekë të reja ose pak më shumë se 5 milionë euro. Dokumentet zyrtare tregojnë se kompania “Erald-G” e Gëzim Ismailit është përfshirë në garë në formën e bashkimit të operatorëve me një subjekt tjetër tregtar. Gjithashtu, të dhënat publike dëshmojnë se fituesit nuk kanë paraqitur ofertën më të ulët tregtare.

Në 10 qershor 2026, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ishin lëshuar rreth 20 urdhër-arreste për një grup personash, të dyshuar se kishin krijuar një grup kriminal shqiptar për trafikun e lëndëve të forta narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës. Këta persona, mes të cilëve Luçiano Koçeku dhe Artur Shehu, dyshohet se kanë pastruar qindra milionë euro të aktivitetit kriminal në industrinë e ndërtimit në Shqipëri. Grupi mori emrin “Aruba”, pas takimeve që krerët e organizatës së dyshuar kriminale zhvillonin në ishullin e Karaibeve. Në dosjen e mbërritur në Shqipëri nga autoritetet e Belgjikës thuhet se në ato takime merrnin pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare. Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë asnjë detaj mbi identitetin e zyrtarëve dhe nuk rezulton të jetë lëshuar asnjë masë sigurimi për këtë kategori personash.

Lexo më shumë  Situatë kritike me zjarret në Shkopet të Matit, flakët drejt Krujës, rrezikohen banesa dhe prona në zonë
YouTube player