KryesoreLajme

534 shkencëtarë nga 32 vende/ Peticion ndërkombëtar shkencor për ruajtjen e deltës së Vjosës

Nga Prof. Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Në emër të një grupimi ndërkombëtar prej 534 shkencëtarësh nga 32 vende, po ndaj me publikun e gjerë peticionin ndërkombëtar shkencor me titull: “Thirrje për Ruajtjen Gjithëpërfshirëse dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Deltës së Vjosës” (Korrik 2026).

Komuniteti shkencor është i shqetësuar dhe i alarmuar nga planet për ta shndërruar Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë në një qendër të turizmit masiv komercial. Delta e Vjosës, me lagunat e saj bregdetare, nuk është vetëm një nga deltat e fundit të paprekura dhe me ekosistem aktiv përgjatë gjithë bregdetit mesdhetar, por edhe një pasuri ekologjike me rëndësi evropiane dhe një nyje kritike përgjatë Korridorit të Migrimit të Adriatikut. Kjo deltë strehon 35 lloje habitatesh të përfshira në Direktivën Natura 2000 dhe klasifikimin EUNIS – ku 8 prej tyre klasifikohen si habitate prioritare të BE-së; mes tyre vlen të përmendet se 40% e zonës përbëhet nga zona ligatinore, kryesisht laguna dhe këneta, e cila klasifikohet si habitat prioritar.

Pamje ajrore e Deltës së Vjosës gjatë Javës së Dytë Shkencore 22-27 Prill 2024 (© Joshua D. Lim).

Zona strehon mbi 2,500 lloje të njohura gjallesash, mbi 750 lloje bimore, mbi 580 lloje algash, rreth 670 lloje invertebrorësh ujorë dhe tokësorë, dhe rreth 490 lloje vertebrorësh, ndër të cilët rreth 250 lloje shpendësh mbi 100 lloje peshqish. Zonat ligatinore strehojnë mbi 60 lloje shpendësh ujorë me rreth 20,300 individë që dimërojnë aty. Rreth 280 lloje gjallesash janë të kërcënuara në nivel ndërkombëtar, ndërsa mbi 220 lloje janë të kërcënuara në Shqipëri. Mes tyre janë rreth 130 lloje shpendësh dhe 100 lloje bimësh që janë pjesë e listave ndërkombëtare të mbrojtjes. Të gjitha këto rrezikohen nga degradimi i rëndë ose shkatërrimi i plotë nëse këto plane zhvillimi vihen në zbatim, përfshirë dhe habitatet prioritare.

Lexo më shumë  Bojkot në Bashkinë Rrogozhinë, punonjësit ngrihen kundër reformës territoriale: Nuk pranojmë bashkimin me Kavajën

Zona njihet si Hapësirë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) nga BirdLife International (2026). Dhe si Hapësirë e Rëndësishme për Bimët (IPA) (kodi A35). Zona është gjithashtu kandidate për t’u përfshirë në rrjetin e BE-së, Natura 2000. Liqeni Limopuo, Dunat Zvërnec-Akërni, Pylli në Ishullin e Zvërnecit dhe Kodrat Molasike të Zvërnecit, janë të katërta në listën e Monumenteve të Natyrës Shqiptare (Kategoria III e mbrojtjes; VKM 303/2019).

Pamje e Monumenteve të Natyrës (Kategoria III e mbrojtjes sipas kritereve të IUCN) brenda hapësirës së Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro–Nartë: Liqeni Limopuo lake (a); Dunat e Zvërnecit-Akërnisë (b&c); Kodrat Molasike të Zvërnecit (d); dhe Pylli i Ishullit të Zvërnecit (e).

Ndër firmëtarët ka ekologë peizazhi me përvojë për ujërat e ëmbla dhe ato detare, të cilët paralajmërojnë për dëme të pakthyeshme në habitatet e mbrojtura nga zhvillimet e propozuara në shkallë të gjerë të turizmit. Vendosja e infrastrukturës luksoze në këtë vend të shenjtë do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të statusit ligjor mbrojtës të këtij peizazhi bregdetar dhe do të shkelte angazhimet e Shqipërisë sipas akteve ndërkombëtare.

Peticioni u është dërguar dje gjithë përfaqësuesve kryesorë të qeverisë shqiptare dhe atyre ndërkombëtare (KM: Rama; BE: Von der Leyen; DG ENEST; DG ENV; Konventës së Bernës; UNESCO MAB; etj.). Në mënyrë shumë qytetare u kërkohet të gjitha palëve të njihen me Peticionin dhe të angazhohen së bashku me Qeverinë shqiptare për: 1) Anulimin e projekteve tregtare shkatërruese brenda Deltës së Vjosës. 2) Integrimin e plotë të Deltës në Parkun Kombëtar ekzistues të Vjosës si Lumë i Egër. 3) Miratimin e një strategjie të qëndrueshme ekoturizmi, në harmoni me natyrën. Nga ana jonë mirëpresim mundësinë për t’i diskutuar më tej këto gjetje shkencore me gjithë palët.

Ndërsa Shqipëria përparon në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i kërkojmë Komisionit Evropian të sigurojë që standardet e mbrojtjes së mjedisit, konkretisht Direktivat e BE-së për Shpendët dhe Habitatet, të mbështeten sipas Kapitullit 27. Zhvillimet tregtare të kësaj shkalle brenda zonave të mbrojtura ligjërisht bien ndesh me harmonizimin e BE-së dhe pasqyrojnë shqetësimet e ngritura në rezolutën e Parlamentit Evropian të qershorit 2026, e cila bënte thirrje për ngrirjen e ndërtimeve në zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Sekretariati i Konventës së Bernës bën me dije se e ka të hapur dosjen për çështjen e Deltës së Vjosës prej vitit 2016 (Ankesa Nr. 2016/05) mbi ndikimin e mundshëm negativ të zhvillimeve për lumin Vjosë, përfshirë ndërtimin e hidrocentraleve dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Në dy mbledhjet e fundit, Byroja e Komitetit të Përhershëm të Konventës u ka kushtuar vëmendje edhe zhvillimeve më të fundit.

Prej shtatorit 2025, Lugina e Vjosës është shpallur zyrtarisht si Rezervë e Njeriut dhe Biosferës së UNESCO-s; një vend i shenjtë që përfshin pjesë kyçe të deltës. Projektet e propozuara të turizmit luksoz e kërcënojnë drejtpërdrejt këtë rezervë të UNESCO-s, duke rrezikuar edhe zonën e saj qendrore të mbrojtur në mënyrë strikte. Parimet e Programit të Njeriut dhe Biosferës së UNESCO-s (MAB) tregojnë se ruajtja ekologjike dhe zhvillimi i komunitetit duhet të shkojnë dorë për dore. Zhvillimet aktuale në Deltën e Vjosës i shkelin këto parime duke zëvendësuar ekosistemet delikate bregdetare me infrastrukturë të rëndë.

Ndërkohë Shqipëria ka rreth 2 muaj që është përfshirë nga një Protestë qytetare, ku ndërhyrjet në Deltën e Vjosës ishin shkaku i parë, dhe vazhdojnë të mbeten frymëzim që mban përditë gjallë shpirtin e qytetarëve në Bulevard.

Kjo është një arsye më shumë, madje shumë e fortë, që duhet të bëjë që Qeveria Shqiptare të reflektojë pozitivisht, por edhe gjithë instancat e tjera ndërkombëtare të bashkëpunojnë me Shqipërinë për ta ndihmuar të dalë nga kjo gjendje dhe të ndjekë rrugën e duhur në përputhje me gjithë standardet ndërkombëtare.

Peticioni i plotë: Thirrje për Ruajtjen Gjithëpërfshirëse dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Deltës së Vjosës

YouTube player