KryesoreOpinion/Aktualitet

5 arsyet pse telefonata Biden-Xi do të jetë shumë e rëndësishme

Çasti kur presidenti Joe Biden do të lidhet me homologun e tij kinez Xi Jinping ditën e premte, nuk do të përfaqësojë thjesht një tjetër telefonatë diplomatike.

Kështu raporton CNN mëngjesin e sotshëm, duke shtuar se kjo telefonatë vjen në një moment kritik për marrëdhëniet mes dy superfuqive.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë po shohin me kujdes çdo lëvizje të Kinës dhe kanë ngritur shqetësimin për raportin gjithnjë e më të ngushtë mes Xi dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Përgjigja e Kinës ndaj pushtimit rus të Ukrainës ka qenë gjithashtu një arsye për t’u shqetësuar, pasi sado që Kina e ka dënuar luftën, ajo ka fajësuar gjithnjë Shtetet e Bashkuara për këtë dhe ka justifikuar vendimin e Putinit – duke thënë se ai ishte i detyruar ta bënte këtë lëvizje për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e shtetit rus.

Në të njëjtën kohë, Kina ka avancuar edhe më tej teoritë konspirative të Rusisë, se SHBA po financon laboratorë të armëve biologjike dhe kimike në Ukrainë.

Pekini ka dashur të pozicionohet si një vend neutral që nga nisja e këtij konflikti pasi ekonomia kineze ka shumë për të humbur – ndryshe nga Rusia, e cila duket sikur kishte nisur ta humbiste lavdinë e dikurshme dhe u ndje e detyruar të vinte në punë armët e saj të fundit në një luftë gjeopolitike që e kishte praktikisht të humbur.

Këto janë 5 arsye pse kjo telefonatë mes Biden dhe Xi pritet të ketë një rol kyç për zhvillimet e fundit në Ukrainë:

1 – Telefonata vjen në një moment kritik të luftës Rusi-Ukrainë

Sipas zyrtarëve amerikanë, Kina po teston ujërat dhe po mundohet të marrë një vendim kyç, në lidhje me kërkesën e bërë nga Rusia për mbështetje financiare dhe ushtarake si pasojë e humbjeve madhore në Ukrainë.

Nëse Kina pranon, kjo do të mund t’i shkatërronte përfundimisht marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe do ta vinte atë në një pozicion të vështirë – nga i cili mund të dilte e humbur dhe bashkëfajtore në këtë luftë – gjë që do të mund ta bënte edhe atë pjesë të sanksioneve të ashpra që janë ndërmarrë kundër Rusisë.

Sidoqoftë, Moska i ka hedhur poshtë akuzat se i ka kërkuar ndihmë Kinës kohët e fundit dhe Pekini gjithashtu i ka quajtur ato pjesë të një “fushate dezinformimi dhe bullizimi të pastër nga SHBA”.

Lexo më shumë  Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave, eurodeputeti holandez: Shtetet anëtare të KiE-së iu përulen Serbisë

2 – Kina mund t’i ofrojë Rusisë një mbështetje vendimtare

Zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Kina do të pranonte t’i dërgonte Rusisë sasi të mëdha të pajisjeve dhe mjeteve ushtarake si tanket apo avionët luftarak. Në të kundërt, ata thonë se ka shumë më tepër mundësi që Kina t’i dërgojë ushtrisë ruse asistencë në formën e ushqimeve, municioneve, pjesëve të këmbimit apo edhe pajisjeve survejuese si dronët etj.

Në të njëjtën kohë, SHBA-ja beson se Kina do t’i dalë në krah Rusisë në aspektin financiar në mënyrë që të lehtësojë sadopak pasojat e sanksioneve të vendosura kundër Rusisë nga Perëndimi.

Gjatë telefonatës, Bideni shpreson t’ia bëjë të qartë Xi-së që nëse ai vendos ta japë këtë mbështetje do t’i duhet të presë pasoja të mëdha në këmbim.

Tregtia mes BE-së dhe Kinës arriti shifrën marramendëse prej $800 miliardë dollarësh vitin e shkuar dhe ajo mes Kinës dhe SHBA-së plot $750 miliardë dollarë, kurse tregtia mes Kinës dhe Rusisë nuk i kalon $150 miliardë dollarët.

3 – SHBA-së i duhet të menaxhojë partneritetin ‘gjakftohtë’ mes Rusisë dhe Kinës

Edhe para se Rusia të pushtonte Ukrainën, zyrtarët amerikanë e kanë parë me vëmendje të veçantë marrëdhënien gjithnjë e më të afërt të Putinit dhe Xi-së. Drejtuesi i CIA-s, Bill Burns, tha javën e shkuar se ky partneritet i ka rrënjët në “një sërë arsyesh gjakftohta”.

Në shkurt, të dy liderët  kanë nënshkruar një marrëveshje “pa limite” e cila përfshinë një dokument të gjatë ku citohen fushat e ndryshme të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Një tjetër pikë e këtij dokumenti ishte bashkëpunimi i Kinës dhe Rusisë kundër ekspansionit të mëtejshëm të NATO-s.

Që atëherë, ky partneritet është vënë në provë gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë, ku Kina po e tregon qartë që sado që nuk preferon të pozicionohet, mbështetja e saj qëndron qartazi për Rusinë.

4 – Partnerët e SHBA-së në Azi po shohin me kujdes reagimet e Kinës

Pushtimi rus i Ukrainës – i cili përfshinë shkeljen e sovranitetit të saj dhe nisjen e konfliktit më të ashpër në Europë prej dekadash – ka dërguar një efekt domino në vendet aziatike. Në ankth, vende si Tajvani, po shohin me kujdes lëvizjet e Kinës gjatë kësaj periudhe, për të parë nëse sovraniteti i tyre është gjithashtu në rrezik.

Lexo më shumë  Kurti uron Plenkoviqin: Kosova e vlerëson miqësinë me Kroacinë

Ishulli i vetëqeverisur ka qëndruar prej kohësh nën hijen e Kinës – e cila ka pretendime mbi të dhe ende insiston ta quaj pjesë të shtetit kinez, duke kërcënuar vazhdimisht një pushtim të mundshëm.

SHBA ka një lidhje të veçantë me Tajvanin – një nga ekonomitë më të fuqishme në botë dhe eksportuesin kryesorë të mikroçipeve – elementëve kyç në prodhimin e teknologjive të ndryshme nga kompjuterët, telefonat celularë, GPS, makinat, pajisjet mjekësore etj.

Ndryshe nga Ukraina, SHBA-ja është shprehur se nëse Kina avancon me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, ata do të ndërhyjnë menjëherë për të mbrojtur interesat e tyre në vend – gjë që do të mund të prodhonte një përballje të rrezikshme mes dy superfuqive më të mëdha në botë.

5 – Bideni dhe Xi-ja kanë një histori të gjatë – dhe botëkuptime diametralisht të kundërta me njeri tjetrin

Sipas CNN-it, Bideni ka përmendur disa herë orët e gjata që ai ka shpenzuar me Xi-në, në kohën kur ata të dy shërbenin si zëvendës-presidentë për shtetet e tyre.

Bideni ka thënë gjithashtu se ai ka shpenzuar më shumë kohë me Xi-në se sa me çdo lider tjetër.

Bideni ka punuar prej kohësh për të vënë në lëvizje disa politika të dedikuara për të menaxhuar konkurrencën me kompanitë kineze. Ai gjithashtu ka lënë në fuqi tarifat e vendosura gjatë administratës së Trumpit – e cila ishte e fokusuar tek tërheqja e shumë kompanive amerikane nga Kina dhe kthimi i tyre në atdhe me moton e famshme “Make America Great Again!”

Para konfliktit në Ukrainë, Bideni dukej i vendosur për ta ri-fokusuar politikën e jashtme amerikane drejt Azisë, ku ai mendon se konkurrenca mes SHBA-së dhe Kinës do të jetë një ndër sfidat definitive të shekullit të ardhshëm.

Dhe ndërkohë që kriza në Ukrainë përparon, transformimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë do të jetë vendimtar për të ardhmen e ekonomisë dhe sigurisë globale.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *