Opinion/Aktualitet

1133 në Kosovë, 3372 në Bosnjë

Nga Enver Robelli

Këto nuk janë shifra abstrakte. Pas këtyre shifrave gjenden emra fëmijësh. Kaq fëmijë u vranë nga agresorët serbë në Bosnjë dhe në Kosovë në vitet ‘90, por ky kapitull i errët nuk është temë në opinionin serb në Serbi dhe në Bosnjë. Rasti tragjik dhe i dënueshëm në një fshat në Shtërpcë, ku mbetën të lënduar dy të rinj serbë, është shembull tipik se si propaganda serbe keqpërdor një incident për nevoja të politikës ditore. Janë së paku tri raste të vrasjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të cilat nuk janë ndriçuar kurrë nga autoritetet serbe. Për familjet e Nebi Nuhiut (i kidnapuar në vitin 2000), Dashnim Hajrullahut (i vrarë në vitin 2005) dhe Isuf Azizit (i vrarë në vitin 2009) nuk ka drejtësi

Le t’i mbetet drejtësisë ta gjejë të vërtetën se çfarë ndodhi këto ditë në një fshat të Komunës së Shtërpcës. Gjithsesi është tragjike që nga sjellja e papërgjegjshme e një pjesëtari të FSK-së mbetën të plagosur, fatmirësisht lehtë, dy të rinj të përkatësisë etnike serbe dhe shtetas të Kosovës. Përdorimi i armës nga një person zyrtar përherë duhet të jetë akti final dhe jo mjet për hapjen e rrugës kur ajo është e bllokuar. Po të përdoreshin armë për heqjen e kolonave me vetura në Veternik, atëherë kjo pjesë e Prishtinës qëmoti do të ishte fushëbetejë e kasaphane.

Reagimi i shpejtë i autoriteteve të Kosovës që çoi në arrestimin e të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve serbë meriton lëvdatë. Sipas nënës së njërit prej të plagosurve, i biri i saj është qëlluar nga një plumb qorr, i cili ka devijuar nga asfalti ku është shkrepur nga dorasi i dyshuar. Nëse është e vërtetë, kjo e relativizon ngjarjen, por nuk e shfajëson krejtësisht të dyshuarin. Por në deklaratën e dytë nëna e viktimës tani tregohet “e bindur” se bëhet fjalë për tentim vrasje.

Reagimi i palës serbe ishte i pritshëm. “Već viđeno“, do të thuhej në serbisht. U aktivizua mekanizimi i propagandës duke pretenduar se “fëmijët serbë” u qëlluan me armë me synimin që të vriten. Pastaj rrëfimi u zgjerua duke theksuar se ky nuk është rast i izoluar, por, ja, kështu qenka jeta e përditshme e serbëve “nën terrorin shqiptar”. Në frontin e parë si përherë janë mediat me revolver të Beogradit, ato që prej vitesh kanë përvojë në vrasjen e njerëzve me fushata linçuese, pastaj zyrtarët e regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, krerët e Listës Serbe në Kosovë, huliganë të mediave sociale, të ashtuquajtur liberalë që kur është fjala për urrejtje ndaj shqiptarëve shpesh duan t’ia kalojnë Vuçiqit.

Lexo më shumë  Protestat e dëshpërimit

Krejt kjo fushatë propagandistike synim qenësor ka devalvimin e së vërtetës dhe rrotullimin e fakteve. Nuk e ka sulmuar armata e serbizuar jugosllave Slloveninë, por Sllovenia Jugosllavinë, thuhet në qarqet nacionaliste serbe që nga viti 1991. Nuk e kanë pushtuar forcat serbe një të tretën e territorit të Kroacisë, por serbët janë mbrojtur nga “zullumi i ustashëve kroatë”. Nuk e kanë sulmuar terroristët e uniformuar serbë Sarajevën, por vetëm i kanë mbrojtur kodrat nga sulmet e gueriljes urbane boshnjake, e cila, siç njoftonin mediat rrenacake serbe në vitet ‘90, fëmijët serbë po ua hedh luanëve në Kopshtin Zoologjik të Sarajevës.

Kjo propagandë tenton të mohojë atë që dihet dhe është e dokumentuar: në Bosnjë-Hercegovinë gjatë luftës u vranë 3372 fëmijë, shumica boshnjakë. Prej tyre 711 gjatë rrethimit të Sarajevës. Pala boshnjake përmend shifrën prej 1601 fëmijësh të vrarë në Sarajevë, por këtë s’ka arritur ta dokumentojë me emra. Në Kosovë mes 1600 të zhdukurve në luftë janë edhe 100 fëmijë. Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës janë vrarë 1 mijë e 133 fëmijë. A është dëgjuar ndonjë politikan serb të flasë për këtë kapitull në Kosovë dhe në Bosnjë? Jo. Përtej një numri të vogël të pjesëtarëve të shoqërisë civile në Beograd, pjesa dominuese e shoqërisë serbe as nuk është e gatshme t’i dënojë krimet, as t’i nxjerrë para gjyqit fajtorët për krime ndaj civilëve.

Se çfarë qasjeje ka Serbia ndaj viktimave shqiptare, tregojnë këta tre shembuj nga Lugina e Preshevës.

Më 2 shkurt 2000 në Preshevë u nxor nga shtëpia dhe pastaj u kidnapua Nebi Nuhiu, pronar i një pike karburantesh dhe biznesmen i njohur i atij rrethi. Vajza e tij të nesërmen u deklaroi gazetarëve se kidnapimin e babait të saj e kanë kryer “katër djem korpulentë mes moshës 20 dhe 30-vjeçare”. Ata erdhën te pika e karburantit rreth orës 14 me një “Mercedes” me targa të Vranjës dhe me një “Audi”. Gjysmë ore pas kidnapimit kriminelët kërkuan 110 mijë marka. Nëse familja nuk i sjell ato para, ata do ta vrisnin Nebi Nuhiun, kështu u kërcënuan ata. Dy orë më vonë e lejuan Nebi Nuhiun të flasë me familje. Po atë mbrëmje familja arriti të sigurojë 70 mijë marka dhe t’ua dorëzojë kidnapuesve diku “para Vladiçin Hanit”, por Nebi Nuhiu nuk u lirua. Që nga atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij. Inspektorët e policisë së Vranjës nuk e kanë kryer punën e tyre, madje njëri prej tyre shkurt është arrestuar nën akuzën se e ka detyruar Nebi Nuhiun t’i japë para. Edhe pak ditë bëhen 23 vjet që kur Nebi Nuhiu u kidnapua.

Më 2005 forcat ushtarake serbe vranë fëmijën 16-vjeçar, Dashnim Hajrullahu, gjoja për shkak se ai po tentonte të kalonte kufirin nga Presheva në Maqedoni. Kriminelët që kryen këtë akt të llahtarshëm nuk u nxorën kurrë para drejtësisë.

Më 22 maj 2009 persona të panjohur vranë deputetin komunal të Preshevës dhe biznesmenin e njohur Isuf Azizi. Vrasësit nuk u zbuluan kurrë. Propaganda serbe ka tentuar të përhapë gënjeshtrën se inxhinieri Isuf Azizi është vrarë nga shqiptarët pasi paskësh qenë dëshmitar i krimeve të shqiptarëve në Kosovë. Një pjesë e bizneseve të tij e ka selinë në Prishtinë. Për familjet e Nebi Nuhiut, Dashnim Hajrullahut dhe Isuf Azizit nuk ka drejtësi./KOHA.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *