“10 mijë lekë për Bregovic”, Bashkia e Korçës nuk ndalet, lojë politike me ndjenjat
Në kulmin e debateve dhe përplasjeve mbi praninë e këngëtarin serbo-boshnjak, Goran Bregovic, për të marrë pjesë në festën e birrës në Korçë, Bashkia e këtij qyteti, ka përcaktuar edhe çmimin e biletës që shqiptarët apo turistët duhet të paguajnë për të ndjekur koncertin.
Sipas një njoftimi zyrtar, çmimi i biletës do të jetë 10 mijë lekë të vjetra, ndërsa ato mund të blihen online, në një link që është publikuar zyrtarisht nga Bashkia e Korçës.
Vit për vit organizimi nga Bashkia e Korçës për festën e birrës, një aktivit që zhvillohet në mesin e muajit gusht për 3 netë me rradhë, është bërë me fonde publike, pra me paratë e taksapaguesve. Tashmë duket se bashkia ka menduar të arkëtojë para nga koncerti, ku do të performojë edhe Goran Bregovic, prania e të cilit ka krijuar tensione.
Reagimet ndaj Bregovic kanë lidhje me faktin se ai cilësohet një këngëtar që ka frymëzuar serbët në masakrat në Kosovë, ka marrë pjesë në një koncert të zhvilluar në Selanik kundër bombardimit të Serbisë nga NATO në 1999 dhe kurrë nuk ka kërkuar falje, qoftë edhe se ai ka shërbyer si frymëzues.
Bashkia e Korçës në reagimin e saj zyrtar lidhur me kundërshtitë për praninë e Goran Bregoviç, është shprehur se nuk duhet përzierë arti me politikën. Në fakt ndaj Bregovic nuk ka asgjë politike, të paktën nga ata që e kontestojnë praninë e tij në një koncert, por ka të bëjë me masakra, humbje jetësh njerëzish dhe qëndrime që këngëtari, pavarësisht famës, ka mbajtur në momentet më decizive ndaj kombit shqiptar.
Rruga Press