BotaKryesore

Zyrtari i NATO-s e mbështet përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina për ta goditur Rusinë

Udhëheqësi i Komitetit Ushtarak të NATO-s ka thënë se Ukraina ka të drejtat ligjore dhe ushtarake për të sulmuar thellë në territorin rus e për të fituar avantazhe luftarake, edhe pse administrata Biden refuzon t’ia lejojë Kievit përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë.

“Çdo komb që është sulmuar ka të drejtën ta mbrojë veten. Dhe kjo e drejtë nuk ndalon në kufi të kombit tënd”, ka thënë admirali Rob Bauer, duke folur në mbylljen e mbledhjes vjetore të komitetit.
Bauer ka shtuar se kombet e kanë të drejtën sovrane për të vendosur kufizime në armët që i dërgojnë në Ukrainë.

Por, Karel Řehka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Çeke, e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do i vendosë Kievit kufizime të tilla të armëve. 

“Ne besojmë se ukrainasit duhet të vendosin vetë si t’i përdorin armët”, ka thënë Řehka.

Komentet erdhën teksa presidentit amerikan i është shtuar presioni që të vendosë nëse do t’ia lejojë Ukrainës përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë për ta goditur Rusinë, raporton AP.

Bideni u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer të premten, pas vizitës së diplomatëve në Kiev, të cilët vunë presion për t’i hequr kufizimet e armëve. 

Lexo më shumë  Ministri Sveçla: Parcela në perimetrin e sigurisë së stacionit policor në Jarinjë doli pronë e Veselinoviqit, Berat Buzhalës dhe ish-ambasadorit në ShBA

Zyrtarët amerikanë të afërt me zhvillimet thanë se besonin që Starmeri po e kërkonte miratimin e Bidenit për ta lejuar Ukrainën t’i përdorte raketat britanike “Storm Shadow” për sulme në Rusi. Miratimi i Bidenit mund të jetë i nevojshëm, sepse përbërësit e “Storm Shadow” janë të krijuar në SHBA. 

Sigurimi i mbështetjes dhe trajnimit shtesë për Ukrainën ishte një nga temat kryesore në takimin e shefave të NATO-s, por nuk është e qartë nëse u diskutua debati mbi kufizimet e SHBA-së.

Shumë nga kombet evropiane e kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën, pjesërisht sepse shqetësohen se do të jenë viktima e radhës së Rusisë.

SHBA-ja ia lejon Ukrainës përdorimin e armëve amerikane në shkëmbimet ndërkufitare të sulmit për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Por nuk e lejon Kievin t’i përdorë raketat me rreze të gjatë, siç janë ATACMS, thellë brenda territorit rus. 

SHBA-ja ka thënë se Ukraina ka dronë që mund të sulmojnë thellë në territor dhe se duhet t’i përdorë ATACMS me kujdes meqë kanë sasi të limituar të tyre.

Ukraina i ka rritur kërkesat ndaj Washingtonit për t’i larguar kufizimet, veçanërisht pasi dimri po afrohet dhe Kievi shqetësohet për përfitimet ruse gjatë muajve më të ftohtë.

Lexo më shumë  Shkatërrohet vila e Putinit në Detin e Zi, despoti rus heziton ta vizitojë nga frika e sulmeve ukrainase me dronë

“Ju dëshironi ta dobësoni armikun që ju sulmon në mënyrë që jo vetëm t’i ndaloni shigjetat që vijnë në drejtimin tuaj, por edhe ta sulmoni shigjetarin që, siç e shohim, shumë shpesh vepron nga Rusia drejt Ukrainës”, ka thënë Bauer. “Pra, ushtarakisht, ka një arsye të mirë për ta bërë këtë, për ta dobësuar armikun, për t’ia dobësuar linjat logjistike, karburantin dhe municionet që vijnë në front. Kjo është ajo që ju dëshironi të ndaloni, nëse është e mundur”.

Ndërkaq Gjenerali i lartë amerikan C.Q. Brown u ka thënë gazetarëve se politika e SHBA-së për armët me rreze të gjatë mbetet në fuqi. Por, ai ka shtuar se “në të njëjtën mënyrë, ajo që ne duam të bëjmë është të vazhdojmë ta bëjmë Ukrainën të suksesshme me aftësitë që i janë ofruar” nga SHBA-ja dhe vendet e tjera në koalicion, si dhe me armët që Kievi ka mundur t’i ndërtojë vetë.

“Ata e kanë dëshmuar veten mjaft efektivë në ndërtimin e mjeteve ajrore pa ekuipazh, në ndërtimin e dronëve”, u ka thënë Brown gazetarëve që udhëtonin me të në takime në Evropë.

Rruga Press

YouTube player