Zyrtari amerikan thotë se nuk ka gjasa për një takim Biden-Putin
Një takim midis Presidentit të SHBA Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të ndodhi; kështu u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë i administratës, pas indikacioneve në terren se Rusia ka të ngjarë të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainën fqinje.
Të dielën, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se Bideni ra dakord “në parim” për një takim me Putinin, pas takimit të Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov të enjten – për sa kohë që Rusia nuk pushton më tej Ukrainën.
Por zyrtari tha se ndërsa administrata Biden ishte e hapur për angazhime të mëtejshme midis dy liderëve, “nëse do të mendonim se kishte kuptim dhe mund të kishte një ndikim të dobishëm në krizë”, raportet e inteligjencës që tregojnë veprime të mëtejshme ushtarake ruse do të përjashtonin çdo takim të liderëve.
“Ndjenja jonë e fortë, bazuar në gjithçka që po shohim në terren në zonat përreth Ukrainës në veri, në lindje, në jug, është se Rusia po vazhdon të përgatitet për veprime ushtarake që mund të ndodhin në orët apo ditët e ardhshme,” u tha zyrtari gazetarëve, duke shtuar se administrata “me siguri nuk mund të angazhohet për një takim që ka në bazë supozimin se Rusia nuk do të ndërmarrë veprime ushtarake, kur duket se do të bëjnë”.
©Rruga Press