KryesoreLajme

Zv.ministri Qorrolli thotë se sulmi në Zubin Potok është i ngjashëm me atë që Rusia e bëri në Ukrainë

Mjete eksplozive janë vendosur mbrëmjen e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke shkaktuar dëme serioze.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, në reagimin e tij, ka bërë një lidhje të sulmit të mbrëmshëm, me atë që ndodhi para dy ditësh në Ukrainë, ku Rusia nisi sulm me dron në sektorin e energjisë, transmeton Telegrafi.

Ai ka shkruar se nuk ka asnjë dyshim se prapa sulmit në Zubin Potok, qëndrojnë dy organizata terroriste.

“Të enjten e 28 nëntorit, më shumë se 1 milion shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike në të gjithë Ukrainën, pasi Rusia nisi një sulm të gjerë me raketa dhe dron në sektorin energjetik të Ukrainës. Vetëm dy ditë më vonë, natën e mbrëmshme, aleati terrorist i Rusisë, Serbia — veproi ngjashëm e taktikisht njëjtë në fshatin Varagë të Zubin Potokut — duke e minuar digën e Ibër-Lepencit, furnitorin strategjik e kyç të Republikës tonë me ujë. Pa asnjë mëdyshje, dy organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë, qëndrojnë pas këtyre sulmeve terroriste”, ka pohuar ai.

Lexo më shumë  ​Sulmi në Ibër-Lepenc, aksion i madh i policisë në veri

Ndryshe, Policia e Kosovës, rreth orës 19:00 ka siguruar informacione se në veri të vendit, në fshatin Varage të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci”.

Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.

Lexo më shumë  Kurti: Terroristët do të përballen me fuqinë e ligjit të Republikës

Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.

YouTube player