Uncategorized

Zv.ministri për Punët e Jashtme, Ahmeti: Anëtarësimi i Kosovës në KiE të mos trajtohet si mjet pazari apo levë presioni

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka reaguar pas mospërfshirjes së anëtarësimit të Kosovës në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg.

Ai ka thënë se kjo po ndodh megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni. Ky trajtim është një sinjal shqetësues për rajonin, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin. Megjithatë, procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka rikujtuar procesin nëpër të cilin ka kaluar Kosova.

“Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022, dhe në shtator të po atij viti, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sikurse çdo shtet tjetër evropian. Në prill të vitit 2023, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave në favor, pranoi aplikimin dhe e përcolli kërkesën për opinion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka theksuar Ahmeti.

Lexo më shumë  Importet ushqimore arrijnë rekord, bumi turistik në Shqipëri nuk po ndihmon fermerët

Tutje ai ka thënë se për një vit, Asambleja Parlamentare shqyrtoi përmbushjen e standardeve në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, për të hartuar opinionin nëse Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim.

“Në nëntor të vitit 2023, Juristët Eminent publikuan raportin e tyre, ku një ndër përfundimet kryesore ishte se legjislacioni i Republikës së Kosovës është në nivelin e standardeve ndërkombëtare, madje, në disa fusha, siç janë të drejtat e pakicave, shkon përtej tyre. Në prill të vitit 2024, raportuesja Bakoyannis paraqiti raportin e saj në Asamblenë Parlamentare, duke theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit dhe se duhet të ftohet sa më parë si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ky raport u miratua me mbi 80% të votave në favor. Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen ‘kritere jozyrtare’, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë”, ka shtuar Ahmeti.

Lexo më shumë  Importet ushqimore arrijnë rekord, bumi turistik në Shqipëri nuk po ndihmon fermerët

Ai tutje ka thënë se të gjithë ata që mund të kenë shqetësime për të drejtat e pakicave në Republikën e Kosovës mund t’i referohen raportit të Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, i cili thekson se Kosova i tejkalon standardet ndërkombëtare në këtë fushë.

“Për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave, nuk ekziston dhe nuk mund të imagjinohet asnjë mekanizëm vendor apo ndërkombëtar më efektiv sesa Këshilli i Evropës, me të gjithë mekanizmat e tij, veçanërisht me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka nënvizuar Ahmeti.

Rruga Press

YouTube player