Lajme

Zv.kryeministri Bislimi: Pritet që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese brenda disa ditëve

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se pret që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës para takimit të 14 shtatorit, në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb.

Duke folur për dialogun, Bislimi ka theksuar se në këtë proces Serbia “jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator”.

“Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Bislimi në një intervistë për median serbe “Danas” ka deklaruar se zbatimi i plotë i marrëveshjes dypalëshe çon në situatë më stabile se që është tani.

“Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotni”.

Bislimi ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vë theksin te mbrojtja e pakicave, për çka shtoi se Kosova insiston në mbrojtjen e shqiptarëve ashtu si Serbia për serbët në Kosovë.

Lexo më shumë  “Mitrovica pa kryetar”, VV-ja në Mitrovicë shpallë në kërkim Hamzën

“Ne do të insistojmë në mbrojtjen e minoritetit shqiptar në Serbi me të njëjtën energji siç po e bën pala tjetër për komunitetin serb në Kosovë dhe besoj se do të ishte paradoks të sillemi ndryshe. Kjo temë është e pashmangshme, nëse të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë synim arritjen e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.

Ai ka thënë se shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të diskriminuar dhe gëzojnë shumë pak të drejta në krahasim me serbët në Kosovë. Bislimi ka theksuar se shembull për këtë diskriminim në Serbi është pasivizimi i adresave, ndërkohë që ka shtuar se, Kosova në mënyrë të njëanshme po zbaton marrëveshjen për njohjen e diplomave, ndërsa Serbia po zbaton çlicensimin e diplomave tashmë të njohura.

Rruga Press

YouTube player