Opinion/Aktualitet

‘Zona e mbrojtur e qytetit është në një moment tragjik’, ndërtesat historike në Shkodër janë lënë në harresë

Më 17 maj, aktori Nikolin Fërketa sapo përfundoi interpretimin e dramës së Ernest Koliqit “Armiku në shtëpi” dhe po mblidhte skenografinë, kur një copë e rëndë suvaje u shkëput nga një ndërtesë e vjetër në lagjen Gjuhadol të Shkodrës dhe i ra atij mbi shpatulla.

Fërketa u shtri përtokë i gjakosur dhe qëndroi në trotuar, derisa mbërriti ambulanca.

Publiku i mbledhur po ashtu në rrugë për të ndjekur shfaqjen u shtang. Fërketa thotë se qe me fat që copa e ngurtë nuk e goditi në kokë, por në shpatull.

Falenderoj Zotin edhe që nuk e kisha pranë vajzën disa muajshe në ato momente,” shton aktori.

“Armiku” qëlloi të ishte pjesë e njërës prej shtëpive të vjetra të lagjes Gjuhadol, që sipas specialistëve dhe banorëve të zonës, po shkërmoqen dalëngadalë prej braktisjes, burokracive dhe mungesës së vëmendjes dhe bashkëpunimit.

Zona e mbrojtur e qytetit është në një moment tragjik,” paralajmëron Besi Bekteshi, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

Sipas tij, 28 ndërtesa historike janë aktualisht në rrezik shembjeje në Shkodër dhe se në mjaft prej tyre, muret duket se qëndrojnë në këmbë për inerci.

Ekspertët i thanë BIRN se degradimi i monumenteve të kulturës në Shkodër po ndodh për shkak të investimeve të gabuara në të shkuarën dhe  lënies në harresë, si nga pushteti lokal ashtu edhe nga ai qendror.

Investime për fasadë

Në lagjen historike të Gjuhadolit, investimet janë si uji i pakët dhe rikonstruksionet e bëra në të shkuarën kanë qenë të dobëta dhe jetëshkurtra.

Një pjesë e shtëpive të Gjuhadolit u rikonstruktuan në vitin 2013, falë një fondi prej 800 mijë eurosh të Bashkimit Europian, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Shkodrës.

Ndërhyrjet u kryen në fasadat e banesave, në trotuare, ndriçim dhe shtrimin e rrugës me kalldrëm.

Por siç thotë arkitekti dhe ish-zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni, projekti nuk ishte serioz dhe punimet ishin të dobëta.

Po nuk u realizua ndërhyrja në çatitë e shtëpive historike, çdo gjë është e kotë, nga aty futet lagështira. Lyerja e fasadës nuk është zgjidhje, por edhe ajo është bërë keq. Vetëm lustër,”  tha Çuni.

Si profesionist, Çuni mund të dallojë problemet e ndërhyrjeve të gabuara.

Marrim shembullin e grilave të dritareve, autentiket kanë qenë me dru pishe, kurse këto i bënë më dru bredhi. Ato të gjitha tani janë dëmtuar. Duheshin lyer me bojë, u lyen me llak, këto janë gjëra në dukje të vogla, por për mua si profesionist tregojnë mungesë serioziteti dhe keqpërdorim,” i tha arkitekti BIRN.

Lexo më shumë  Bushati: Pranvera e ankthit të Veliajt

Për punime të këqija u ankuan edhe pronarët e shtëpive.

Artur Shtyllari, pronar i njërës prej shtëpive në Gjuhadol shprehet sot i kënaqur që nuk përfitoi nga rikonstruksioni i vitit 2013.

Gjithçka ishte selektive, por unë sot jam i kënaqur që banesa ime nuk u rikonstruktua. Cilësia e punimeve ishte skandaloze, dritare dhe fasadat janë deformuar, ndriçimi mungon në gjysmën e rrugës dhe askush nuk vë dorë,” tha ai.

Gjendjen e rëndë e pranon edhe drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Shkodrës, Gent Ibro, i cili thotë se ata vazhdimisht marrin sinjalizime për banesa të amortizuara, të cilat kryesisht janë të lëna pas dore nga pronarët që jetojnë jashtë apo për shkak se trashëgimtarët nuk gjejnë dakordësi mes tyre.

Ne marrim sinjalizime, pasi ato rrezikojnë të dëmtojnë dhe ndërtimet përbri apo rrezikojnë jetën e banorëve dhe kalimtarëve, mirëpo ne si zyrë nuk kemi autoritet,” tha Ibro.

Mes burokracisë dhe tundimit

Ibro thotë se ligji ua ngarkon detyrimet e kujdesit për këto shtëpi pronarëve, por këta të fundit gjenden prej kohësh mes dy zjarreve.

Ndërsa ata duhet t’u nënshtrohen një morie burokracish për të nxjerrë leje të rikonstruksionit, që sidoqoftë kushton shtrenjtë, në krahun tjetër u bëjnë karshillëk pallate shumëkatëshe që nuk  kanë asnjë lidhje me historinë e zonës.

Ajo çka ne si pronarë na shqetëson më së shumti janë lejet për ndërtime të mëdha  që po jepen në këtë rrugë muzeale, që nuk përshtaten me objektet historike përreth. Këtu shtëpitë kanë qenë dy kate, ndonjë rrallë kishte 3 kate,” tha Shtyllari.

Ish-shtëpia e pionierit, ish-muzeu ateist ka afër objekt 12 katësh,” shtoi ai.

Përballë këtij kontrasti, banorët ankohen se duhet të përballen me burokraci edhe për meremetimet më të vogla.

Tomi Ujkaj, një tjetër trashëgimtar i një banese ironizon situatën e tyre.

Pak boll jena në vëmendjen e  shtetit, sepse më kanë rrethu me pallate, kur në të njëjtën kohë nuk ban me ndërtu aty. Shife vet si më kan rrethu, pra vëmendje hiç, shkelje sa të duash,  abuzim pushteti sa të duash,” tha Ujkaj.

Ervin Gjini, ish-drejtori tjetër i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër në vitet 2013-2014 i tha BIRN se procedura e rikonstruksionit të banesave historike shihej me dyshim si një shtetëzim i dytë prej pronarëve.

Lexo më shumë  Qeveria e re serbe me dy zv.kryeministra rusë

Ata kishin vuajtur mbi supe marrjen e pronave nga shteti dhe tjetërsimin e tyre, e  tani në demokraci, ata sërish nuk ishin të lirë të shfrytëzonin apo rikonstruktonin pronën e tyre,” shpjegoi ai.

Lënia në harresë

Për vitin 2021, Bashkia e Shkodrës nuk ka parashikuar fonde për restaurimin e objekteve historike, përveç rrjetit të muzeve nën administrimin e saj. Ndërsa qeveria qendrore –në konflikt me kryebashkiaken demokrate të Shkodrës e ka kufizuar edhe më tej praninë e vet në qytet.

Mosmarrëveshjet politike mes qeverisë dhe bashkisë konsiderohen një problem kyç për mbrojtjen e ndërtesave historike në qytetin e Shkodrës. Ekspertët shtojnë gjithashtu se një tjetër problem është mungesa e kapaciteteve në institucionet e trashëgimisë kulturore.

Çuni, dikur përgjegjës për restaurimin e Kalasë së Shkodrës dhe dy herë kandidat i Partisë Socialiste për deputet i tha BIRN se mbi 130 monumente kulture, që shtrihen nga Puka në Dibër mbikëqyren sot nga një zyrë rajonale me vetëm 2 punonjës, nga 40-50 që kanë qenë më herët.

Megjithatë, Çuni theksoi se zgjidhje mund të gjenden, por vetëm nëse ka bashkëpunim mes të gjitha palëve në proces.

Zgjidhja imediate është të restaurohen çatitë dhe fasadat dhe mirëmbajtja e brendshme të bëhet nga pronarët, ose për objekte unikale të shtetëzohen dhe të marrin funksione publike,” propozoi Çuni.

Duhet një bashkëpunim, këtu është defekti i Shkodrës, sepse s’ka bashkëpunim mes ministrisë së Kulturës dhe bashkisë,” shtoi ai.

Besi Bekteshi po ashtu këmbëngul në një ndërhyrje më të fortë të qeverisë qendrore dhe në ndryshimin e ligjit. Ai thotë se e shikonte zgjidhjen te vendosja e detyrimeve për pronarët, që nëse nuk i mirëmbajnë shtëpitë, t’i lënë ato nën administrim publik.

Historiani Dom Nik Ukgjini e konsideroi një emergjencë shpëtimin e trashëgimisë kulturore në Shkodër, ndërsa ngriti dyshime se pas lënies së tyre në harresë mund të fshihen interesa private.

Diçka duhet  të bahet dhe duhet të merren edhe iniciativa private. Ata që e kanë për detyrë, nuk e bëjnë prej neglizhencës apo interesave të caktuara,” tha Dom Nik Ukgjini.

“Moskujdesi sjell dëm të madh për brezat e ri. Lënia në harresë e këtyre figurave e shkëput një gur në mozaikun e madh të qenies kombëtare,”përfundoi ai./Emi Kalaja/Reporter.al/

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *