Lajme

Zgjerimi i BE-së do t’u kushtojë shteteve anëtare mbi 250 miliardë euro

Zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë nëntë shtete të reja, përfshirë Ukrainën, do t’u kushtonte anëtarëve ekzistues më shumë se 256 miliardë euro, kanë zbuluar llogaritjet e brendshme, raportoi The Guardian.

Për këtë, është menduar që të bëhet shndërrimi i shumë shteteve që aktualisht gëzojnë përfitime financiare nga BE-ja, në kontribuuese.

Kostoja e madhe e zgjerimit është zbuluar ndërsa 51 liderët evropianë zbresin në Granada të Spanjës për një tubim të komunitetit politik evropian dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm për nëntë fqinjët në radhë për t’iu bashkuar BE-së.

“Të gjitha shtetet anëtare duhet të paguajnë më shumë dhe të pranojnë më pak nga buxheti i BE-së; shumë shtete anëtare që aktualisht janë pranuese neto do të bëhen kontribuues neto”, thuhet në dokumentin e sekretariatit të Këshillit të BE-së të cilin e ka parë Financial Times.

Ukraina, që është shteti më i madh nga të nëntat që është pranuar si kandidat potencial, do të kishte të drejtë për 186 miliardë euro për shtatë vjet, sipas dokumentit.

Zgjerimi është bërë një nga temat më urgjente për BE-në, me liderët që takohen të premten dhe diskutojnë se si ta drejtojnë debatin për të ardhur në pika kryesore përfshirë buxhetin, numrin e ulëseve në Parlamentin Evropian, të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore dhe nëse blloku i zgjeruar mund të vazhdojë me votim unanim në fusha të caktuara.

Lexo më shumë  Knut Abraham i zhgënyer me Gjermaninë dhe Këshillin e Evropës: Në këtë 75-vjetor të KiE nuk ka shumë për të festuar

Një diplomat i lartë ka thënë se buxheti pritet të jetë çështja më e diskutueshme dhe duhet të përfundojë deri më 2027, kur cikli i radhës financiar fillon. Në këtë mënyrë, BE-ja mund të tregojë se është e gatshme, duke hequr çdo arsyetim për shtyrjen e diskutimeve mbi atë se sa shpejt Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të anëtarësohen.

Më herët këtë vit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pati thënë se afati i fundit duhet të jetë viti 2030, por burimet diplomatike kanë thënë se një afat i tillë është “i rastësishëm” dhe pa kuptim. Një cak në 2027-n, thanë burimet, koncentron mendjet e liderëve të BE-së në dy vitet e ardhshme dhe ofron një kornizë për diskutim real në vend të një diskutimi konceptual.

Dokumenti thotë se buxheti do të ngritej për 21% në 1.47 trilion euro nëse të nëntë shtetet anëtarësohen. Kjo do të përfshinte rritje të theksuar të kontributeve për Gjermaninë, Francën dhe Holandën, me periudha tranzicioni të nevojshme për të rritur financimin.

Lexo më shumë  "Kosova është demokraci funksionale", Doris Pack: Ndihem thellësisht e turpëruar nga qeveria e vendit tim, Gjermanisë

Shuma e shpenzuar për bujqësinë do të ndërronte gjithashtu, me Ukrainën me të drejtën për 95 miliardë euro gjatë shtatë viteve, një kosto tjetër që shtetet anëtare duhet të marrin në konsideratë. Ukraina ka argumentuar se si një lider botëror në tregjet e drithërave, vajit të lulediellit dhe shpendëve, anëtarësimi i saj do të forconte sigurinë ushqimore të BE-së.

Një fond tjetër thelbësor, i njohur si fondi i kohezionit, që ofron para për infrastrukturë në shtetet më pak të zhvilluara, po ashtu do të ndikohej nga zgjerimi. Me formulën aktuale financiare, Republika Çeke, Estonia, Sllovenia, Qipro, Malta dhe Lituania nuk do të kishin më të drejtën për këtë fond.

Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja duhet menjëherë të përgatitet për ndryshime radikale të nevojshme për Ukrainën dhe shtetet e tjera që të bëhen anëtare të bllokut.

Ka shqetësime se ndërkohë që BE-ja ka përcaktuar objektivat e reformës për Ukrainën, Moldavinë dhe shtatë shtetet e tjera që kërkojnë t’i bashkohen bllokut, ajo ende nuk ka dhënë propozimet e detajuara për ndryshimet e nevojshme në shtetet anëtare.

Rruga Press

YouTube player