Zgjatet me 3 muaj hetimi për Trifon Muratajn. Asnjë vendim nga SPAK dhe prokuroria Durrës për bllokimin e “Bana King”
Teksa kanë kaluar 3 muaj nga sekuestrimi i një sasie prej 33.5 kg kokainë në njërin nga kontinjerët e bananeve të kompanisë “Bana King”, prokuroria e Durrësit, vendosi në fillim të muajit shkurt 2023, të zgjatë me tre muaj të tjerë hetimin për këtë çështje.
Prokurorët e çështjes, kanë motivuar shtyrjen e afatit hetimor me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, duke përfshirë këtu dhe ardhjen e një përgjigje-letërporosi nga autoritet e Drejtësisë Italiane dhe ato Ekuadoriane.
Megjithëse hetimi në Durrës vijon për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve” kryer në bashkëpunim ndaj biznesmenit Trifon Murataj dhe punonjësve të kompanisë “Zico”, Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj.
“Ora News” mëson se një tjetër hetim,siç është verifikimi i pasurive të biznesmenit Murataj, ka mbetur në vend numëro.
Dosja e hetimit pasurur ndaj subjektit tregtar “Zico” apo qoftë dhe “Bana King” e Trifon Murataj, duket se ka “përhumbur” mes sirtarëve të prokurorisë dhe policisë. Dhe kjo burokraci në organet e hetimit pranë prokurorisë së Posaçme SPAK dhe prokurorisë së Durrësit, ka sjellë mos marjen e asnjë mase ndaj pasurive.
Prej më shumë se një viti, SPAK ka të rregjitruar një çështje penale për “Trafik të Narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Grup të strukturuar kriminal”, ndaj tre personave Marson Murataj, nipi i Trifon Muratajt dhe dy shoferët e kamionit Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Të tre personat fillimisht u arrestuan në 30 dhjetor 2021 nga prokurori i Tiranës, Arjan Përmeti, i cili më pas çështjen ja delegoi për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi brenda në kontinjerin me banane, u zbuluan 49 arka të mbushura me 119 kg kokainë.
Prej më shumë se 1 vit, kjo dosje ndodhet në tavolinën e prokurorëve të SPAK, të cilët jo vetëm nuk kanë përfunduar hetimet për të çuar në gjyq tre të ndaluarit. Por nuk kanë marë asnjë masë sekuestrimi ndaj pasurive të kompanisë “Zico” dhe pronat e tjera që administrohen nga Trifon Murataj.
Nrdyshe nga precedentët e tjerë, SPAK është treguar shumë i shpejtë në këtë drejtim, pasi ka bllokuar pasuritë dhe kompaninë “Garden” të Arbër Çekaj, kompaninë “Alba Exotik Fruits” të Eduard Dautit, kompaninë “Rrapo” të Dritan Rrapaj etj.
Me të njëjtën shpejtësi SPAK, vuri në sekuestro 35 pasuritë e Ervis Martinaj dhe familjarëve të tij. Dhe po me të njëjtën shpejtësi, dhe duke u bazuar në ligjin “Antimafia”,prokurorët e SPAK, bllokuan 10 pasuri të Florenc Çapjas dhe një pasuri të Bledar Muçës.
Të gjitha këto pasuri dhe të tjera që SPAK ka bllokuar, ia ka kaluar për administrim Agjensisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Shpejtësia “rrufe” e SPAK, për të bllokuar pasuritë është treguar dhe tek dy rastet e hetimit pasuror të dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe Bashkim Dedja.
Por ndryshe nga këto raste, hetimi pasur tek biznesmeni i bananeve Trifon Murataj, nuk ka këtë shpejtësi dhe çuditërisht prokurorët nuk aplikojnë qoftë dhe dispozitat dhe nenet e veçanta të ligjit “Antimafia”.
E njëjta situatë është dhe në prokurorinë e Durrësit, ku me sa duket përmes lidhjeve politike dhe në polici, Trifon Murataj jo vetëm që ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, por dhe të mbajë të paprekura bllokimin e pasurive të tij./Ora news
Rruga Press