Bota

Zelensky përmend katër shtete që mund të jenë objektivët e ardhshëm të Putinit ​

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se hezitimi i Perëndimit për ndihmën ndaj Ukrainës po inkurajon Rusinë – komente që ai bëri gjatë një vizite në Lituani, teksa nisi një turne të paparalajmëruar më parë në tri shtete baltike.

Të mërkurën, Zelensky i tha homologut të tij lituanez se Ukraina duhet të forcojë mbrojtjen e saj ajrore dhe të plotësojë furnizimet e saj me municion ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj me raketa dhe dron në luftën e saj gati dyvjeçare kundër Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja.

“Ne kemi dëshmuar se Rusia mund të ndalet, se parandalimi është i mundur”, citohet të ketë thënë ai pas bisedimeve me presidentin lituanez Gitanas Nauseda.

“Ndonjëherë, pasiguria e partnerëve në lidhje me ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën vetëm rrit guximin dhe forcën e Rusisë”, ka shtuar ai.

Lexo më shumë  Borrell: Disa shtete evropiane pritet të njohin shtetësinë palestineze në maj

“Ai [Presidenti rus Vladimir Putin] nuk do ta përfundojë këtë [luftë] derisa ne të gjithë ta përfundojmë atë së bashku”, ka thënë më tej Zelensky, duke shtuar, “Lituania, Letonia, Estonia, Moldavia mund të jenë të radhës”.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi gjithashtu Lituaninë për ndihmën e saj ushtarake dhe vullnetin e mirë.

“Ne e dimë se sa e lodhshme është kjo luftë e gjatë dhe ne jemi të interesuar për fitoren e plotë të Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur”, u tha Nauseda gazetarëve.

Ndërsa në Estoni, kryeministrja Kaja Kallas përsëriti mbështetjen e vendit për Ukrainën.

“Këto janë momente vendimtare dhe ne duhet të mbajmë fokusin tonë”, ka thënë ajo.

Vendet në Detin Baltik janë ndër mbështetësit më të vendosur politikë, financiarë dhe ushtarakë të Ukrainës.

Vizita e Zelenskyt vjen pak para se të bëhen dy vjet që nga fillimi i agresionit të plotë të Rusisë në Ukrainë.

YouTube player