Zelensky tregon se sa përqind të territorit ukrainas kontrollojnë rusët
Një e pesta e territorit të Ukrainës është nën kontrollin e Rusisë, ku Donbasi është shkatërruar pothuajse plotësisht, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një fjalimi të mbajtur para politikanëve në Luksemburg.
“Deri më sot, rreth 20 për qind e territorit tonë është nën kontrollin e okupatorëve, pothuajse 125 mijë kilometra katrorë. Është një rajon shumë më i madh sesa të gjitha vendet e Beneluksit”, shtoi Zelensky para deputetëve në Luksemburg, transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se janë duke vazhduar luftimet në një vijë të frontit që shtrihet në mbi 1 mijë kilometra – nga rajoni i Kharkivit e deri në Myoklaiv në jug të vendit.
Sipas tij, Donbasi thjesht është shkatërruar i tëri – që dikur ishte një prej qendrave më të zhvilluara industriale në Evropë.
Kabineti i Zelenskyt pretendon se më shumë se 30 mijë ushtarë rusë janë vrarë nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Rruga Press