Zelensky lidh sulmet ruse në Odesa me anulimin e marrëveshjes së grurit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i lidhi sulmet masive ruse në objektet portuale në Odesa me përfundimin e marrëveshjes së grurit.
“Terroristët rusë po synojnë absolutisht qëllimisht infrastrukturën e marrëveshjes së grurit dhe çdo raketë ruse është një goditje jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë në botë që aspirojnë një jetë normale dhe të sigurt”, shkroi sot ai në Telegram.
‘’Ushtria është udhëzuar të mbrojë më mirë infrastrukturën portuale’’, tha ai.
‘’Ministria e Jashtme e Ukrainës duhet të punojë në rritjen e presionit ndërkombëtar për vazhdimin e eksportit normal të grurit ukrainas”, shtoi Zelensky.
Rusia ndërpreu marrëveshjen për të transportuar grurë ukrainas përmes Detit të Zi të hënën.
Dje, ushtria ruse sulmoi objektet portuale në rajonin e Odesës, me raketa dhe dronë, për të dytën ditë radhazi dhe pati raportime për sulme ajrore edhe në zona të tjera.
Ministria ruse e Mbrojtjes i përshkroi sulmet e mëparshme si hakmarrje për dëmtimin e urës në gadishullin e aneksuar të Krimesë, e cila dyshohej se ishte shkaktuar nga dronët ukrainas.
Rruga Press