Zelensky i kërkon ShBA-së interceptorë të mbrojtjes ajrore: Raketat balistike ruse janë avantazhi i fundit madhor i Putinit në fushëbetejë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë një apel të dyfishtë presidentit Donald Trump dhe Kongresit amerikan për më shumë municione të mbrojtjes ajrore, përfshirë raketat Patriot, pasi Rusia goditi Ukrainën me valë raketash balistike.
Presidenti ukrainas ka thënë se raketat ruse përfaqësojnë “avantazhin e fundit madhor të Vladimir Putinit në fushën e betejës” dhe se neutralizimi i tyre do ta detyronte udhëheqësin rus të negocionte.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, Rusia ka përdorur 30 raketa balistike kundër Ukrainës në një sulm masiv të dielën dhe vetëm 11 prej tyre janë rrëzuar. Zelensky ka thënë gjithashtu se trupat ruse kanë lëshuar dy raketa Oreshnik me kapacitet bërthamor.
Mjeti i vetëm që Ukraina ka për të rrëzuar raketat balistike ruse janë interceptorët e prodhuar në ShBA që përdoren nga sistemi i mbrojtjes ajrore Patriot. Gjatë katër vjetëve të luftës, Kievi ka pasur mungesë të këtyre interceptorëve. ShBA-ja supozohet t’i furnizojë ato përmes nismës Purl, e financuar nga Evropa, por lufta me Iranin dhe antipatia e Donald Trumpit ndaj Ukrainës kanë vënë në rrezik furnizimet.
Ukraina ka gjithashtu sistemin e ngjashëm interceptor SAMP/T, i prodhuar nga Franca dhe Italia, por autoritetet ukrainase thonë se ai ka nevojë për përmirësime për të qenë në gjendje të rrëzojë raketa balistike.
Në letrën e tij drejtuar Trumpit dhe Kongresit amerikan, të parë nga Reuters, Zelensky e ka paraqitur mbrojtjen raketore si një mjet për ta detyruar presidentin rus të ulet në tryezën e negociatave.
“Për sa kohë Putini ka qoftë edhe një avantazh domethënës në armët konvencionale, ai do t’i shmanget diplomacisë konvencionale. Sot, raketat e tij balistike mbeten pikërisht kjo, avantazhi i tij i fundit madhor në fushën e betejës … Ukraina është e gatshme të blejë numrin e sistemeve Patriot dhe raketave interceptuese që na duhen … Ritmi aktual i dërgesave përmes programit Purl nuk po arrin më të përballojë realitetin e kërcënimit me të cilin përballemi”, thuhet ndër të tjerë në letrën e tij.
Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar disa runde bisedimesh vitin e kaluar me ndërmjetësimin e ShBA-së, mirëpo me fillimin e sulmeve amerikano-izraelite ndaj Irani më 28 shkurt të këtij viti, palët nuk janë takuar më.
Rruga Press

