Lajme

Zëdhënësi i VV-së e lidh çështjen Berishaj me fushatën në Slloveni

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, e ka lidhur çështjen e skandalit financiar në Slloveni, ku implikohej emri i ambasadorit Martin Berishaj, me fushatën elektorale që po zhvillohet në këtë shtet.

Emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ndodhet në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë në dy ditët e fundit. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob. Sipas Planet TV-së, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te Kompania e ambasadorit të Kosovës, MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Raportimi është mohuar nga Berishaj.

Në dy postime në Facebook, Manxhuka ka lidhur të gjithë çështjen me fushatën elektorale në Slloveni.

“Edhe për faktin që kam jetuar një kohë në Slloveni gjithnjë ndjek zhvillimet politike atje. Dje ishte përballja e fundit e kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 24 prillit 2022. Aktualisht gara kryesore po zhvillohet mes subjektit të ri ‘Lëvizja për Liri’ të Robert Golob dhe kryeministrit aktual Janez Jansha. Aktualisht në të gjitha matjet prin Golob, madje me këtë lidhet i gjithë sikleti i kinse aferës. Një fakt edhe më interesant bëhet që pothuajse asnjë medium serioz nuk e ka cituar publikimin e asaj ‘afere’ pos TV Planet me pronar hungarez, për të cilin në Slloveni flitet për afërsinë e tij me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban”, ka thënë Manxhuka.

Lexo më shumë  Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë – dronët që u përdoren ndaj Izraelit janë “Shaheed”, mijëra të tillë i ka edhe Serbia

Duke përmendur akuzat e opozitës ndaj kryeministrit slloven Jansha të cilin e cilësojnë autokrat, Manxhuka ka kujtuar raportimet kur thuhej se ka një iniciativë të Janshës për shkëmbim territorial në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mbajmë mend kur portali slloven ‘Necenzurirano’ nxori dokumentin e idesë së të ashtuquajturit ‘Shkëmbim Territorial’ apo ndarjes së Kosovës ku theksohej iniciativa e Janshës në këtë drejtim në ndihmë të liderëve e ish-liderëve të Kosovës e Serbisë”, ka shkruar ai.

Në një postim tjetër, Manxhuka ka publikuar raportimin e “Zhurnal 24” pas blerjes së mediumit “Planet TV” kohë më parë.

“‘Ne boste verjeli, kdo naj bi kupil Planet TV’ apo në shqip ‘Nuk do ta besoni se kush e ka blerë Planet TV’, ishte titulli i njërit prej mediumeve serioze në Slloveni Zurnal24 kur u ble mediumi Planet deri asokohe slloven. ‘Pronari i saj është József Vida, një nga oligarkët kryesorë nga rrjeti i biznesit të partisë hungareze në pushtet Fidesz, sipas gazetarëve të pacensuruar’, shkruante ndër të tjera Zurnal24”, ka thënë Manxhuka.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu: Nuk është faji i grave që janë dhunuar seksualisht, paragjykimet ende janë prezentë në shoqëritë tona

Akuzat për implikim në skandal financiar ndërkombëtar i ka mohuar ambasadori Berishaj, i cili ka thënë se të njëjtave do t’u përgjigjet me padi për shpifje. Sipas tij, përmes kësaj padie do ta mbrojë drejtësinë dhe të vërtetën.

Në mbrojtje i dolën krerët shtetërorë. Fillimisht presidentja Vjosa Osmani u shpreh se i beson pafajësisë së ambasadorit, ndërkaq më vonë Presidenca sqaroi se ka kërkuar nga Berishaj të vijë në Kosovë për të dhenë sqarime.

E në Zyrën e Kryeministrit kanë thënë të jenë të interesuar për prova e jo pretendime. Mbështetur në një përgjigje që është ofruar nga kjo zyrë, duhet të kihet kujdes ndaj pretendimeve që janë mohuar nga ambasadori, sidomos në kohën kur në Slloveni po zhvillohet një garë elektorale.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *