“Zbutja” e Rusisë, tërhiqen 10 mijë trupa nga kufiri me Ukrainën
Rusia njoftoi tërheqjen e më shumë se 10 000 trupave të vendosura në zonën kufitare me Ukrainën. Moska tha se kjo tërheqje shënon përfundimin e stërvitjeve ushtarake pranë Ukrainës, në një kohë që Perëndimi prej kohësh ka hedhur hipotezën se ajo ishte pjesë e një plani për të pushtuar ish-fqinjin e saj sovjetik.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitjet për forcat e Qarkut Ushtarak Jugor u zhvilluan në një mori rajonesh jugore duke përfshirë Rostovin, Krasnodarin dhe Krimenë, të cilat Moska ia mori Ukrainës në vitin 2014.
Por stërvitjet u përhapën edhe më gjerë, duke përfshirë në Stavropolin, Astrakhanin, republikat e Kaukazit të Veriut dhe madje edhe në Armeninë aleate të Rusisë në Kaukaz.
Vendet perëndimore e kanë akuzuar Rusinë për grumbullimin e më shumë se 100 000 trupave pranë Ukrainës përpara një pushtimi të mundshëm në janar.
Sipas Kievit, numri i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës është rritur nga rreth 93 000 trupa në tetor në 104 000 aktualisht.
Rusia thotë se është e lirë të lëvizë forcat e saj në territorin e saj siç e sheh të arsyeshme dhe mohon se po planifikon një sulm në shkallë të gjerë.
Ajo i ka paraqitur Perëndimit disa kërkesa dhe i ka bërë thirrje NATO-s të mos pranojë anëtarë të rinj dhe të mos vendosë baza në ish-republikat sovjetike.
Tensionet arritën kulmin të mërkurën kur presidenti Vladimir Putin tha se Rusia do të përgjigjej ushtarakisht ndaj asaj që ai e quajti “qëndrimin agresiv” të Perëndimit.
Por ai e uli volumin të nesërmen, duke thënë se kishte parë një reagim “pozitiv” nga Shtetet e Bashkuara ndaj propozimeve të Rusisë për sigurinë dhe tha se muajin e ardhshëm do të ketë bisedime.
Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se Uashingtoni është “i gatshëm të angazhohet në diplomaci që në fillim të janarit”, si në planin dypalësh ashtu edhe përmes “kanaleve të shumëfishta”.
Të shtunën, një zyrtar i qeverisë gjermane tha se Moska dhe Berlini kishin rënë dakord për një takim në “fillim të janarit”.
Udhëheqësi gjerman, Olaf Scholz, dhe Putin në një telefonatë të enjten ranë dakord për takimin mes këshilltarit diplomatik të kancelarit, Jens Ploetner, dhe drejtuesit të Kremlinit për marrëdhëniet me Ukrainën, Dmitry Kozak.
Në një intervistë të premten, një zyrtar i lartë ukrainas i sigurisë i tha AFP se nuk kishte rrezik për një pushtim të afërt rus.
Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014, kur Moska aneksoi Krimenë, një konflikt që deri tani ka marrë mbi 13 000 jetë.
Perëndimi ka akuzuar prej kohësh Kremlinin se ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore. Ndërsa Rusia i hedh poshtë këto pretendime.
Rruga Press