Lajme

Zbulimi në Lin – “Shqipëria, nyjë kyçe e Evropës parahistorike”

Nga Col Mehmeti

Nëntoka shqiptare është fare pranë dhënies së plot përgjigjeve për pyetjet që kanë kërshëruar arkeologjinë parahistorike në Evropë për më shumë se një shekull. Ndërmarrje e përbashkët zvicerano-shqiptare, projekti EXPLO i Universitetit të Bernit së fundmi ka dalë me përfundimet preliminare mbi gjetjet në fshatin Lin, buzë liqenit të Pogradecit. Analizat e para bëjnë me dije për bujqësi e civilizim liqenor me një hershmëri prej më shumë se 8 mijë vjetësh, duke e bërë këtë areal si më të vjetrin e këtij lloji në Evropë. Ndonëse gjurmë vendbanimesh palafite në truallin shqiptar janë ndeshur edhe në Dunavec e Maliq, zbulimet e fundit në Lin bëjnë me dije se ky lloj civilizimi palafit është më i vjetër sesa ai në Zvicër e në zonën alpine. “Jam shumë i lumtur që Shqipëria është bërë nyjë kyçe e këtij tregimi dhe unë kam pasur fatin të punoja aty”, ka thënë Lekë Shala, arkeolog nga Kosova, i cili bashkë me kolegen Kaltrina Igrishta kanë qenë pjesë e projektit të përbashkët

Skaji juglindor i Shqipërisë fare lehtë mund të përmbysë njohuritë e gjertanishme mbi vendbanimet neolitike në Evropë. Në sfondin panoramik buzëliqenor, fshati i Linit është shtrojera e një qendre palafite që zbret plot 8500 vjet në kohë. Së paku kështu është trumbetuar prej ditësh në media.

Nëpërmjet një afishimi të shkurtër në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar se një zbulim i rrallë ka dalë në dritë në Buqezë të Pogradecit, pranë Linit.

“Arkeologët e Universitetit të Bernës, në bashkëpunim me arkeologët shqiptarë na konfirmojnë se në këtë vendbanim 8 mijë e 400 vjet më herët, është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi”, ka shkruar kreu i qeverisë shqiptare të martën mbrëma. “Ky zbulim i ri, përveçse ka vlerë të padiskutueshme historike dhe arkeologjike, do të jetë një pikë e re referimi për turizmin”.

Fryt i një kërkimi sistematik katërvjeçar – një ndërmarrje e udhëhequr prej ekspertësh të Universitetit të Bernit në Zvicër bashkë me kolegë shqiptarë – gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën parahistorike e fillet e bujqësisë

Hafner: “Vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Evropë”

Fryt i një kërkimi sistematik katërvjeçar – një ndërmarrje e udhëhequr prej ekspertësh të Universitetit të Bernit në Zvicër bashkë me kolegë shqiptarë – gjetjet e reja në tokën shqiptare mund ta revolucionarizojnë njohjen arkeologjike për Evropën parahistorike e fillet e bujqësisë.

Udhëheqësi i këtyre gërmimeve arkeologu Albert Hafner, në një adresim para mediave vendore në Shqipëri të bërë të hënën, ka konfirmuar se gjetjet sipërfaqësojnë një vendbanim që e zhvilloi bujqësinë së paku dymijë vjet më herët sesa vendbanimet analoge në Zvicër.

“Njohuritë që i kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja për vendbanimin më të vjetër të këtij lloji në Evropë”, ka thënë ai. Sipas tij, qëllimi i kërkimeve është që të precizohen më mirë datat se kur filloi bujqësia në këto anë. “Këtu është zhvilluar bujqësia e cila është përhapur në Itali dhe gjithë Evropën”, ka shtuar Hafner i cili është profesor i arkeologjisë parahistorike në Universitetin e Bernit dhe anëtar i “Oeschger Center for Climate Change Research”.

“Pyetje për të ardhmen”

Arkeologu Adrian Anastasi, i cili ka qenë pjesë e këtyre kërkimeve, ka thënë se vendbanimi në Lin rezulton të jetë më i vjetri në Evropë. Sipas tij, zbulimet e bëra nga viti në vit vijojnë të jenë befasuese.

“Ky lloj vendbanimi që po rezulton të jetë më i vjetri në Evropë ngre edhe pyetje të reja që i takojnë të ardhmes se përse këta njerëz vendosën që të kalonin nga vendbanimet e brendatokës në bregliqen apo në liqen”, ka thënë Anastasi.

Lexo më shumë  Shpenzimet kapitale në Shqipëri 71% më pak se plani në 3-mujor, niveli më i ulët që nga 2009-ta

Qysh në mars të këtij viti, ekipi i përbashkët i kërkuesve kishte zbuluar një mjet lundrues dhe copëza kulture materiale nga neoliti. Megjithatë, Universiteti i Bernit ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi gjetjet e fundit në Lin.

Në faqen zyrtare të këtij universiteti lajmi i fundit nga këto gërmime është bërë më 2021 me titullin “The first farmers of Europe” (Bujqit e parë të Evropës).

Nga ky përshkrim bëhet e ditur se një ekip kërkuesish nga Universiteti i Bernit kishte përqendruar përpjekjet e tij rreth liqenit të Ohrit, më i vjetri në Evropë, që luajti një rol kyç në përhapjen e bujqësisë. Në kuadër të projektit EXPLO, arkeologët zviceranë fillimisht kishin bërë gërmime në anën tjetër të liqenit, përkatësisht te gjiri i Ploča Mičov Gradit në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Qysh në mars të këtij viti, ekipi i përbashkët i kërkuesve kishte zbuluar një mjet lundrues dhe copëza kulture materiale nga neoliti. Megjithatë, Universiteti i Bernit ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi gjetjet e fundit në Lin

“Pasuri e denjë për UNESCO”

Kishin qenë pikërisht këto gjetje që kishin shtuar interesimin e ekipit zviceran për t’i vazhduar kërkimet edhe në anën shqiptare të liqenit. “Vendbanimet mbi hunj përreth Alpeve janë shpallur trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO-ja që nga 2011-a, kurse vendbanimet liqenore në Ballkanin jugperëndimor janë jo më pak të rëndësishme”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Bernit të bërë para dy vjetësh. “Rajoni ofron një situatë të krahasueshme me viset përreth Alpeve: mbetëza të vendbanimeve parahistorike janë ruajtur në një numër liqenesh në Shqipërinë e sotme, në veri të Greqisë dhe në Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, me pak përjashtime, vendndodhjet në Ballkan janë studiuar pak e hiç”. Kësisoj, nga viti 2019 kërkimet e ekipit EXPLO kishin vijuar edhe në shtresën e njohur prej arkeologëve si “Lin 3”.

Shala: “Ëndërr e çdo arkeologu”

Pjesë e gërmimeve në Lin kanë qenë edhe Lekë Shala e Kaltrina Igrishta, dy arkeologë të rinj nga Kosova që aktualisht vijojnë studimet për arkeologji parahistorike në Gjenevë të Zvicrës. Në një prononcim për KOHËN, arkeologu Lekë Shala ka bashkëndarë përvojën e tij nga kërkimet në Lin. Sipas tij, gërmimet arkeologjike ofrojnë gjithnjë një përvojë të re sa i përket pyetjeve që dalin nga gjetjet.

“Të gërmosh në një vendbanim palafiti në bashkëpunim me universitetet nga Zvicra, në këtë rast me Universitetin e Bernit, është ëndrra e çdo arkeologu të parahistorisë”, ka thënë Shala teksa ka precizuar se ishin studiuesit zviceranë nismëtarë të kësaj fushe dhe metodat e tyre të përditësuara ofrojnë besueshmëri shkencore.

“Ngazëllimi ishte edhe më i madh kur kemi parasysh rëndësinë e vendbanimit sikurse ky në Lin të Pogradecit, që është më i vjetri i këtij lloji në Evropë”, ka thënë ai.

Për arkeologun nga Kosova, përvoja në terren me kolegët nga Universiteti i Bernit dhe Oksfordit ishte tejet e frytshme për nga bashkëpunimi. Ai njashtu ka zënë në gojë edhe frymën kolegiale të krijuar nga arkeologët Adrian Anastasi e Ilir Gjipali, të cilët, sipas tij, nuk kanë nguruar të shpalosin përvojën e tyre të vlefshme.

Duke folur për rëndësinë e zbulimit në Lin, Shala ka thënë se në shekullin e 19-të studiuesit zviceranë Keller, Schwab e të tjerë nismuan atë që njihet si “arkeologji e ligatinave” (wetland archaeology).

“Bota nuk do ta mendonte kurrë se do të rishkruhej tërësisht, jo vetëm historia njerëzore por edhe vetë të kuptuarit e një vendbanimi parahistorik”, ka thënë Shala. “Jo rastësisht këto lloj vendbanimesh në Evropë, e veçmas ato në Zvicër, ruhen me fanatizëm dhe janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”.

Lexo më shumë  Lubonja: Telefonata e Ramës ndaj medias italiane RAI, fantashkencë dhe e papranueshme

“Gjetjet në Lin, informacion për jetën në neolit”

Më tej, Shala ka përmendur se në këto site, ku oksigjeni është i pakët, ruhet sasia më e madhe e materieve organike që ofrojnë “informacione të pashembullta” rreth jetës në atë kohë. “Prandaj, siti i gjetur në Lin, datimi absolut i tij, pashmangshëm, do ta ndryshojë mënyrën se si ne i kemi kuptuar këto lloj vendbanimesh dhe gjenezën e tyre deri më tash, dhe gjithsesi do ta pasurojë tregimin mbi to”, ka shtuar arkeologu Shala.

Ndërkohë nuk kanë munguar komentet nga komuniteti i studiuesve shqiptarë.

Arkeologu që jeton në Itali, Etnor Canaj, ka vlerësuar se nuk është i pamundur ekzistenca e një vendbanimi palafit prej 8500 vjetësh. Sipas tij, problemi kryesor tani është ruajtja e gjetjeve në këtë sit arkeologjik. “Nuk është problem gërmimi dhe nxjerrja në dritë e vendbanimit, problem është ruajtja, pasi kemi të bëjmë me materiale tejet delikate”, ka shkruar Canaj në profilin e tij në “Facebook”.

Megjithëkëtë, ai ka shprehur dyshime për datimet e dhëna sa i përket fillimit të bujqësisë në Lin, meqë, sipas tij, epoka e akullnajave nuk kishte përfunduar ende, “dhe në këto anë nuk para mbillej toka”.

“Këto janë zbulime që çdo studiues i pret me gjakftohtësinë dhe racionalitetin e duhur”, ka shkruar më tej Canaj.

Por në fakt, vjetërsinë nuk e përmend institucioni zviceran që është sponsorizues i projektit i cili nuk kufizohet me Shqipërinë. Vjetërinë e përmendin kryeministri Rama, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe mediat në Shqipëri.

“Phahlbauproblem” ose çështja e vendbanimeve liqenore

Ndryshe, arkeologjia parahistorike që merret me vendbanimet liqenore, të quajtura konvencionalisht “palafite”, ka filluar më 1854 kur ishte mpakur uji në liqenin e Zürichut duke nxjerrë në dritë mbetëzat e moçme të vendbanimeve të dikurshme. Në këto fillesa modeste, kërkimi arkeologjik ishte larg të qenit shkencor. Kërkimi për vendbanimet liqenore, ose siç u bë zakon të quhej “pfahlbauproblem” (problemi i vendbanimeve liqenore), do të vazhdonte të thellohej në sasi e cilësi. Sado që episode sporadike të ngulimeve liqenore hasen qysh në periudhën e mezolitit, siç është rasti i Star Carrit në Angli dhe disa vende në liqenin Feder në Gjermaninë jugore, trendi për të tilla vendbanime do të shpeshtohej vetëm në periudhën e neolitit.

“Gjithmonë jemi mrekulluar pas ujit”

Sipas Francesco Menotti, është e zorshme të pikaset me saktësi se kur njerëzia vendosi të ngulitej buzë mjediseve liqenore.

“Ne gjithmonë jemi fandaksur pas ujit, pa marrë parasysh se si ishte ai; det, lum, liqen apo thjesht pellg kënetor, dhe afërmendsh që kemi qenë të nyjëtuar me to në një mënyrë ose tjetër që prej fillimit të njerëzimit”, shkruan Menotti në librin “Living on the Lake in Prehistoric Europe”, të botuar më 2004, me kontribute e prurje nga ekspertë e ustahë të arkeologjisë palafite.

Duke përkujtuar që ekzistojnë gjithfarësoj teorish për ç’i përket zanafillës dhe shpërhapjes së dukurisë së vendbanimeve liqenore në rajonin alpin, ai e quan më të gjasshme teorinë që i mëshon një provenience nga jugu.

“Kjo hipotezë mbështetet në analiza paleobotanike të një lloji të veçantë të grurit të quajtur edhe si ‘gruri liqenor’ (Triticium durum/turgidum), që gjendet zakonisht në shumicën e vendbanimeve liqenore në Alpe. Befasisht, origjina e këtij gruri duhet kërkuar në trevën mesdhetare”, shkruan ndër të tjerash Menotti.

Kësisoj, gjurmë të këtij gruri ishin gjetur në Spanjë dhe Italinë qendrore, që zanafillonin nga mijëvjeçari i gjashtë para erës sonë, kurse shpërhapja për në veri kishte ndodhur një mijëvjeçar më vonë./Koha.net

Rruga Press

YouTube player