Lajme

Zbulimi i naftës në Shpirag drejt dështimit, testet paraprake rezultojnë zhgënjyese

Kur Edi Rama bashkë me Belinda Ballukun dolën para mediave plot eufori për t’u thënë shqiptarëve se Shqipëria ishte në prag të një zbulimi shumë të madh nafte në Shpirag, shumë ekspertë të fushës komentuan me rezerva dhe bënë thirrje më shumë përmbajtje. Por kryeministri dhe zëvendësja e tij nuk donin t’ia dinin.

Madje ata filluan punën për të ngritur Fondin Sovran si modeli norvegjez dhe nisën të tregojnë se si do të shpenzonin miliardat e dollarëve që buxheti do të merrte nga nafta duke paralajmëruar mirqënie për të gjithë.

“Përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do impaktojë pensionet, sistemin e arsimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë. Ata do jenë përfituesit më të mëdhenj se ne do ndërtojmë si duhet një fond sovran serioz për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit”, deklaroi kryeministri, teksa shumë nga specialistët e sektorit, madje dhe vetë drejtuesit e Shell mblidhnin buzët nga euforia pa bazë e Edi Ramës. Dhe me sa duket kishin arsye për këtë.

Testimet paraprake të kompanisë Shell në vendburim kanë rezultuar larg pritshmërive, gati zhgënjyese duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e gjigandit hollandez në Shqipëri.

Lexo më shumë  Këlliçi: Për pak javë karriera politike e Veliajt do mbyllet

Zyrtarisht kompania Shell nuk jep asnjë koment për testimet duke deklaruar se ato vazhdojnë dhe rezultatet do të shpallen në mars. Për këtë nuk do të konfirmojë asnjë lajm për rezultatin e testimeve deri në fund të tremujorit.

Por Kapitali.al ka konfirmuar përmes dy burimeve të pavarura nga stafi teknik që punon në terren me testimet se zbulimi po shkon drejt dështimit. Kjo pasi zbulimi rezulton ekonomikisht jo rentabël.

Testimet përfundimtare në pusin e Shpiragut nisën në dhjetor të vitit të kaluar. Shpiragu është fusha e vetme aktive ku Shell po kërkon për naftë në Europë. Kjo i jepte një rëndësi strategjike zbulimit dhe ishte një faktor shtesë inkurajues se Shell do të vazhdonte me prioritet kërkimet në këtë fushë.

Lexo më shumë  Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullsinë në dekadën e fundit

Por rezultatet paraprake të testimeve duket se tashmë e kanë vënë në pikëpyetje të madhe qëndrimin e mëtejshëm të gjigandit botëror në këtë projekt.

Një burim nga brenda stafit të kompanisë i tha Kapitali.al se punonjësit janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre, teksa presin të marrin vesh se cili do të jetë vendimi nga qendra e kompanisë.

Rezultatet zyrtare të testimit do të shpallen në fund të tremujorit, pasi kjo është praktika se si raportojnë kompanitë gjigande të naftës. Por fati i zbulimit tashmë duket pothuajse i vendosur. Dhe për këtë kanë dijeni edhe autoritetet shqiptare, të cilave për të mbuluar bllofin qesharak të kryeministrit dhe zëvendëses së tij iu desh të zbulonin depozitën më të madhe në botë të hidrogjenit në Bulqizë./KAPITALI

YouTube player