Lajme

Zbehet turizmi, Shqipëria humb kurorën për kryesimin e net-qëndrimeve në Europë, rritet Kosova

Në tre vitet e fundit, Shqipëria kryesoi Europën për rritjen më të shpejtë të net-qëndrimeve turistike të të huajve dhe vendasve, duke njohur zgjerim dyshifror.

Këtë vit, vendi e ka humbur kurorën. Të dhënat e Eurostat bënë të ditur se për periudhën janar-qershor, net-qëndrimet e turistëve u rritën me 9.1% në total, nga e cila 10.2% ishte rritja e vendasve dhe 8.7% e të huajve.

Për gjithë 2025-n, net-qëndrimet ishin zgjeruar me 30%, dukshëm mbi shtetet e tjera të Europës (i dyti pas nesh kishte një rritje prej 10%).

Përveçse ka shënuar rritje në nivel njëshifror, Shqipëria ka zbritur në vendin e tretë, pas Irlandës që kryeson (14.6%) dhe Maltës (9.9%).

Bie në sy rritja e shpejtë e Kosovës, që renditet e katërta në Europë për 6 mujorin, me një zgjerim prej 5.9% (4.5% e turizmit të brendshëm dhe 7.1% e atij ndërkombëtar). Madje në tremujorin e dytë, Kosova ia ka kaluar dukshëm Shqipërisë për rritjen e netqëndrimeve nga turistët e huaj, me + 17.7% në raport me prill-qershor 2025, përkundrejt +8.5% të Shqipërisë për të njëjtën periudhë.

Në Shqipëri, për periudhën janar-qershor 2026 u shënuan 3.38 milion net-qëndrime turistike, nga të cilat 2.45 milionë u kryen nga të huajt.

Lexo më shumë  Këshilli Bashkiak i Klosit voton kundër bashkimit me Burrelin

Në Kosovë, për të njëjtën periudhë u shënuan gati 800 mijë net-qëndrime turistike, nga të cilat 432 mijë ishin nga të huajt. Në gjysmën e parë të vitit 2026, në strukturat akomoduese turistike në Bashkimin Europian u regjistruan 1 miliard e 321 milionë net-qëndrime, me rritje 1.7% krahasuar me gjashtë muajt e parë të vitit 2025, kur ishin regjistruar 1 miliard e 299 milionë, raporton Eurostat.

Sipas vendeve, Irlanda (+14.6%), Malta (+9.9%) dhe Sllovakia (+5.9%) shënuan rritjet më të larta të net-qëndrimeve në strukturat turistike gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, në nëntë vende numri i net-qëndrimeve ra. Tkurrjen më të fortë e regjistroi Qipro, me 7.7%, e ndjekur nga Rumania, me 6.7%.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, turistët e huaj regjistruan 645.4 milionë net-qëndrime në strukturat akomoduese të vendeve të BE-së, nga 629.4 milionë në gjysmën e parë të vitit 2025, me një rritje prej 2.5%.

Net-qëndrimet e turistëve vendas u rritën me 0.9% në gjysmën e parë të vitit 2026, duke arritur në 675.7 milionë, ose 5.8 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë

Lexo më shumë  8 mln euro nga Bashkia e Tiranës për kompaninë e përfshirë në dosjen “Aruba”

Sipas të dhënave për vendet, 18 nga 27 shtetet anëtare të BE-së shënuan rritje të net-qëndrimeve në gjysmën e parë të vitit 2026. Rënia më e madhe u regjistrua në Qipro, me 7.7%, e ndikuar kryesisht nga tkurrja e ndjeshme e net-qëndrimeve të turistëve të huaj, me 8.2%.

Në vlerë absolute, kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme prej 21.8 milionë net-qëndrimesh krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2025 e dhanë Italia, Spanja dhe Franca

Italia regjistroi 6.7 milionë net-qëndrime më shumë, duke arritur në 219.5 milionë, Spanja 3.4 milionë më shumë, në 222.8 milionë, ndërsa Franca shtoi 2.6 milionë net-qëndrime, duke arritur në 193 milionë.

Në Itali dhe Francë, rritja u nxit kryesisht nga turizmi i huaj, ndërsa në Spanjë kontributin më të madh në rritjen e përgjithshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 e dha turizmi vendas./Monitor.al

Rruga Press

YouTube player