Zajednica, shpresa e Serbisë për luftën e nesërme
Nga Elvis Hoxha
Ideja e asociacionit është ideja e Zajednicë. Në thelb, kjo ide është thelbi që ruan karakterin territorialist të Serbisë. Dhe natyra territorialiste e Serbisë është kënaqur për dy shekuj, dikur prej fuqive të mëdha, dhe në dekadën e fundit prej negociatorëve të ndryshëm. Nëse negociatorët e ndryshëm, evropianë apo amerikanë, do të synonin ta ndryshonin natyrën pushtuese të ortodoksisë dhe pansllavizmit serb, nëse do të kërkonin ta kthenin Serbinë në një shtet normal, ata do të duhet t’ia heqin përfundimisht Serbisë nga mendja, përkufizimi dhe natyra e saj projektin e Garashaninit.
Asociacioni e nxit Serbinë dhe kryeqendrën e saj:
1. të mbajë në krye trashëgimtarët e Garashaninit dhe Milosheviçit,
2. të prodhojë Dodikë të tjerë, mercenarë të Putinit,
3. të ndërtojë gjithnjë një shtet autoritar,
4. ta hedhë popullin dhe shoqërinë e vet në racizëm ndaj gjithë popujve fqinj,
5. të pëlqejë synimet e sllavizmit perandorak dhe rus, dhe jo vlerat perëndimore demokratike dhe liberale.
Kjo rrjedhë e historisë ka qenë gjithnjë e qartë. Perëndimorët e krehin dhe përkëdhelin në fillim Serbinë, ndërsa në fund thonë se reagimi ndaj gjenocidit erdhi vonë. Por numri i viktimave dhe krimeve ëshët rritur ndërkohë, varret masivë kanë lënë gjurmët e tyre në tokë, në ndërgjegje dhe kujtesë.
Për më shumë se një dekadë, faji ynë si shtete të shqiptarëve, popull shqiptar dhe shoqëri shqiptare, ka qenë se nuk e kemi thënë me forcë, përmes përfaqësuesve tanë, se ç’është e drejtë. Nuk e kemi mbrojtur me forcë të drejtën tonë e cila është edhe drejtësi dhe stabilitet për rajonin. Tani duhet ta themi deri në kupë të qiellit e në çdo kancelari. Përndryshe nesër do të jetë vonë.
Sot, e vetmja shpresë për Vuçiçin dhe Beogradin për me mbajtë politikën e tyre me Serbinë pa kufi, me Serbinë e stërmadhe, është të kenë mundësinë për një zajednicë. Vetëm në këtë mënyrë, Beogradi do të ketë mundësinë të rihapë në të ardhmen e afërt një luftë tjetër për territor. Kjo është e qartë si drita e diellit.
Ne e njohim të vërtetën e pansllavizmit serb, sepse ne kemi qenë gjithnjë këtu. Të huajt që vijnë këtu, nuk e kanë ndjerë mbi shpinë tmerrin dhe krimin. Ata e kanë të lehtë negociatën me trashëgimtarët e Milosheviçit. Sepse negociatorët e huaj ndryshojnë, ata marrin një post dhe e lëshojnë më pas. Viktimat mbeten këtu.
Nuk kemi për detyrë të ndalojmë thjesht Zajednicën, por rrezikun e ardhshëm të luftës. Nuk i ka ardhur asnjë e keqe fqinjëve dhe as pakicave të fqinjëve nga shqiptarët. Shqiptarët janë trajtuar si pakicë edhe kur kanë qenë shumicë. Ata po diskriminohen kudo, në Preshevë dhe në Bujanoc, ata janë spastruar nga Medvegja dhe veriu i Mitrovicës. Ata po diskriminohen në Maqedoni të Veriut. Një zajednicë në Kosovë do të nxiste Greqinë të përshpejtonte greqizimin në jug të Shqipërisë dhe të kërkonte edhe aty një asociacion. Dhe kjo, siç e dimë të gjithë, nuk është as në natyrën dhe as parimin e politikës së demokracisë.
Ndërkombëtarët demokratë duhet të ndalin jo luftën, por mundësinë e luftës. Ndaj duhet ta ndalojnë njëherë e mirë natyrën teritorialiste dhe gjenocidale të Serbisë. Duhet ta ndalojnë Zajednicën. Duhet ta ndalojnë një tjetër republikë serbska dhe një tjetër Dodik. Shoqëria njerëzore sot nuk ka nevojë të shtyhet lufta për më vonë, por të bëjë drejtësinë tani. Aleatët tanë nuk janë aleatë për shije e për qejf, por për demokraci politike dhe drejtësi universale.
Rruga Press