Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dërguar dy herë Serbinë në shtëpi nga Botërori
Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Andi Zeqiri do të udhëtojnë në Serbi për t’u përballur me Bjellorusinë. Tre futbollistët janë ftuar nga selektori i Zvicrës, Murat Yakin, për dy ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”, atë kundër Bjellorusisë dhe Izraelit.
Zvicra më 25 mars e luan në Novi Sad ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2024 kundër Bjellorusisë.
Bjellorusia është nikoqire në Novi Sad, pasi nuk lejohet të organizojë ndeshjet në territorin e saj për shkak të përfshirjes në pushtimin rus të Ukrainës. Kjo ndeshje i takon grupit të eliminatoreve për “Euro 2024”.
Paraqitja e Xherdan Shaqirit për Zvicrën është në dyshim. Ai ka pësuar së fundi një lëndim në muskuj, ndërsa vendimi përfundimtar nëse do të jetë gati apo jo për ndeshjet kundër Bjellorusisë në Novi Sad të Serbisë dhe Izraelit, do të merret të dielën.
Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë dërguar dy herë Serbinë në shtëpi nga Botërori.
Në “Rusia 2018” e “Katari 2022” ishin pre e fyerjeve të huliganëve serbë, por janë përgjigjur në mënyrën më të mirë – me sukses në fushën e lojës.
Shaqiri shkëlqeu në fushë, Xhaka pati po ashtu ndeshje të madhe, ndërsa Ardon Jashari ia dha fanellën Xhakës për të festuar në fund. Jashari ka mbetur jashtë listës për dy ndeshjet e këtij muaji.
Në grup me Zvicrën e Bjellorusinë janë edhe Kosova, Izraeli dhe Andorra.
Rruga Press