Xhaferri: Vrasës dhe trafikantë me nga 13 apartamente dhe arsimtarë që jetojnë me qira, ja pse Rama refuzoi interpelancën për Arubën!
Nga Besart Xhaferri/
Sot, një të akuzuari për vrasje iu sekuestruan në zemër të Tiranës 13 apartamente dhe biznese. Në Durrës, pak javë më parë, iu sekuestruan një anëtari të një bande 31 apartamente, dhe një tjetër trafikanti iu sekuestruan, po ashtu, pak javë më parë, 25 apartamente e qindra biznese.
Këto sekuestrime nuk janë meritë e heronjve të fëmijëve tanë në SPAK apo të institucioneve shqiptare, por rezultat i përgjimeve të SKY ECC.
Ndërkohë, përballë këtyre pasurive të paligjshme qëndrojnë arsimtarët, profesionistët e shtresës së mesme dhe të rinjtë, për të cilët politika e Edi Ramës e pastrimit të parave në ndërtim e ka bërë pronën të jetë një “mollë e ndaluar”. Edhe kur arrijnë ta sigurojnë, duhet të lënë kolateral në banka dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Kjo është arsyeja pse ne kërkuam interpelancë për takimin e Ramës me trafikantët e drogës në Aruba, pasi ai takim i mundësoi Ramës një skemë të re pasurimi në kurriz të shqiptarëve. Por në këto 5 vite, kjo skemë ka prodhuar një dramë të paprecedentë kriminalizimi dhe eksodi.
Ata që sot kundërshtuan interpelancën për Arubën, dalin në përgjime me ata trafikantë droge, të cilëve Rama u vë në dispozicion eskortat e Policisë së Shtetit.
Rruga Press

