Argument

Xhaferri: Ministria e Shëndetësisë operon si Grup i Strukturuar Kriminal!

Nga Besart Xhaferri

Raporti i fundit i KLSH që skanoi shkeljet tek Onkologjiku faktoi se në këtë spital nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), gjë e cila ka shkaktuar mos trajtimin për 600 gra paciente me CA gjinekologjik me radioterapi.

Gjithashtu në raport evidentohet se mos vendosja në funksion e aparatit të Ortovoltazhit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për mungesë të ambienteve ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve me radioterapi që vuajnë nga tumoret e lëkurës. (Melanoma)

Sipas auditit të ekspertëve të KLSH mos sigurimi i pajisjes mjekësore të Brakiterapisë të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), mosrehabilitimi i ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i spitali Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumoreve (për periudhën në auditim), nuk ka efektivitet të plotë.

Me sa lexova në raport këto fakte janë vetëm maja e asjbergut të kalbjes së sistemit shëndetësor publik, ku prevalon korrupsioni dhe nepotizimi.

Një ndër krimet më të rënda të kësaj qeverie është pikërisht lënia e sistemit shëndetësor në duart të monopoleve, e për fat të keq privati mbetet e vetmja zgjidhje për mijëra qytetarë, ndërsa për ata që nuk e kanë mundësinë nuk mendon askush.

Edi Rama, ndoshta mund të jetë zyrtari i fundit që pretendon se ka kryer operacion në spitalet e shtetit që ai drejton e bëhet fjalë për një ndërhyrje të thjeshtë, pasi kontrollet mjekësore zakonisht i kryen në Vienë të Austrisë.

Kolapsi i sistemit shëndetësor po pasohet me gjenocid në jetën e shqiptarëve, e përballë kësaj panorame të gjithë duhet të reagojmë si shoqëri e drejtësia nuk duhet të qëndrojë duarkryq.

Rruga Press

YouTube player