Kuriozitete

Will Smithi trondit mbrëmjen e çmimeve Oscar, godet me shuplakë prezantuesin

Aktori Will Smith fitoi çmimin e parë Oscar në karrierë, pasi pak minuta më parë goditi me shuplakë prezantuesin e çmimeve, komedianin Chris Rock, duke zbehur kështu arritjen më të madhe të karrierës së tij.

53-vjeçari u ngjit në skenë dhe goditi komedianin, i cili sapo kishte bërë një batutë për kokën e rruar të gruas së Smithit, Jada Pinkett Smith.

Jada ka disa vite që vuan nga rënia e flokëve dhe duket se Will Smithi nuk e pranoi një shaka të tillë.

Pasi e goditi, Smithi iu drejtua sërish Rockut me fjalët: “Mos e përmend fare gruan time”.

Pasi iu dorëzua çmimi si aktori më i mirë, për interpretimin e Richard Williamsit, babait të kampioneve të tenisit, Venus dhe Serena Williams, në filmin “King Richard”, Will Smithi kërkoi falje për gjestin e tij, por jo ndaj Chris Rockut.

“I kërkoj ndjesë të pranishmëve në sallë dhe kolegëve të mi. Dashuria të bën që të bësh çmenduri”, tha Smithi.

Gazetarëve në ceremoni nuk iu lejua që të bënin pyetje mbi shuplakën.

Policia e Los Angelesit njoftoi se Chris Rocku nuk ka ngritur padi, por është gati që të hetojë nëse do të ketë një padi ndaj aktorit 53-vjeçar, fitues i freskët i çmimit Oscar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *