Weber: Nuk pati marrëveshje, mosmarrëveshja u zhvendos te dialogu për aneksin e zbatimit
Eksperti për Ballkanin, Bodo Weber, ka thënë se mungesa e një dakordimi të qartë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë se nuk pati ndonjë përparim në bisedimet midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtura më 27 shkurt në Bruksel.
Dy udhëheqësit thanë se janë pajtuar me përmbajtjen e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk e nënshkruan atë.
Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësuan bisedimet, paralajmëruan takime të reja midis Kurtit dhe Vuçiqit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes.
Kjo sipas Weberit, që është bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, është indikator se në takimin e 27 shkurtit nuk kishte progres drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, “por vetëm shtyrje të mosmarrëveshjeve për t’u diskutuar me aneksin e zbatimit”.
“Ju mund ta keni vërejtur se zoti Borrell nuk po fliste për arritjen e një marrëveshjeje, por thoshte se palët kanë rënë dakord që të mos negociojnë më tej për Marrëveshjen [drejt normalizimit Kosovë-Serbi], por t’i vazhdojnë negociatat për aneksin e zbatimit. Ndërsa, nëse e dëgjoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit – as që mund të dëgjohej [duke thënë] se është arritur marrëveshje”, është shprehur Weber në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij është e vështirë të vlerësohet se kush do të përfitojë në fund nga propozimi evropian, për shkak të karakterit të tij.
“Kjo është një formë e marrëveshjes së ndërmjetme. Është një largim nga plani dhe qasja e mëparshme e BE-së dhe e SHBA-së për të negociuar drejtpërdrejt për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse. Ka disa elemente, veçanërisht në nenin 6, për vazhdimin [e dialogut] që duhet të çojë në zgjidhjen e mëtejme të çështjeve të pazgjidhura, çështjeve të mbetura – përfshirë çështjet dypalëshe – dhe që duhet të çojë në një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme. Por, nuk ka një masterplan të qartë të shkruar për rrugën përpara”, ka theksuar Weber.
Sipas tij një qasje e tillë ka qenë në thelb të dialogut fillestar politik më 2012 -2013. “Por, BE-ja dhe SHBA-ja, në atë kohë, kanë demonstruar se nuk kanë vullnet politik dhe kapacitete për të udhëhequr një proces kaq afatgjatë. Dhe palët lokale [Kosova dhe Serbia], në fund, e kanë shfrytëzuar boshllëkun strategjik, për ta minuar dhe përmbysur procesin dhe për ta bërë atë të funksionojë për to, por jo për ta bërë atë të funksionojë në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”, ka deklaruar Weber.
Sipas tij, në këtë drejtim, nëse ky proces nuk do të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme, atëherë patjetër do të jetë Beogradi ai që do të përfitojë në afat të gjatë, siç ka thënë ai, duke manovruar BE-në dhe SHBA-në në një afat më të gjatë.
Ai ka thënë se teksti i planit, qartazi kopjon jo vetëm qasjen, por edhe formulimin nga Marrëveshja e dy Gjermanive e vitit 1972, e njohur si Marrëveshja bazë.
“Dua të them se edhe krerët e qeverive dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në letrën e tyre të fundit dërguar kryeministrit Kurti, e kanë cilësuar këtë marrëveshje si marrëveshje bazë. Pra, kjo është qartazi qasja. Në këtë kuptim, po, Prishtina ka të drejtë. Por, duhet pasur parasysh se edhe Marrëveshja e prillit 2013 [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] u cilësua në atë kohë si historike, pra si marrëveshja e djeshme. U vlerësua në atë kohë se ishte përfshirë një njohje de facto e Kosovës nga Serbia, por nuk çoi drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për kontestin e statusit”, është shprehur Weber.
Por sipas tij mund të konkludohet se kjo marrëveshje, në kuptimin e një njohjeje de facto, në vetvete nuk përfaqëson një progres të vërtetë thelbësor.
I pyetur se a pret një dialog të lehtë në ditët në vijim lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit evropian, ai ka thënë se “nëse dikush e sheh këtë formulim kundërthënës, nëse ka pasur vërtet një marrëveshje dje apo jo, të krijohet përshtypja se nuk ka pasur vërtet një marrëveshje, por se mosmarrëveshja për këtë propozim është zhvendosur te dialogu për aneksin e zbatimit”.
“Kjo ka të bëjë veçanërisht me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] dhe çështjen e renditjes së zbatimit të kësaj marrëveshjeje të re të BE-së dhe marrëveshjeve të dakorduara më parë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Asociacionin”, ka thënë Weber.
Rruga Press