Lajme

Washington Post: Takimet me Edi Ramën, 28 muaj burg për McGonigal

Ish-“gjuetari” kryesor i spiunëve të FBI-së në Nju Jork u dënua në Uashington me 28 muaj burg për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve në pagesa që kishte marrë nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare ndërsa punonte për byronë.

Dënimi i sotëm i Charles McGonigal do t’i shtohet një dënimi prej 50 muajsh burg që ai mori veçmas në Nju Jork vitin e kaluar për komplot të paligjshëm me një oligark rus që donte të hiqej nga lista e sanksioneve të SHBA.

McGonigal, 55 vjeç, është një nga agjentët e rangut më të lartë të FBI-së i dënuar ndonjëherë për akuza penale dhe prokurorët federalë të premten i kërkuan gjykatëses së qarkut të SHBA-së, Colleen Kollar-Kotelly, t’i bashkojë dënimet, pasi veterani me 22 vjet eksperiencë i byrosë, pranoi se kishte kryer krimin, që ai ishte betuar të hetonte.

McGonigal ishte agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në pensionimin e tij në shtator 2018. Ai pranoi se kishte fshehur nga FBI-ja marrjen e pagesave nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, një ish-oficer i inteligjencës shqiptare dhe takimet e tij me zyrtarë të huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

McGonigal tha se ai kërkoi të shmangte pyetjet në lidhje me një konflikt interesi midis detyrave të tij zyrtare dhe planeve private, për të ndërtuar mundësitë e tij të biznesit pas daljes në pension në atë vend.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Në një ndjekje penale paralele federale në Manhattan, McGonigal më herët pranoi komplotin për të pastruar para dhe për të shkelur sanksionet e SHBA-së që synonin të ndëshkonin miliarderin rus Oleg Deripaska, një oligark me lidhje me presidentin Vladimir Putin. Në rolin e tij në FBI, McGonigal ishte ngarkuar të hetonte Deripaskën, akt-akuza e të cilit mbi akuzat për shkelje të sanksioneve u zbulua disa muaj përpara asaj të McGonigal.

Akuzat kundër McGonigal tronditën botën e heshtur të kolegëve të tij zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane, duke pasur parasysh thellësinë e njohurive të tij për praktikat e spiunazhit të SHBA-së dhe aksesin e jashtëzakonshëm në informacione të ndjeshme. Shqetësues, ishte aksesi i tij në hetimet e spiunëve të huaj ose shtetasve amerikanë të dyshuar se punonin në emër të qeverive të huaja, si dhe humbja e agjentëve amerikanë jashtë shtetit.

Në dokumentet e dënimit, ndihmës avokatët amerikanë Elizabeth Aloi dhe Stuart D. Allen e quajtën fshehjen e pagesave nga McGonigal, “në thelb, korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë”. Ata shtuan, “I pandehuri është betuar se do të hetojë dhe parandalojë krimet kundër Shteteve të Bashkuara, jo t’i kryejë ato”.

Sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë në rastin e tij të pagesave në Uashington, D.C., McGonigal pranoi një akuzë për fshehjen e provave materiale. Prokurorët hodhën poshtë tetë akuza të tjera: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve në raportet e tij të zbulimit në FBI dhe gjashtë akuza të tjera për fshehjen e fakteve materiale ose dhënien e deklaratave të rreme për hetuesit.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Puna e McGonigal në emër të Deripaska filloi në vitin 2019, kur ai u punësua në mënyrë legjitime si konsulent dhe hetues nga një firmë ligjore që përpiqej të zhbënte listën e sanksioneve të SHBA-së të manjatit të aluminit.

Por McGonigal pranoi se gjatë vitit 2021, ai mori detyra shtesë hetimore, për të cilat u pagua me para, që ai dinte se ishin pagesa të paligjshme nga një bankë e Qipros, të filtruara përmes një kompanie të Nju Xhersit.

McGonigal kishte për detyrë të zbulonte anën e pisët mbi një oligark rival rus, Vladimir Potanin, me të cilin Deripaska kishte luftuar për kontrollin mbi kompanitë gjigante të metaleve industriale ruse, pasi ato u privatizuan në vitet 1990.

Megjithatë, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, Deripaska u ndalua të bënte biznes me bankat amerikane dhe entitete të tjera. Sidoqoftë, McGonigal negocioi me një bashkëpunëtor të Deripaska-s për pagesa mujore prej 25,000 dollarësh që do të dërgoheshin në një llogari të kontrolluar nga Sergey Shestakov, një përkthyes për qeverinë amerikane, i cili ishte një ish-diplomat rus.

Shestakov u akuzua për McGonigal dhe u deklarua i pafajshëm dhe do të përballet me gjyqin në qershor në Manhattan me akuza për komplot, shkelje të ligjit të sanksioneve të SHBA-së, pastrim parash dhe deklarata të rreme./Washington Post

Rruga Press

YouTube player