BotaKryesore

Vulini akuzon Perëndimin për destabilizim të Serbisë, pas takimit me kryespiunin rus

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka akuzuar të premten shërbimet inteligjente perëndimore se po synojnë të destabilizojnë vendin e tij nëpërmjet mbështetjes së protestave anti-qeveritare, transmeton Reuters.

Pas takimit të mbajtur me shefin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, Vulini ka thënë se fuqitë perëndimore janë duke planifikuar të rrëzojnë qeverinë e Serbisë, e cila për një kohë të gjatë ka pasur lidhje të mira me Moskën.

“Shërbimet inteligjente perëndimore janë duke provuar të fillojnë një ‘revolucion’ dhe ta destabilizojnë Serbinë”, ka shtuar Vulin.

Lexo më shumë  Kurti: Demonstratat e vitit 1981, ndër ngjarjet kyçe në historinë e Kosovës

Qindra mijëra studentë, të mbështetur nga profesorët, fermerët dhe punëtorët, kanë mbajtur protesta të vazhdueshme në mbarë Serbinë që nga nëntori i vitit të kaluar, ku 15 persona humbën jetën pas rënies së çatisë së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit. 

Protestat gjithëpopullore po shihen si kërcënim i madh për pushtetin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Lexo më shumë  Hargreaves: Me Gërvallën diskutuam për rëndësinë e zgjidhjes së shpejtë të sfidave politike

Vulin, një politikan pro-rus, ka shërbyer më herët si shef i Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), po ashtu edhe si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Mbrojtjes.

Në vitin 2023, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin sanksionuar Vulinin për arsye të aktiviteteve të tij pro-ruse dhe lidhjeve me grupe kriminale të trafikut të drogës.

YouTube player