Vuçiqi për bombardimet e NATO-s: Duhet t’u vijë turp
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të monumentit të nënkolonelit Velko Radenoviq në Krushevc, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte komandant i njësisë speciale të policisë në Prizren deri në dëbimin e ushtrisë jugosllave nga Kosova në qershor të vitit 1999.
Vuçiqi tha se Radenoviqi ishte “një nga trimat e mëdhenj që i mbrojti fëmijët tanë kur ishte më e vështira”.
Ndër të tjera, duke kujtuar 24 marsin e vitit 1999, kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj ushtrisë serbe për të ndalur luftën gjenocidale të Serbisë në Kosovë, Vuçiqi tha se “Serbia dëshiron vetëm që viktimat e agresionit të NATO-s në vitin 1999 të kujtohen dhe krimet të mos harrohen”.
Ai tha se të huajt pjesëmarrës “në këtë agresion duhet të heshtin në vend të mburrjes, si dhe të turpërohen”.
“Nuk na bindin dot, kam parë disa sot që flasin triumfalisht për sukseset e tyre nga viti 1999. Mesazhi im për ta është më mirë të heshtin. E kam fjalën për të huajt që morën pjesë në atë agresion të tmerrshëm ndaj vendit tonë dhe të turpërohen pak dhe të gjejnë një vend ku t’i luten Zotit për të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm dhe fëmijë të shumtë që vranë këtu”, tha Vuçiqi.
Në një prononcim për “Pink”, ai tha se kishte fjalën për Wesley Clarkun dhe shumë të tjerë.