Lajme

“Vuçiq ka gënjyer”, “Presion i stilit Millosheviq, do të dështojë” – reagimet që erdhën nga Kosova pas konferencës së presidentit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme (e diele) ka takuar në Beograd përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pas takimit me Listën Serbe, Vuçiq në një konferencë për media tha se në takimin e fundit në Bruksel, Kosova ka refuzuar të gjitha propozimet e Beogradit, derisa ka përmendur 6 pikat që i ka paraqitur kryeministri Albin Kurti në tryezën e dialogut.

Presidenti serb tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”.

Ai tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe, shkruan Telegrafi.

Vuçiq përsëriti se në Bruksel është kërkuar që të kthehen targat KS, për të zëvendësuar ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme), por ky propozim është refuzuar.

E pas këtyre deklaratave kanë ardhur edhe reagimet nga Qeveria e Kosovës dhe Presidenca.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi ndaj deklaratës së presidentit serb lidhur me Policinë e Kosovës. Sveçla u shpreh se Vuçiq ka gënjyer dhe se gjatë konferencës së tij ka pasur shtrembërime të qëllimshme.

Lexo më shumë  Arsyeja e vizitës së presidentit kinez në Beograd është shumë më e thellë: Xi Jinping do ta ftojë Serbinë të anëtarësohet në BRICS

“Ministri propagandues i Millosheviqit, Vuçiq në konferencën e sotme ka gënjyer për policinë e Kosovës. Një zotim nga e kaluara se Ushtria e Kosovës (FSK), nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e KFOR-it është shtrembëruar qëllimisht. Policia e Kosovës është e autorizuar të sigurojë sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë qytetarët përreth Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Reagim pati edhe nga ana e Presidencës së Kosovës. Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës, ka thënë se institucionet e Serbisë, javët e fundit kanë bërë presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare.

Sipas Velës, një numër i madh i qytetarëve, përshirë edhe serbët e Kosovës, janë intervistuar e arrestuar në pikat kufitare Kosovë-Serbi.

Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq duhet ta dijë se ky presion, siç tha ai, i stilit Millosheviq, do të dështojë.

“Ky presion ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shënjestrimi i serbëve të Kosovës që punojnë në institucionet e Kosovës duhet të ndalet. Vuçiq duhet ta dijë se ky presion dhe frikësim i ‘stilit Milosheviq’ do të dështojë!”, u shpreh Vela.

Lexo më shumë  Kandidatja për eurodeputete hap në Vjenë ekspozitën ‘Rezistenca paqësore në Kosovë 1990-1998’

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimet në Bruksel, që kishin synim uljen e tensioneve, përfunduan pa marrëveshje.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtur dy vendimet e Qeverisë në Kurtit, për targat dhe dokumentet serbe.

Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.

Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë.

Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *