Vuçiç flet për paqe, por po përgatit luftën!
Shkruan Enver Bytyçi
Prej shumë kohësh i ndjek deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai i ka kaluar të gjitha retorikat e parapërgatitjes së tij për konflikt në rajon, përkatësisht me Kosovën. Por asnjëherë nuk ka hezituar të përdorë fjalën “Paqe”! Edhe Hitleri gjatë samitit të Mynihut në pranverën e vitit 1938 i bindi Fuqitë e Mëdha se ai “donte paqen”! Po cili është përkufizimi i paqes në gojën e diktatorëve ultranacionalistë si Adolf Hitleri, Sllobodan Milosheviçi, Vladimir Putin, apo Aleksandër Vuçiç?! Zgjerimi me dhunë i territoreve!
Kur Serbia në aleancë me Bullgarinë, Greqinë dhe Malin e Zi po nisnin Luftën e Parë Ballkanike, Mbreti serb, Karagjergjoviç, u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen kësaj lufte, pasi sipas tij “ajo drejtohej kundër të sëmurit të Bosforit, Perandorisë Osmane”! Madje thoshte se “me shqiptarët donte paqe dhe marrëdhënie të mira”! Ndërkohë ishte përgatitur kasaphana e vjeshtës së vitit 1912, kur ushtria serbe, në vend të luftonte kundër Perandorisë Osmane, nisi spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë e Veriut, me qëllim asgjësimin e shqiptarëve dhe serbizimin e territoreve të pushtuara! Aleksandër Leo Freundlich shkruan për 25.000 shqiptarë të masakruar. Ai, si dëshmitar okular përshkruan në artikujt dhe kronikat e tij se çdo natë oficerët serbë mburreshin me krimet që kishin bërë gjatë ditës. Madje përmend dhe një mburrje të dy oficerëve serbë, të cilët kishin vënë bast për një grua shtatëzënë, nëse ajo e kishte femijën djalë apo vajzë. E për ta vërtetuar se kush e fiton atë bast, kishin ther me bajonetë gruan në fjalë.
Për asgjësimin e shqiptarëve ishin bërë më parë dhe u bënë më vonë projekte, traktate, memorandume dhe plane pa fund. Ndërkohë asnjëherë autorët dhe ekzekutorët serbë në pushtet nuk folën për luftë me shqiptarët. Thjesht thoshin se “shqiptarët kanë nevojë për civilizim”, “shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet dhe duhen sunduar nga Serbia derisa të aftësohen për shtet-ndërtim”, se shqiptarët “janë muslimanë dhe të një kulture lindore “, etj. Prapa këtyre arsyetimeve qëndroi në fakt asgjësimi i kombit shqiptar dhe krijimi i Serbisë së Stefan Dushanit të viteve 1333-1355!
Aleksandër Vuçiç sot përsërit të njëjtën gjë. “Ju do ta shihni si do t’i fitojnë të drejtat serbët për në Kosovë”, “Ne do ta mbrojmë popullin tonë në Kosovës”, thotë ai. Më pas përsërit fjalët: “ne duam paqen”! Dhe shton se vetëm KFOR-in nuk do ta godasim”!
“Nuk lejojmë asnjë shqiptar në krye të komunave”! Ndërkohë që vetë i ka bojkotuar zgjedhjet! “Nuk e lejojmë policinë e Kosovës në veri”, deklaron presidenti i Serbisë! Shkurt, ai sillet si sundimtar i veriut të Kosovës dhe i të gjithë serbëve në Kosovë. Sillet si president i Kosovës te serbët e besa edhe te jo pak shqiptarë në politikë e me ndikim në jetën publike! Nuk pranon shtetësinë e Kosovës e sidomos legjitimitetin e sovranitetit të institucioneve të saj në të gjithë territorin, përkatësisht në komunat me shumicë serbe. Eshtë i prerë, kur kërkon që shteti, institucionet, qeveria, ligji, të mos aplikohen në territorin e komunave të veriut.
Duhet të jesh naiv të mos kuptosh se këto deklarata janë thirrje për luftë. Nuk ka ndodhur kurrë që tjetërsimi i territorit të bëhet pa luftë! Pra, Aleksandër Vuçiç është i gatshëm për luftë, me qëllim që të arrijë ndarjen e Kosovës, pasiqë me paqe përmes Hashimit dhe Edi Ramës nuk mundi ta bëjë këtë. I ka mbetur vetëm obsioni i luftës! Sepse ka dy mundësi: Ose shteti i Kosovës do të jetë prezent në të gjithë territorin, ose territori do të tjetërsohet. Presidentja, kryeministri, kreu i parlamentit të Kosovës kanë bërë me dije se ata nuk pranojnë asnjë lloj ndarje, madje as ndarje “të butë” përmes asosacionit.
Vuçiç po planifikon që me datën 28 qershor të shpallë “pavarësinë” e katër komunave të veriut. Kësaj deklarate lufte i ka parapri bojkoti i institucioneve të Kosovës. Presidenti i Serbisë do t’i ngrejë serbët dhe terroristët që ai paguan për të luftuar edhe me armë kundër pranisë së forcave policore në këto komuna. Nuk do të pranojë as gjykata dhe veprime hetimore të prokurorisë për krimin e organizuar dhe bandat kriminale në veri. Do të pushtojë godinat e komunave dhe do të shpallë një komitet dhe një president të serbëve në Kosovë që do të implementojnë “pavarësinë” nga Kosova.
Eshtë i njëjti model, si edhe ajo që Vladimir Putin bëri në rajonet e lindjes së Ukrainës të Donbasit prej vitit 2014 e këtej. Ukraina dështoi për ta përballuar agresionin rus të para nëntë viteve. Po Kosova a do ta përballojë këtë sulm të Serbisë kundër saj? Duhet të presim e të shohim. Megjithatë kam përshtypjen se askush nuk dëshiron ta pranojë faktin se Aleksandër Vuçiç ka projektuar aneksimin e së paku tri komunave të veriut të Kosovës. Ky aksion aneksimi i duhet atij edhe për të dalë nga kriza që po shkaktohet prej protestave masive kundër tij në Serbi.
Gjithësesi ka ardhur koha që të mos e fshehim kokën si struci. Eshtë momenti kur qytetarëve duhet t’u flasim hapur e t’u thuhet e vërteta se jo vetëm në Beograd, por edhe në disa qarqe, madje qeveritare, të Perendimit është pranuar ideja e ndarjes së Kosovës. Shtetet perendimore fillimisht do të solidarizohen, si deri më tani, në mbrojtje të territorit të Kosovës. Por gradualisht do fillojnë të flasin për atë se “Zgjidhja më e mirë është ndarja e territorit”! Ndërsa diplomacia e Tiranës, qeveria e saj, ministria e Jashtme, prej shtatë vitesh promovojnë dhe propagandojnë ndarjen e Kosovës, si mundësi të vetme të zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi! Këtë e pohon madje vetë ambasadori shqiptar në OKB në margjinat e kësaj organizate. Ndërsa ne duartrokasim debatet patriotike të tij për publikun!
Rruga Press