Vrasja djallëzore e një “ëngjëlli”, Mateon e vranë të gjithë!
Nga Inelda Vallja
Në Greçalli të Fierit iu dha lamtumira 8-vjeçarit që u vra barbarisht nga fqinji 38- vjeçar Klodian Çalamani, tashmë i arrestuar. Dëshmitë e banorëve flasin për një krim të paralajmëruar dhe një njollë tjetër të zëzë për institucionet dhe drejtësinë që nuk funksionoi kur duhej.
Në bankën ku ulej Mateo Vasiu, në shkollën e Greçallisë në Fier, këtë të mërkurë qëndronte një buqetë me lule, si nderim për jetën e 8-vjeçarit që u rrëmbye, vra dhe gropos nga fqinji Klodian Çalamani.
Ndërsa kjo është shtëpia e horrorit ku vrasësi i fëmijës së familjes që thuhet se e mbante me bukë jetonte i vetëm në mjerim.
Gjurmët janë dëshmie e krimit të së martës së 16 nëntorit.
Ai e kishte joshur 8-vjeçarin duke i dhënë biçikletën për të luajtur, siç zbuluan pamjet e kamerave të sigurisë.
Më vonë, e tërhoqi pas rrethimit me kallama dhe në oborr e lidhi dhe goditi për vdekje me lopatë.
Për të humbur gjurmët, trupin e fshehu në këtë gropë deri në mbrëmje kur krimi u zbulua dhe 38-vjeçari Klodian Çalamani u arrestua.
Në fshat ka pllakosur zia, por dëshmitë e banorëve sugjerojnë se vrasja e 8-vjeçarit ishte një krim i paralajmëruar.
38-vjeçari sipas tyre kishte sjellje të çekuilibruar dhe kërcënuese për të cilën edhe e kishin denoncuar, por siç thonë askush nuk mori masa ta ndalojë në kohë.
“E kemi përzënë nga shtëpia, e kam çuar dhe në polici. Më ka bërë një gjest te shtëpia, do të përdhunonte gruan time.”
8-vjeçari i vrarë barbarisht u përcoll për në banesën e fundit duke lënë pas shumë dhimbje, dhe një njollë tjetër të zëzë për shoqërinë që heshti dhe institucionet dhe drejtësinë që nuk funksionoi kur duhej.
Në vitin 2012 Klodian Çalamani ishte dënuar me vetëm 4 vite burg për pengmarrjen dhe torturimin e një vajze të mitur në fshat, bashkë me xhaxhain e 8- vjeçarit që vrau.
Familjarët e Mateo Vasiut nuk kanë shumë besim të drejtësia.
“Shteti do ta mbajë, do ta nxjerrë prapë. Nuk ka shtet, asgjë. Ta varin.”
Ndërsa banorët e tronditur nga krimi makabër, kërkojnë dënim ekstrem.
“Ta djegin me benzinë, jo ta varin.”
“Me vdekje, ta varësh në litar.”
“Duhet të ketë ligj me vdekje. I mori jetën atij 8-vjeçari, çfarë duhet më ai?!”
38-vjeçari Klodian Çalamani në polici mësohet se ka shfaqur paqëndrueshmëri, por jo pendesë për vrasjen e fqinjit 8-vjeçar, por motivin pse e çoi drejt aktit krimit horror nuk e ka treguar.
Rruga Press