BotaKryesore

Vojsllav Shesheli, i dënuar për krime lufte, thërritet nga Gjykata Penale e Hagës

Lideri i partisë djathtiste në Serbi, Partisë Radikale Serbe, Vojsllav Sheshel, është thirrur që të dëshmojë para Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, që është pasues i Tribunalit të Hagës.

Sheshel konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se seanca dëgjimore është caktuar që të mbahet më 1 korrik.

Ai po ashtu tha se me shumë gjasa do t’i përgjigjet kësaj ftese.

Ftesën për marrje në pyetje e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter edhe ish-zyrtari i lartë i partisë së Sheshelit, Nemanja Sharoviq. Ai tha se nuk dëshiron që ta pranojë ftesën e këtij mekanizmi, sepse siç tha, nuk ishte shkruar në cirilik.

Sheshel tha për Radion Evropa e Lirë se ftesë e ngjashme u është dërguar edhe Lilana Mihajlloviqit, Ognjen Mihajlloviqit, Mirolub Ignjatoviqit, Marina Ristiqit dhe Marina Ragusit. Që të gjithë këta janë anëtarë ose ish-anëtarë të Partisë Radikale Serbe.

Ftesa për dëshmi ka të bëjë me “shkeljet e pretenduara të rregullave të Tribunalit të Hagës sa i përket mbrojtjes së identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur dhe dokumenteve konfidenciale”, tha Sheshel gjatë një bisede telefonike me Radion Evropa e Lirë.

Lexo më shumë  Trumpi e emëroi për prokuror të përgjithshëm, Gaetz heq dorë pas presionit të publikut

“I kam publikuar që të gjitha në librat e mi, mbi 50 libra. Do të publikoj të gjitha materialet e Tribunalit të Hagës nga rasti im, sepse rasti im ka përfunduar dhe ata nuk mund t’i mbajnë sekrete për 100 vjet këto informacione”, tha Sheshel.

Ai shtoi se nuk ka rrezikuar jetën e dëshmitarëve, por tha se do të vazhdojë të nxjerrë këto materiale.

Nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale dhe Zyra e Prokurorit të Serbisë për Krime Lufte ende nuk kanë komentuar.

Vojsllav Sheshel më 2018 ishte dënuar me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për nxitje të persekutimit, dëbimit, zhvendosjes, zhvendosjes me forcë të kroatëve në fshatin Hërtkovci më 1992.

Më 6 maj 1992, Sheshel mbajti një fjalim në këtë vend, që sipas Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale tha se ka kontribuar në persekutimin, dëbimin dhe veprime jonjerëzore.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Sheshel u la i lirë në Serbi për shkak se vuajti dënimit gjatë paraburgimit nga viti 2003 deri më 2014.

Ndryshe, Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për vite me radhë i ka kërkuar Serbisë që të ekstradojë anëtarët e partisë së Sheshelit, Petar Jojiq dhe Vjerica Radeta, të cilët akuzohen për frikësim, kërcënim dhe ofrim të ryshfetit për dëshmitarët në rastin gjyqësor kundër Sheshelit.

Serbia ende refuzon që të ekstradojë ata, duke argumentuar se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Beogradit, nuk janë plotësuar kushtet për ekstradimin e këtyre personave. Kjo gjykatë, më 2016, tha se nuk ka baza ligjore për arrestimin dhe ekstradimin e anëtarëve të Partisë Radikale Serbe, sepse ligji vendor për bashkëpunim me gjykatën e Hagës parashikon se vetëm personat e akuzuar për krime lufte mund të ekstradohen dhe jo ata që akuzohen për minim të gjykatës./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *